Veseli: Dikush mund të bëjë puç, por kjo nuk i sjell të mira vendit!
Zëvendëskryetari i PDK-së, deputeti i zgjedhur Kadri Veseli, ka thënë se “nuk kemi nevojë të shtyhemi njëri me tjetrin për çështjen e ulëseve”. Ndërsa, cek indirekt shkuarjen në Kushtetuese të çështjes së kryeparlamentarit dhe të zgjedhjeve të reja.
Në emisioni Rubikon të KTV-së, Veseli i është shmangur përgjigjeve direkte në pyetjet e shtruara nga Adriatik Kelmendi.
Ai thotë se nuk lejohen koalicionet paszgjedhore, duke u thirre gjithnjë në atë që thotë se e thekson Kushtetuesja. I pyetur se Grupi Parlamentar LDK-AAK-Nisma është regjistruar, ai shton: “Me Kushtetutë nuk lejohet”.
“Ne kemi mandat nga populli të zbatojmë ligjshmërinë dhe të bisedojmë që të mos krijojmë situatat dhe skenarët që disa i mendojnë. Ne do të respektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, thotë ai. “Nuk do të lëshojmë pe në vullnetin e qytetarëve, ligjshmërinë e kushtetueshmërinë”.
Sipas rregullores së Kuvendit, Grupi më i madh Parlamentar i certifikuar thirret për ta propozuar kryetarin e kuvendit. Ky grup i certifikuar është LDK-AAK-Nisma, por Veseli nuk pajtohet.
“Nuk besoj se Kosova dhe qytetarët kanë vullnet të shkojnë në drejtim tjetër. Jemi grupi ma i madh parlamentar. Nuk do të ishte e mirë që t’i drejtohemi kushtetueses për çështje minorene”, thotë ai, duke shtuar se ka mandat të bashkëbisedojë me të tjerët.
Ndërkaq, i pyetur nëse është vonë bashkëbisedimi kur nuk kanë mbetur as 15 deri te seanca e nesërme, Veseli thotë: “Kjo pyetje nuk duhet t’i drejtohet PDK-së”.
Veseli gjithnjë thirret në Kushtetuese, i thotë Kelmendit se shtron pyetje hipotetike dhe nuk pajtohet kur ai i thotë se Kushtetuta nuk cakton grupet parlamentare, përderisa secili deputet ka të drejtë të dal në grup tjetër.
“Ne jemi të obliguar të mbrojmë ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë”, thotë ai. “Pse të shkojmë Kushtetuese kur mund të ecim përpara me ligjshmëri dhe kushtetueshmëri. Kujt i duhet kjo”.
Ramush Haradinaj (AAK) dhe Isa Mustafa kanë thënë se i kanë numrat më të mëdhenj si Grup Parlamentar. Veseli thotë se “në mënyrë dinjitoze do të futemi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe mandatarit të Qeverisë, Hashim Thaçit”.
I pyetur nëse nuk ndodh kjo, Veseli shton: “Nuk pajtohemi me marrëveshjen e tyre në aspektin e respektimit të ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë. Nuk guxojmë në asnjë mënyrë e për asnjë çmim të hupim nga rrugëtimi i zhvillimit ekonomik dhe integrimeve. Dikush mund të bëjë puç, por kjo nuk i sjell të mira vendit”.
Në shtete të ndryshme ka praktika që jo partia e parë fiton qeverinë. Kelmendi thotë Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se herën e parë ka të drejtë PDK të mandatohet për formimin e Qeverisë, por jo edhe të dytën.
“Kjo është e vetëmjaftueshme dhe e vetëkuptueshme për bllokun opozitar se ku janë. Kjo i takon partisë fituese. Duhet të kemi mirëkuptim me njëri-tjetrin, për të mirën e qytetarëve”.
Veseli thotë se gjithçka e qartë: “Na takon gjithçka sipas Gjykatës Kushtetuese. Pse të shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Ne jemi të obliguar jo vetëm para Kushtetutës, po edhe njerëzve”. /Telegrafi/


