ARKATANA

(Nuk) kërkohet që Vetëvendosje të jetë me çdo kusht pjesë e Qeverisë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Mundësia që Lëvizja Vetëvendosje (VV) të mos bëhet pjesë e Qeverisë së ardhshme, së bashku me LDK-në, AAK-në dhe Nismën për Kosovën, sipas përfaqësuesve të partive opozitare nuk duhet të merret si shqetësuese.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se askush nuk është duke insistuar që Lëvizja Vetëvendosje (VV) të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Sipas tij, gjatë takimeve me zyrtarët e VV-së, është shprehur një vullnet për përfshirje sa më të gjerë të partive në ndërtimin e konceptit të ri të qeverisës që do të drejtohet nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Mirëpo, nuk mund të themi që dikush po insiston që ndonjë parti të jetë me çdo kusht pjesë e Qeverisë së ardhshme. Orientimi i partive të koalicionit (LDK, AAK dhe Nisma) për të formuar Qeverinë e re nuk do të ndalet”, ka thënë Ramadani për Telegrafin.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka theksuar se gatishmëria që edhe VV-ja të jetë pjesë e Qeverisë së re ka ardhur për arsye se është tentuar që të formohet një ekzekutiv gjithëpërfshirës.

“Nuk mund të them që definitivisht VV-ja nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re, mirëpo askush nuk është duke insistuar me çdo kusht për këtë gjë”, thotë ai për Telegrafin.

Fundamenti

Në anën tjetër, analisti Armend Muja ka thënë se bisedat për futjen eventuale të VV-së në koalicionin qeveritar me LDK-në, AAK-në dhe Nismën për Kosovën, ka qenë duke një test i rëndësishëm për këtë Lëvizje. Sipas tij, këtu është testuar edhe identiteti i VV-së, e cila origjinën e saj e ka në kundërshtimin e negociatave me Serbinë.

“Nëse VV-ja do të pajtohej me kushtet e vëna, të cilat përfshijnë edhe ndryshimin e qasjes së kësaj partie në raport me dialogun me Serbinë, do të humbte arsyeja e simpatizantëve për të qenë me VV-në. Unë nuk besoj që, në të kontekst, VV-ja të jetë pjesë e Qeverisë. Unë mendoj që opozita teknikisht mund ta krijojë një Qeveria, por e cila nuk do të ishte ajo e pritura e cila do t’i dërgonte përpara proceset me të cilat Kosova do të ballafaqohet”, thotë ai për Telegrafin.

Sipas tij, sfidat janë relativisht të rënda: çështja e ngecjes së dialogut me Serbinë; procesi i ngecur në rrugën e integrimeve evropiane; obligimet të cilat do t’i ketë Kosova në raport me Gjykatën Speciale, që do të merret me gjykimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krimet e supozuara gjatë luftës; dhe ajo socio-ekonomike që mund të shkaktojë probleme serioze në stabilitetin e vendit.

“Andaj, mendoj që zgjidhja më e mirë në këto kushte do të ishte një koalicion i gjerë qeveritar për t’i përballuar me sukses ato”, ka thënë Muha.

I pyetur rreth (pa)mundësisë së arritjes së marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, për të qenë edhe ajo pjesë e Qeverisë së drejtuar nga ai, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në momentin kur pritej nënshkrimi i marrëveshjes, Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur me një aneks. Sipas tij, kjo ka ndikuar që ende të mos ketë një marrëveshje në mes të opozitës (LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën) dhe VV-në. /Telegrafi/