Fundamenti

Mustafa: LDK do ta shfuqizojë Rezolutën 1244

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka theksuar të martën gjatë një tryeze për rend, siguri dhe politikë të jashtme, se qeveria të cilën ai do ta drejtojë pas 8 qershorit, do ta çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin, do ta forcojë shtetin ligjor dhe do t’i hapë rrugën integrimit euro-atlantik.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati i saj për kryeministër ka theksuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe luftimi i dukurive negative është parakusht për hapjen e perspektivës integruese të shtetit.

“LDK, në programin qeverisës ka objektiva të qarta për forcimin e shtetit, sigurimin e pavarësisë së pushteteve dhe ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe të pandikuara nga politika. Me reformat që do të ndërmarrim, do të arrijmë që brenda vitit të parë të mandatit, do të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, është shprehur i bindur se qeverisja e LDK-së, në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës, do të arrijë ta shfuqizojë Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe t’i hapë rrugën rrumbullakësimit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit të tij në institucionet rajonale e ndërkombëtare.

FIDANISHTJA

Dialogun me Serbinë, Mustafa ka thënë se qeveria e re do ta kornizojë në kohë, duke vendosur edhe parimet prijëse për ruajtjen e karakterit unitar, një zone të vetme doganore, legjislative, gjyqësore e kushtetuese.

Mustafa ka theksuar se qeverisja e LDK-së, prioritet do t’i kushtojë bashkëpunimit me Shqipërinë, përmes një politike të koordinuar për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike.

“Kosova po përjeton telashe nga krimi e korrupsioni. Ka interferim të madh të politikës në gjyqësor. Vetëm EULEX është marrë me njerëzit në pushtet. Nga institucionet e drejtësisë të ndikuara nga qeveria në largim, janë burgosur, me dosje të sajuara, vetëm njerëzit e opozitës. Këto institucione janë trajtuar nga qeveria në largim si instrument në shërbim të oligarkisë së tyre dhe të bizneseve të tyre”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, mjafton të analizohet vetëm hyrja e mallrave pa doganë nga veriu. /Telegrafi/