KKVITI

Koalicioni i tavolinave, akt i vonuar i opozitarizmit në Kosovë

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Emin Azemi – Konkurrimi politik ka rregulla, por parregullsia më e madhe e prishjes së këtij konkurrimi bëhet atëherë kur partia në pushtet nuk atakohet para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, përmes programit alternativ qeverisës dhe votës së lirë, por krejt vonë, me do takime ad hoc, pasi të ketë përfunduar procesi zgjedhor.

Me metoda të huazuara të zhonglerizmit parapolitik, disa parti opozitare të Kosovës, sidomos LDK dhe AAK, në vend se të kontestonin mënyrën e qeverisjes së zotit Thaçi, me linja të qarta ofertuese për një armatë njerëzish të dëshpëruar, ato sikur bënin gara se cila më tepër do të luante rolin e qeses së infuzionit për ish-qeverinë

Pas zgjedhjeve të së dielës, po krijohet një situatë e çuditshme në skenën politike të Kosovës, që të përkujton atë thënien e famshme “pas lufte dalin shumë trima”. Në vend se të organizoheshin para zgjedhjeve, disa eksponentë që humbën zgjedhjet, po mundohen tani, pas zgjedhjeve, të krijojnë një front post-festum opozitar, paçka se gjaë; fushatës zgjedhore ato akuzonin njëra tjetrën për koketim me Thaçin në periudhën e kaluar. Nuk ndodhë shpesh, për të mos thënë që askund nuk ndodhë, që armiqtë e fushatës zgjedhore të bëhen partnerë postzgjedhor, jo brenda një platforme të përbashkët qeverisëse, por brenda njëfarë revanshizmi ala shqiptarçe. Mungesa e kurajos politike për t’u bërë bashkë para zgjedhjeve, ka porodhuar një mungesë tjetër, tani në planin moral, sepse antagonizmat e deridjeshme po futen në thesin e madh të unifikimeve joparimore, për t’u bërë barrë e një procesi që mund të ketë shumë
pikëpyetje e paqartësi.

Më në fund, lajmi që përmbysi logjikën e veprimit parlamentar thoshte: LDK, AAK dhe NISMA bashkohen kundër PDK-së. Tri partitë politike që nuk arritën të mundin në zgjedhje partinë e Hashim Thaçit, kanë gjetur megjithatë një tjetër mënyrë për ta përmbysur nga pushteti.Të tria partitë kanë vendosur të koalicionojnë për të formuar atë që ata e quajnë “qeveria e thimit të shpresës”, duke bashkuar numrat e deputetëve në Kuvend.

Në komunikatën e përbashkët thuhet në mes të tjerash: “Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë dhe Nisma për Kosovën janë bashkuar që vendit të japin qeveri të kthimit të shpresës. Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria do të punojë me ngulm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

Ne, bashkërisht kemi vendosur që Ramush Haradinaj të jetë i nominuari ynë i përbashkët për Kryeministër të Kosovës, Kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, e po ashtu edhe Presidentin në harmoni me Kushtetutën. Nisma do të përfaqësohet me vendëskryeministër.”Ditët në vijim do të konfirmojnë nëse Kosova është e gatshme edhe për një aventurë të re politike, me shumë të panjohura, ku partitë opozitare në njërën anë dhe PDK në anën tjetër, pritet të nxjerrin adutet për formimin e kabinetit të ri qeveritar.

Vetëm tash kur dolën rezultatet e zgjedhjeve, disa parti politike të Kosovës e morën vesh se paskan qenë opozitë. Para 8 qershorit, çdo njëra prej tyre ëndërronte se do të bëhet e para, prandaj edhe nuk bënë koalicion parazgjedhor. Ambiciet e tepërta të subjekteve politike, të cilat pa koalicion parazgjedhor tentojnë të formojnë shumicë qeverisëse, është një sindrom që ka ndjekur këtyre viteve shtetet me traditë të paktë parlamentarizmi, ku bënë pjesë edhe Kosova.

