KKVITI

Pasojat e jo-stabilitetit politik në ekonomi

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mimoza (Kusari) Lila – Në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, është evident fakti se po vërejmë vakumin institucional jo vetëm në mungesë të organit më të lartë legjislativ, por edhe në krijim të pritjeve të atyre që presin të vijnë në pushtet apo që besojnë se pushtetin e kanë të garantuar.

Në një formë ose tjetër, çdo gjë po lidhet me forcën e pushtetit dhe jo pritjet për funksionalizimin e shtetit.
Në pozitën e udhëheqëses së një komune kam një qartësi për postin në nivelin lokal, megjithatë jo çdo gjë mund të kryhet në këtë nivel në funksion të ngritjes së efikasitetit të punës dhe performancës tonë. Ka shumë çështje të cilat pushteti lokal i ka ngritur dhe të cilat lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe mandatin e plotë të Qeverisë.

Një listë e tërë ligjesh dhe procedurash janë të lidhura me Kuvendin. Jo më larg se pak javë para zgjedhjeve, në Kuvendin e Republikës së Kosovës u dërgua për shqyrtim, Ligji për menaxhimin e ndërmarrjeve publike, në të cilin ligj një nen e parasheh mundësinë e propozimit nga ana e Qeverisë Kuvendit të Kosovës heqjen nga lista dhe ndryshimin e statusit të ndërmarrjeve shoqërore në ato publike. Me shpërndarjen e Kuvendit, ky ligj nuk do të del më në lexim të dytë, por ky ligj shkon prej fillimit në Qeveri dhe pastaj prapë në Kuvend. Kohë e humbur, minimum gjysmë viti apo një vit i plotë.

Agjencitë të cilat i raportojnë Kuvendit tani janë pa Komisione funksionale dhe rrjedhimisht pa deputetë të cilët monitorojnë punën e tyre dhe i raportojnë Kuvendit për të.

Njëra prej Agjencive me më së shumti zhurmë dhe fokus edhe gjatë shpalosjes së programeve zgjedhore edhe tani gjatë negociatave të partnerëve të mundshëm të koalicionit, është Agjencioni Kosovar i Privatizimit.

Kjo Agjenci për momentin operon me Bordin minimal dhe në mungesë të vetëm një anëtari të Bordit, vendimet janë të pamundura.

Shtesë elementit të Bordit, Agjencia ka mungesë të drejtorit menaxhues (në vend të tij janë dy zv/drejtorë) dhe gati se është në pikën minimale të operimit.

FIDANISHTJA

Për të qenë situate ende më e rënduar, vetëm edhe një muaj (apo edhe një mbledhje të Bordit) kanë mandate dy përfaqësuesit ndërkombëtar të Bordit, pas së cilit muaj, nuk do të ketë as Kuvend për të emëruar përfaqësuesit e rinj në Bord dhe as bazë ligjore për t’u bazuar në të.

Nëse udhëheq një komunë siç është ajo e Gjakovës dhe bën maksimumin për promovim të investimeve, ngritje të punësimit dhe nëse ke punuar pesë muaj me Agjencinë intensivisht për t’u munduar për të gjetur zgjidhje për hapësirën për Park të biznesit dhe të lajmërojnë se në mbledhjen e korrikut nuk ka pasur mundësi të shqyrtohet pika ime, ndërsa nuk është e sigurt nëse do të ketë sukses në gusht të diskutohet për shkak të kohës së shkurtër, atëherë vështirësitë janë të paevitueshme.

Pas gushtit, nuk do të ketë më Bord valid të AKP-së, ndërsa ne presim apo rrisim pritjet për zgjidhje të situatës aktuale dhe disi mundohemi të bindim bizneset e huaja se shpejt do të rregullohet situata. Në këto rrjedha, fitohet përshtypja e përsëritjes së vetvetes shumë herë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Për dekadën e fundit kam punuar në një mënyrë apo tjetër për institucionet apo me institucionet dhe bizneset dhe përkundrejt shpesh herë dëshirës për të kryer punë, gjithmonë ishte një çështje më “madhore” politike e cila shtynte agjendën ekonomike në ulësen e pasme.

Kam frikë se prapë po ballafaqohemi me situatën e njëjtë dhe se diçka do të ngjajë dhe ne do të jemi ata të cilët do t’i bartim pasojat e shtyrjes së agjendës ekonomike dhe atë jo në këmbim të një situatë më kualitative politike.
Pasojat e tilla do të jenë evidente në tërë Kosovën dhe shumë shpejt do të arrijnë deri tek secili qytetar i republikës cili do t’i ndiejë këto pasoja në forma të ndryshme, por assesi në përparim ekonomik.

Andaj, vakumi i krijuar më së shumti dhe më së rëndi do të godet ekonominë e Kosovës e pastaj të gjitha sferat tjera.

(Autorja është kryetare e Gjakovës dhe zv/presidente e AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)