Dosja e KFOR-it, PDK t’i pastrojë listat
Shefi i opozitës kosovare dhe pretendenti për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar mjaft brengosës situatën që po zhvillohet me të ashtuquajturin “Grupi i Drenicës”, ndërsa ka kërkuar që të hiqen nga lista e deputetëve të gjithë ata kandidatë që janë përmendur në dosjen e KFOR-it.
“Pavarësisht shkallës së fajësisë së tyre, emra të tillë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë të Kuvendit të Kosovës, flet se ne akoma nuk e kemi qartësuar se çfarë duam të bëjmë me drejtësinë”, ka thënë Mustafa.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një debati të lirë me përfaqësues të medieve. Mustafa ka folur edhe për koalicionet pas zgjedhore, për pensionet, liberalizimin e vizave si dhe për çështjet që lidhen direkt me zhvillimin dhe integrimin e vendit. Ndërsa, arratisjen e Sami Lushtakut me shokë e ka cilësuar mjaft brengosëse për Kosovën.
“Është mjaft brengosëse rasti, që lidhet me një pjesë të “Grupit të Drenicës”. Ne kemi bërë vërejtje edhe më parë, se nuk është mirë që institucionet e Kosovës të krijojnë një situatë, që njerëzit ta vuajnë dënimin nëpër spitale, por që kushtet e tyre shëndetësore t’u ofrohen aty ku e mbajnë dënimin dhe mos të kemi situata të tilla paradoksale, ku tashmë nuk dihet a po bëjnë negociata apo ku janë të burgosurit”, ka thënë Mustafa.
Për LDK-në, “Grupi i Drenicës”, sipas Mustafës, nuk është fajtor, përderisa gjyqi dhe sistemi juridik nuk i shpall fajtor.
Mirëpo, ai ka thënë se duhet të vihet rregull, që të dihet së pari ku janë njerëzit dhe institucionet, të cilat e kanë përgjegjësinë për këtë dhe ta marrin përgjegjësinë në rend të parë. “Kjo është shumë preokupuese edhe për neve edhe për mua si lider i LDK-së, por edhe si qytetar i Kosovës. Shpresoj se, organet duhet të japin më shpejt përgjigjeje para opinionit edhe Policia edhe Organet Korrektuese por edhe EULEX-i se çfarë po ndodh edhe si do ta përmbyllin këtë rast”, ka thënë Mustafa.
Se a duhet të transferohet “Grupi i Drenicës” në veri të Mitrovicës, kur dihet se ai burg menaxhohet nga serbët, Mustafa ka thënë se deklaratat e qeverisë janë që ka sovranitet në të gjithë Kosovën, pa përjashtuar këtu edhe veriun e Mitrovicës. Lideri i LDK-së ka thënë se nëse vërtet ka rrezik në veri, atëherë ata nuk duhet të transferohen atje.
Po ashtu, kreu i LDK-së, Isa Mustafa e ka quajtur padrejtësi të madhe mos zbulimin e vrasjeve të pasluftës ndaj veprimtarëve të partisë që ai drejton. Ai është shprehur i brengosur që emrat, të cilët përmenden në dosjen sekrete të KFOR-it lidhur me vrasjet, ndodhën në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Ajo që mua më brengos është se në listën e deputetëve, që është propozuar nga PDK-ja, ka njerëz të cilët përfolën se kanë qenë në një formë apo tjetrën, pjesë e një organizimi nga i cili kanë pësuar shumë veprimtarë të LDK-së.
Pavarësisht, shkallës së fajësisë së tyre, emra të tillë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë të Kuvendit të Kosovës, flet se ne akoma nuk e kemi qartësuar se çfarë duam të bëjmë me drejtësinë”, ka theksuar ai.
Lideri i LDK-së thotë se ndihet shumë keq kur në përvjetorët e veprimtarëve të LDK-së, familjarët presin përgjigje se çfarë kanë bërë organet e drejtësisë për zbulimin e vrasësve, ndërsa akoma mbetet e pazbuluar. Ndërsa, rreth problemit të pazgjidhur në veri të vendit, Mustafa ka thënë se problemi atje do ta zgjidhet me programe ekonomike dhe dialog./zeri/


