Fundamenti

Inva Mula: Parisi, qyteti që më hapi dyert e karrierës

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Artistja e madhe shqiptare, Inva Mula është në prag të dy prezantimeve shumë të rëndësishme në skena të mëdha operistike në Paris, të dy paraqitjet në operën Otello, e para në sallën prestigjioze Pleyel dhe e dyta në superproduksion të regjisores Nadine Duffaut dhe dirigjentit të madh Myung Whun Chung, që edhe do të transmetohet live në televizionin kombëtar francez. Në intervistën e dhënë për KultPlus, Inva Mula ka prekur edhe segmente të tjera që janë jashtë muzikës.

Ajo ka folur për rëndësinë e Parisit, sikurse që ka spikatë edhe dashurinë që ka për Tiranën, qytet që ka gdhendë karakterin e saj. Ajo ka treguar se si nuk ka pritur asnjëherë nga krerët e politikës të respektojnë punën e saj sikurse që ka folur edhe rreth mungesës së shfaqjeve operistike në Kosovës, sipas të cilës, nuk mund të justifikohet mungesa e një salle ku mund të performojnë artistët

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Jeni në prag të një shfaqjeje operistike në Paris që e vlerësoni si një prezantim tejet të rëndësishëm në karrierën tuaj, për cilën shfaqje bëhet fjalë dhe kë keni partner në këtë shfaqje?

Inva Mula: Në fakt jam përpara dy eventeve shumë të rëndësishme. I pari është më 27 qershor në sallën më prestigjoze parisiene Pleyel .Version koncert i operës Otello të kompozitorit Giuseppe Verdi. Jam e rrethuar me dy partnerë të shkëlqyer: tenorin Roberto Alagna dhe baritonin Dmitri Hvorostovsky.

Aktiviteti tjetër i kësaj vere është festivali më i madh francez “le Choregie d’Orange”, një amfiteatër 2000 vjeçar dhe përpara 10000 spektatoreve ku do interpretoj përsëri rolin e Desdemones në operen Otello por në këtë rast në një superproduksion të regjisores Nadine Duffaut dhe dirigjentit të madh Myung Whun Chung dhe transmetuar live në televizionin kombëtar francez.

KultPlus: Pavarësisht faktit se karriera e juaj është e mbushur me rolet më të mëdha operistike duke i jetësuar ato në skenat më të mëdha në nivel botëror, pas kësaj shfaqje në Paris, cilin rol dhe cilën skenë do ta dëshironit në një të ardhme të afërt?

Inva Mula: Sigurisht që mbas interpretimit të një mori rolesh në sallat më prestigjoze e kam vështirë të ëndërroj role të parealizuara, pasi pothuajse ato që kam dashur i kam realizuar. Por në këtë fazë karriere ajo që do më interesonte është pjesëmarrja në skena mitike larg Evropës siç ishte vitin që kaloi teatri Colon i Buenos Aires apo në muajin tetor teatri i operës në Sao Paolo Brazil. Këto skena janë për mua interesante ku krahas profesionit zbuloj vende dhe kultura të reja. Këto udhëtime më pasionojnë dhe i japin të veçantën këtij profesioni.

KultPlus: Të jesh kaq e famshme në nivel botëror dhe të vish nga një vend relativisht të vogël rezulton me një përgjegjësi të madhe, që detyrimisht të obligon të mbash mbi supe përfaqësimin e një shteti jo me ndikim të madh në botë, thënë më shkurt, si ndihesh në raport me këtë përgjegjësi?

Inva Mula: Ky ka qenë një problem i fillimit të karrierës sime. Më dukej që bashkë me përgjegjësinë time për të afirmuar vetvetën si artiste mbaja mbi vete dhe përgjithësinë e njohjes së një vendi të vogël që pak shumë nuk e njihte njeri. Në momentin që dola nga anonimiteti si artiste dhe emri im lakohej nëpër teatro apo media mendoj që ky detyrim moral që unë kisha ndaj vendit tim rritej nga dita në ditë. Jam e lumtur kur mendoj që sot për artistin shqiptar nuk është me një hendikep të vish nga një vend i vogël pasi artistët shqiptar po shkëlqejnë sot kudo në botë dhe ne jemi tashmë krenar për këtë arritje.
KultPlus:Po për një përfaqësim të denjë çfarë edhe bëhet nëpërmjet jush padyshim që duhet të respektohet nga shteti prej nga edhe vjen. Në të vërtetë, krerët e institucioneve të Shqipërisë sa janë falënderues për punën e juaj?

Inva Mula: Nuk kam pritur asnjëherë nga krerët e politikës të respektojnë punën time ajo që ndjej me zemër dhe më jep satisfaksion është respekti dhe vlerësimi që kanë bashkatdhetarët e mi kudo që ndodhen në botë.

