Eko Higjiena

Pallati i rrenave

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Sot zyrtarisht fillon fushata elektorale e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe pse jozyrtarisht fushata ka nisur disa muaj më parë, nga sot klasifikimi i rrenave dhe zhvillimi i vokabularit demagogjik, me premtime të marra elektorale, nis ligjërisht.

Qytetarët duhet të përgatiten që të mos u besojnë shumë politikanëve, të cilët po shtyhen si në maratonë, se kush po premton më shumë ose edhe thënë me dialogun e shkujdesur se “kush po urinon më larg”.

E mira e gjithë kësaj fushate është se partitë politike i kanë vetëm dhjetë ditë dhe jo 30 ditë fushatë, sikurse i kanë pasur në zgjedhjet e kaluara. Dallimi në mes fushatës dhe parafushatës është se për këto dhjetë ditë të ardhshme, liderët e partive politike do t’i pushtojnë edhe mediet, ndërsa gjatë parafushatës kanë pushtuar vetëm qytetet dhe katundet e vendit.

Dallimi nuk është shumë i vërejtshëm, përveç se ethet e humbjes do t’ua heqin maskat anëtarëve të partive politike, të cilët do ta rrisin dozën e akuzave e kundërakuzave, ndërsa hajnia, korrupsioni, kolaboracionizmi, nepotizmi e shantazhi do të jenë fjalët me të përdorura në vokabularin elektoral.

Gjatë ditëve të kaluara është vërejtur një fushatë shumë e ashpër ndërmjet liderëve politikë, të cilët kanë qenë të pakompromis ndaj rivalëve, për të cilët vetëm me nënë nuk i kanë sharë.

Kjo natyrisht se do të jetë edhe më keq gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, ndërsa bashkë me akuzat do të pasurohet edhe “Pallati i ëndrrave qeverisëse”, ku liderët e partive politike do t’i premtojnë popullit fukara, hapjen e qindra-mijëra vendeve të punës, miliarda euro investime në bujqësi, ekonomi e infrastrukturë, ndërsa papunësinë do ta ulin nga 40 në 10 për qind, kurse pagat do të jenë të përafërta me shtetet evropiane, Slloveninë, Austrinë e Francën, nga 1000 euro.

KKVITI

Është për të ardhur keq se ky lidership po e përdor si armën më të fuqishme demagogjinë për t’i fituar zgjedhjet. Ndoshta e kanë gjetur infrastrukturën gati, se populli po i ha rrenat si “Rrusta qebapët”, prandaj premto çfarë të duash se edhe ashtu po shiten.

Të gjithë e dinë, se 200 mijë kosovarë nuk mund të punësohen brenda 4 viteve të ardhshme, e as hekurudha të ndërtohet nëpër Anamoravë, për 4 vjet. Madje hekurudha jo për 4 vjet, por as për 40 vjetët e ardhshëm nuk ka shenja se do të ndërtohet.

Ngrohja e shkollave me fara të kumbullave është një premtim tjetër fantastik që ka ardhur në parafushatë. Kurse nëse dita e mirë shihet në mëngjes, gjatë 10 ditëve të fushatës, premtimet do të shkojnë deri në atë masë, sa qumështi i lopëve në Kosovë më nuk do të shitet gjatë katër vjetëve të ardhshëm, sepse kosovarët do të pinë qumësht të bletëve, që përdoret për ilaç…

Në parafushatë, një premtim i zgjedhjeve të kaluara nuk është ricikluar, ai për liberalizimin e vizave. Të gjithë përfaqësuesit e partive politike ndoshta e kanë parë se ky premtim nuk shkon në pazar, sepse ky proces del përtej domenit elektoral, ndërsa afatet kohore për heqjen e vizave janë bërë si afatet për ndërtimin e rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës, për të cilin po shtyhen herë nga 2 e herë nga 3 muaj.

Në ditën e nisjes së fushatës, mesazhi për ata që presin të zgjidhen deputetë është se e thjeshta dhe realja gjithmonë është më e mirë se fantastikja dhe irracionalja. Premtoni për toke dhe realizoni ato që janë të mundshme.

Ndryshe e nisni me imazhin e fotomorganës, por përfundoni të përcëlluar në diellin e Zullulandit.