Sekuestrohen armë dhe municione në kufi me Kosovën
Policia e Tropojës ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh e municionesh luftarake.
Sipas të dhënave të para, të marra nga komisariati i policisë së Bajram Currit, bëhet e ditur se nga një kontroll i rastësishëm është gjetur nga policia e kufirit dhe migracionit, e pikës kufitare të Qafë Morinës, në vendin e quajtur Borgu i Tropojës rreth 1 kilometër në afërsi të kufirit Shqipëri – Kosovë, në pyll, 2 mitraloza të rëndë, 30 predha antitank dhe disa fishekë model 56.
Policia me të konstatuar këtë fakt, ka nisur një kontroll të imtësishëm të të gjithë zonës, pasi dyshohet se në pyll mund të ketë edhe armë e municione të tjera. Deri tani, uniformat blu nuk japin detaje nëse ka apo jo persona të shoqëruar në komisariatin e policisë.


