Kurti: Burgu i ri në Llap do të shndërrohet në seli të qeveritarëve
Me ardhjen në pushtet, VV-së do të bëjë që kriminelët të frikësohen nga policia. Në rast se ne bëhemi të guximshëm, ata bëhen frikacak sa s’ka, tha Albin Kurti teksa kujtoi një thënie popullore, se në gjah “pushka duhet mbushur për ujk.
Lëvizja Vetëvendosje! do t’i zmbraps kriminelet dhe do t’i shpie në burg, ndërsa burgu i ri që po ndërtohen në Dyz të Llapit do të shndërrohet në seli të qeveritarëve të vendit. Kështu ka thënë lideri i VV-së, Albin Kurti, në prezantimin e kandidatëve për deputet të këtij subjekti në Prizren.
Para të pranishmëve, të cilët qëndronin nën tenda, në një mot të nxehtë, në oborrin e Qendrës evropiane në Prizren, Kurti ndër tjera tha se duke qenë shpesh nëpër rrugë, asnjëherë nuk ka parë që policia të ketë ndalur ndonjë “xhip” , por vetëm vetura të lira dhe kjo dëshmon se polica po frikësohet nga kriminelët, në vend se të ndodhte e kundërta.
“Me ardhjen në pushtet, VV-së do të bëjë që kriminelët të frikësohen nga policia. Në rast se ne bëhemi të guximshëm, ata bëhen frikacak sa s’ka”, tha Kurti teksa kujtoi një thënie popullore, se në gjah “pushka duhet mbushur për ujk”.
Në shpalosjen e programit për shëndetësi të këtij subjekti, Kurti tha se VV parasheh që në rast të sëmundjes së qytetarit, ai në asnjë mënyrë nuk duhet të mendoj se sa është thellësia e xhepit të tij, për të paguar shpenzimet, por vetëm se në çfarë shkalle ka arritur sëmundja.
Duke premtuar kredi të volitshme dhe afatgjata për bizneset lideri i VV-së tha se me këtë subjekt do të marrin fund edhe fajdet dhe fajdexhinjtë me letra, siç i vlerësoi ai bankat komerciale në vend.
Vetëvendosje” prezantoi edhe kandidatët për deputet nga Prizreni: Mytaher Haskukën, Artan Abrashin, Levent Kasemin, Nora Arapi-Krasniqin dhe Valizake Thaçi- Celina.


