Fundamenti

Vetëm LDK-ja mund t’i hapë dyert e Berlinit

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Vjosa Osmani Sadriu – Në ditët e fundit vazhdimisht po marrim mesazhe të qarta nga Berlini zyrtar se Qeverisë së udhëhequr nga PDK-ja i janë të mbyllura dyert në Berlin. Dyert, sipas tyre, do të qëndrojnë të mbyllura edhe në BE, përderisa Kosova udhëhiqet nga një Qeveri që aktivitet kryesor e ka krimin e korrupsionin.

Michael Brand, deputet i Bundestagut nga partia e Angela Merkelit tha se PDK-ja e Hashim Thaçit refuzon ta luftojë krimin dhe korrupsionin, prandaj i ka dyert të mbyllura për në Evropë. “Pozicioni gjerman është shumë i qartë: kush simbolizon korrupsionin dhe krimin, për të rruga për në Evropë nuk është e hapur. Kush mbështet korrupsionin, ai nuk mund të llogarisë në mbështetjen tonë”, tha ndër të tjera Brand, duke shtuar se qeverisja nga njerëz të tillë është përvojë e dhimbshme prej vitesh për popullin e Kosovës. Vlerësime të tilla për Qeverinë në largim, të cilës i kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë në pushtet, dhanë edhe shumë zyrtarë të tjerë politikë në Gjermani, duke e konfirmuar se Thaçi dhe njerëzit e tij nuk kanë çka kërkojnë në Berlin.

Politika e tillë e udhëhequr nga Qeveria në largim ka shkatërruar imazhin ndërkombëtar të Kosovës, duke bërë hapa prapa dhe duke zhvleftësuar shumë të arritura në nivel ndërkombëtar. Për vite të tëra, një politikë e jashtme e besueshme e ndërtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka arritur që të krijojë miq anekënd botës, të cilët e kanë përkrahur luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Për tërë ato vite, asnjëherë këta miq nuk kanë folur për Kosovën si vend ku lulëzon krimi e korrupsioni dhe si vend ku është pikërisht Qeveria ajo që i avancon dhe i mbron këto dukuri negative. Me ardhjen në pushtet më 8 qershor, LDK synon të riparojë marrëdhëniet e dëmtuara me shtete tjera dhe përsëri të rikthejë atë imazh të mirë të Kosovës, duke u dëshmuar si partner i besueshëm para miqve tanë ndërkombëtarë.

Fundamenti

LDK beson fort se forcimi i shtetit të Kosovës në dimensionin e brendshëm do të reflektojë edhe në dimensionin e jashtëm të saj. Në fakt, vetëm një shtet i fortë për brenda mund të jetë i suksesshëm në arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin në mekanizma ndërkombëtarë, si dhe pjesëmarrjen në iniciativa rajonale shumëpalëshe. Vetëm një shtet që është i suksesshëm në luftim e korrupsionit dhe krimit mund të fuqizojë edhe subjektivitetin e vet ndërkombëtar. LDK po ashtu beson se thithja e investimeve të huaja direkte, si pjesë e diplomacisë ekonomike, është e mundshme vetëm në një vend ku zbatimi dhe sundimi i ligjit nuk është vetëm frazë që tingëllon mirë, por veprim konkret dhe e arritur konkrete. Prandaj, angazhimi i LDK-së synon pikërisht që nëpërmjet programit të saj për sundim të ligjit ta bëjë Kosovën vend të besueshëm për investime ndërkombëtare, pra një vend me imazh të sigurt që ka potencial të shkëlqyeshëm për investime.

Një imazh i tillë ndërkombëtar, pra imazhi i një vendi me dinjitet, i një shteti që nuk është pronë e disa personave të zhytur në korrupsion, mund të arrihet vetëm e vetëm me LDK në krye të vendit, dhe me LDK-në si udhëheqëse e politikës së jashtme. Vetëm LDK-ja mund t’i hapë dyert e Berlinit dhe të vendeve të tjera në Evropë. Prandaj, më 8 qershor, qytetarët duhet të deklarohen sikur në referendum gjithëpopullor, për një Qeveri e cila përsëri do t’ia rikthejë Kosovës fytyrën e një vendi paqedashës e miqësor, dyert e të cilit nuk janë të mbyllura në qendrat vendimmarrëse evropiane.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kandidate për deputete për zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)