ARKATANA

Por, e keqja do të ishte më e vogël, sikur kjo mungesë sensi për bashkim opozitar të mos përcillet me stilin eklektik të sjelljeve politike të lidershipit të LDK dhe AAK kundrejt partisë në pushtet. Janë pikërisht ata eksponentë opozitarë, të cilët tani kur po e satanizojnë triumfalizmin e PDK-së në këto zgjedhje, po kërkojnë nga ajo të heqë dorë nga një e drejtë legjitime e demokratike për të formuar qeveri. Jo se ato dëshmuan ndonjë alternativë të qartë qeverisëse, por thjesht pse nuk duan të pranojnë një rregull elementar në parlamentarizëm se, partia që fiton më shumë mandate, i bie përgjegjësia të formojë kabinet qeverisës me ata partnerë të cilët i konsideron të afërt për nga programi dhe pragma politike.

Konkurrimi politik ka rregulla, por parregullsia më e madhe e prishjes së këtij konkurrimi bëhet atëherë kur partia në pushtet nuk atakohet para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, përmes programit alternativ qeverisës dhe votës së lirë, por krejt vonë, me do takime ad hoc, pasi të ketë përfunduar procesi zgjedhor. Me metoda të huazuara të zhonglerizmit parapolitik, disa parti opozitare të Kosovës, sidomos LDK dhe AAK, në vend se të kontestonin mënyrën e qeverisjes së zotit Thaçi, me linja të qarta ofertuese për një armatë njerëzish të dëshpëruar, ato sikur bënin gara se cila më tepër do të luante rolin e qeses së infuzionit për ish-qeverinë, duke bashkëlegjitimuar shumë poteza politikë të cilat, vetëm tani pas zgjedhjeve, përmenden “si të dëmshme për ardhmërinë e Kosovës”.

Nëse zgjedhjet nuk formalizojnë fituesit dhe humbësit, atëherë nuk do të kishte kuptim mbajtja e tyre. Në arealin politik të Kosovës, tani për tani, nuk mundet të flitet për ndonjë diferencë drastike në mes të atyre që fituan dhe humbën, por, megjithatë, votuesi, për të cilin shumë pak mbahet llogari, duhet të jetë i sigurt se disponimi politik i tij, i deleguar përmes votës së lirë, nuk do të përfundonte në rebuset e paqarta të lojërave postzgjedhore.

Përgjegjësia më e lartë për të reflektuar largpamësi në mosfutjen e Kosovës në këta rebus postzgjedhor, megjithatë, i takon partisë më të madhe opozitare, LDK-së. Ajo duhet të jetë e para, jo me deklaratizëm verbal se janë ‘më të mëdhenjtë’, edhe atëherë kur rangohen të dytët, por me hapa konkretë që do të dëshmonin se ata janë vërtetë institucionalistë (siç u dëshmuan disa eksponentë të saj të ardhur nga diaspora dhe disa intelektual vendorë), në përkufizimin e vetëpërgjegjësisë për pozicionin dytësor shumëvjeçar që mbajnë në skenën politike.

Prurjet e munguara në këtë parti, që do të zhvendosnin imazhin e saj nga pamja e gjyshërve që ende merren me politikë tek një potencial i paangazhuar të diplomuarish në Europë e gjetiu, janë handikapi kryesor që e bën LDK-në një forcë politike, e cila edhe atëherë kur humb, çuditërisht mundohet të reflektojë njëfarë triumfalizmi fals, pa kokrrën e përgjegjësisë së atyre që e këshillojnë gabimisht liderin për të mos dhënë dorëheqje.

Merre si ta marrësh, Kosova në rrethanat politike në të cilat po kalon, i ka dy kohë politike. Të tashmen, me PDK-në e cila duhet të rrumbullaksojë bilancin e saj elektoral në një platformë të qartë qeverisëse dhe, të ardhmen, me VetëVendosjen, e cila përpos që ka dëshmuar se është opozita më reale e kësaj politike, por është edhe zëri në rritje i atyre që kërkojnë ndryshime, jo përmes përgjumjeve opozitare të stilit të LDK dhe AAK, por përmes aksioneve konkrete të cilat Kosovës mund t’i japin një aset të vlefshëm kombëtar, pa kurthin e të qenit peng i synimeve ekstra ideologjike.

(Autori është publicist nga Shkupi. Ky opinion është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)