Fundamenti

Osmani: Emërimi i Lladrovcit në Tiranë është antiligjor dhe antikushtetues

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Lidhja Demokratike përmes Vjosa Osmanit ka reaguar ndaj emërimit të Ramiz Lladrovcit si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë. Sipas saj, emërimi i ish-deputetit të PDK’së është shkelje ligjore dhe kushtetuese.

Shkelja ligjore, sipas Osmanit, është se të Ngarkuar me Punë s’mund të emërohen njerëz që asnjëherë s’kanë qenë pjesë e diplomacisë kosovare.

Ndërsa, shkelja kushtetuese ka ndodhur pasi Ministri në largim Enver Hoxhaj ka dhënë betimin si deputet derisa vendimet e tij në pozitën qeveritare janë kundërkushtetuese.

“Shkelja është e dyfishte kur poashtu kemi parasysh se Hoxhaj është Ministër i një qeverie në ikje përderisa poashtu ka dhëne betimin si deputet. Nga momenti që ka dhënë atë betim, vendimet e këtij ministri dhe ministrave të tjerë në ekzekutiv janë kunderligjore dhe kunderkushtetuese. I bëjmë thirrje Presidentes që mos të bëhet pjese e këtyre shkeljeve dhe mos të dekretojë këto emërime diplomatike”, ka thënë, për Express, Vjosa Osmani, anëtare e Kryesisë së LDK-së.

KKVITI

Sipas saj, vendimet e Ministrit në largim do të rishikohen pasi Enver Hoxhaj ka vendosur t’i rehatojë militantët partiak në ditët e fundit të pushtetit të PDK-së.

“Kjo sjellje e MPJ-se përbenë shkelje serioze të ligjit dhe praktikave diplomatike. Qeveria e bllokut do ta rishikojë këtë vendim sepse ai nuk është ligjor e aq me pak legjitim, por poashtu edhe të gjitha vendimet e gradimet e tjera që Hoxhaj i ka bërë në kundërshtim me ligjet dhe praktikat diplomatike”, ka shtuar ajo, transmeton Express.

Lladrovci deri në vitin 2008 ka qenë pjesë e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.