Mobi Casa

KultPlus:A do të duhej që të jemi më të përgjegjshëm në raport me artistët që jetojnë dhe veprojnë jashtë, apo mendoni se është duke u bërë mjaftueshëm?

Inva Mula: Në fakt artistët shqiptar po shënojnë suksese të mrekullueshme por kjo vjen nga puna dhe sakrifica e tyre personale. Shqiptarët janë shumë të talentuar dhe kanë dëshirë të jenë të parët. Kjo karakteristikë është vendimtare në art. Besoj se dëshira e gjithë artistëve që performojnë jashtë është të jenë prezent në skenën e vendit të tyre, në fakt kjo është një sindromë e çdo artisti që ëndërron të jetë i duartrokitur dhe i vlerësuar në atdheun e tij.

KultPlus: Artistët shqiptarë nuk janë të paktë që kanë shënuar suksese nëpër botë, a mendoni se do të duhej të ishte një organizim i përbashkët artistik me shumicën prej artistëve shqiptarë nëpër botë e që do të prezantohej qoftë në Shqipëri apo Kosovë?

Inva Mula: Për momentin këto janë iniciativa më shumë private dhe nuk ka struktura që programojnë aktivitetet në avancë, apo festivale të mirëfillta që bëjnë dhe xhirimin e këtyre vlerave. Besoj se kjo do vjen me kohë por për momentin që flasim nuk ka asnjë organizim artistik qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë.
KultPlus: Flasim për Parisin, sa të bën të harrosh prej nga je dhe sa të bën të të mungojë Shqipëria?

Inva Mula: Kur flasim për Parisin sigurisht ky qytet ka domethënie për mua pasi është qyteti që më hapi dyert e karrierës, qyteti i ëndrrave të mija të cilat u realizuan jashtë imagjinatës sime, qyteti ku unë bleva për herë të parë një banesë… por është dhe shumë i dashur se u bë dhe vendlindja e fëmijëve të mi.
KultPlus: Nëse flasim për nostalgjinë prej vendit edhe nga vjen, keni ndjenjën sikurse ta kanë tjetërsuar vendlindjen, apo edhe më gjeni diçka ashtu sikur edhe e keni lënë?
Inva Mula: Kështu kur flas për Parisin kam një emocion të veçante por kjo nuk cenon aspak dashurinë për Tiranën time që gdhendi karakterin tim dhe i dha ngjyra personalitetit tim si person dhe si artiste! Ndonëse Tirana e sotme nuk i ngjan asaj që jam rritur unë por zogu nuk e braktis kurrë folenë e tij megjithë shtegtimeve të tij.

KultPlus: Jeni në dijeni për gjendjen e vështirë të operës në Kosovë, prej mungesës së sallës e deri te mungesa e vetë shfaqjeve operistike. Çfarë gjykimi keni për këtë ngecje, a do të duhej të arsyetohen artistët e Kosovës se nuk mund të bëjnë shfaqje të operave si pasojë e mungesës së sallës koncertale apo me të vërtetë iu mungon muza në bërjen e shfaqjes së operave?

Inva Mula: Për mendimin tim nuk mund të justifikohet mungesa e një salle ku mund të performojnë artistët. Çdo ditë që kalon është në disfavorin e krijimit të një tradite në Kosovë. Mund të mos pretendojmë për një super sallë por një strukturë e cila do krijonte dhe bërthamën e një trupe që do vë bazat e teatrit kombëtarë operistik në Kosovë! Shumë është folur asgjë nuk është bërë dhe kjo gjendje më trishton, mos të harrojmë diçka, arti kudo në botë do investim dhe nuk bëhet me punë vullnetare.

KultPlus: Po për raportin e artistëve Kosovë-Shqipëri, si mendoni, janë të një niveli të lakmueshëm, apo duhet edhe më shumë për tu bërë?

Inva Mula: Jam e lumtur me sukseset e tenorit Ramë Lahaj dhe janë plot artistë të tjerë të cilët me iniciativa dhe sakrifica personale po sfidojnë vështirësitë e këtij profesioni. Jam shumë optimiste se do ketë arritje serioze nga artistët nga Kosova, kjo është vetëm çështje kohe.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë do të duhej të bëjmë si komb për një prezantim sa më të denjë, apo edhe në këtë pikë na mungon strategjia kombëtare?

Inva Mula: Në radhë të parë që një komb të prezantohet denjësisht duhet të drejtohet nga lider që e duan kombin e tyre dhe vënë interesat e kombit mbi gjithçka. Fatkeqësisht kombit shqiptar nuk i kanë dalë këto burra megjithëse historia ka treguar që dhe të tillë ka pasur. Kam shpresë në gjeneratën e re e cila është e pa cenuar nga historia problematike e kombit shqiptar por aspiron ashtu si gjithë gjenerata e një Evrope të bashkuar./KultPlus.com/