Uji Dea

Urrejtja nuk është platformë 2

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vlora Çitaku – Njeriu cinik do të thoshte; Pse tallemi me veten? Kë e gënjejmë? Njerëzit nuk kanë më ç’ti thonë njëri tjetrit. Krejt çka bëjnë, thjesht flasin vetëm për pasiguritë dhe telashet e veta dhe asgjë më shumë. Secili për vete.

Duan t’i shkarkojnë pasiguritë e veta në dikë tjetër, e kur nuk munden atëherë bëjnë të pamundurën, çdo sekondë të çdo minuti, të çdo dite të lume e bëjnë atë punë. Dhe fillojnë përsëri nga fillimi, kështu deri në kotësi, për t’ia bërë një trohë vend atyre pasigurive. Ferri, do të thoshte Jean Paul Sarte, janë të tjerët. E, kur njerëzit urrejnë pa ndonjë rrezik, marria e tyre bindet lehtë dhe motivet paraqiten vetvetiu.

Kodi gjenetik tregohet shumë më altruist dhe më filantrop me disa njerëz ndërsa me disa tjerë tregohet shumë më koprrac. Dhe kur nuk ekziston dhuntia e shprehjes në mënyrë elokuente dhe argumentative për të etabluar poentën apo pikëvështrimin, atëherë njerëzit fillojnë të shajnë dhe të fyejnë. Sido që të jetë, fjala e thënë e ka për qëllim të nxitë një reakcion të caktuar specifik nga të tjerët. Sharja dhe fyerja injektojnë një komponentë direkte dhe koncize në dialog, përdoren për të ofenduar tjetrin, për t’i dëshiruar fatkeqësi, për ta fyer dhe nuk është aspak e çuditshme se si abuzimet verbale janë pjesë e rëndësishme e diskurseve urrejtëse raciste.

Por nuk është aspak e vështirë t’i injorosh, e të mos merresh fare me ta, sepse fundja siç do të thoshte Jep Gambardella, personazhi i filmit të mrekullueshëm të Paolo Sorrentinos, La Grande Bellezza; “Tash, kur i kam mbushur 65 vjet, kam konstatuar se nuk kam më kurrfarë dëshire e as nevoje të bëj atë çfarë nuk dua të bëj”.

Hidromorava

Në fakt, është krejt e lehtë. Çka është e vështirë është kur mendon se patjetër duhet ta gjesh forcën të nesërmen për të vazhduar të bësh atë çfarë ke bërë sot, atë për çfarë ke punuar shumë. Jo të merresh me të tjerët dhe atë çfarë ata bëjnë apo thonë. Gjëja më e vështirë është se duhesh të gjesh forcën për të vazhduar të bësh atë në të cilën beson. Gjë e vështirë është se duhet të kërkosh ta gjesh fuqinë për të vazhduar së ngarenduri, t’i vazhdosh e përfundosh ato projekte që nganjëherë duken sizifiane. Gjë e vështirë është tu ikësh atyre tentimeve që duket të jenë të mbështjella në kotësi dhe nevojë, gjëra që gjithnjë të përkujtojnë se ndoshta fati është i paepur, ndoshta secila natë do të të gjejë me më shumë dyshime për pasigurinë e të nesërmes. Këto janë të vështira.

Mendimi ndryshe patjetër se duhet respektuar por jo kur ai cenon lirinë e tjetrit dhe kur ai mendim, argumentin bazë e ka sharjen, fyerjen dhe ofendimin e tjetrit. Ata që përqeshin, fyejnë dhe shajnë, në fakt vetëm vetë-përqeshen, vetë-fyhen dhe vetë-shahen e ajo punë le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Debatimi me ta është vetëm humbje kohe. Tentimi për t’i edukuar do të ishte i kotë. Aty ku kanë dështuar prindërit e tyre dhe aty ku ka dështuar sistemi arsimor nuk mund të ketë sukses askush.

Vogëlsia shpirtërore gjithmonë është ajo çka është, vogëlsi. Madhështia e zemrës humane është kapaciteti për të falur, kapaciteti për të qëndruar kryelartë dhe i dinjitetshëm në ballë të çdo sfide, edhe në momentet më të vështira, qofshin ato jetike. Jeta vazhdon edhe pas 8 qershorit. Veç thashë.