Fundamenti

Hata e Fata

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Milaim Shefkiu – Shkoi Fetahu, erdhi Sallahu. Shkoi Hata, erdhi Fata. Kështu janë bërë partitë politike të Kosovës gjatë ditëve të fundit.

Transferimet, si në futboll, janë shndërruar në armë të fuqishme e garës zgjedhore, sidomos gjahu ndaj pjesëtarëve të shoqërisë civile, por edhe ndaj atyre politikanëve që kanë mbetur nëpër korridore, pa e gjetur derën e duhur për t’u futur brenda.

Shpërndarja e librezave partiake, ka disa muaj që ka filluar nga liderët partiakë, ndërsa ditëve të fundit kjo është intensifikuar, duke çuar për çdo ditë në parti “prurje të reja”. Këto “prurje”, në shumë raste u përkasin politikanëve me përvojë (si çiftët e divorcuar), që lënë një parti dhe i bashkohen një tjetre, si përforcim në lojën e futbollit. E largojnë një politikan të padëgjueshëm dhe e marrin një tjetër nga partia rivale, që konsiderohet i dëgjueshëm por edhe më mirë, eventualisht të ketë edhe pare.

Dhe për çudi secili qytetar ambicioz që po i bashkohet një partie politike e ka të njëjtin justifikim që s’e beson as vetë: hyn në politikë “që t’u shërbejë qytetarëve dhe interesave të popullit”.

Është e qartë se partitë politike janë grupe interesash, prandaj edhe këto transferime që po ndodhin për çdo ditë, po bëhen për interesa personale, por edhe të grupit të caktuar politik ku po aderojnë. Në këtë mishmash partiak, nuk duhet t’u zihet kusur politikanëve që janë konsumuar edhe ashtu gjatë 15 vjetëve të kaluar, sepse ata janë bërë si “gratë e lëshume”, ku të gjejnë shtrat.

Ndërsa, këta pjesëtarët e shoqërisë civile, të cilëve gjatë gjithë viteve të fundit u dilnin sytë “duq” duke i sharë liderët partiakë e institucionalë, tash u shpërfytyruan se gjithë këtë e kishin pasur demagogji. Me një karrem që ua kanë qitur liderët partiakë, menjëherë kanë rënë në të, si peshku i pishinave që kërcen pas karkalecave.

Fundamenti

Ta zëmë që këta ish-përfaqësues të shoqërisë civile apo mediave, që tashmë kanë veshur uniformat politike, bëhen deputetë ose ministra, atëherë a duhet t’u besohet atyre nëse bëhen deputetë ose edhe e drejtojnë ndonjë dikaster në qeverinë e ardhshme.

Nëse dita e mirë shihen në mëngjes, atëherë këta pjesëtarë e kanë shpërlarë veten, madje me ujë “zemzemi”.

Kjo është vetëm një pjesë e kësaj shfaqjeje teatrale që duket si marketing elektoral, sepse realisht këto prurje të reja, në një realitet si Kosova, ku shumica e elektoratit voton për liderin dhe jo për kandidatët, nuk çojnë shumë peshë. Prandaj shumica e këtyre që kanë aderuar në politikë, apo kanë shkuar si përforcime partiake, mund t’i mbështesin shpresat te lideri që ua ka gjuajtur karremin, sepse elektorati tashmë është i determinuar se për cilën parti dhe cilin lider do të votojë.

Është vërtetuar se ndryshimet në sistemet qeveritare ndërrohen me revolucion, ndërsa kultura e popujve shkon duke u avancuar në mënyrë evolutive. Edhe në këtë rast, popullit të Kosovës i duhet edhe disa vjet që të vetëdijesohet për të votuar kandidatin dhe jo liderin. Mirëpo kjo nuk është ajo kohë e qytetari të mendojë racionalisht dhe të votojë atë që dëshiron, prandaj “prurjet e reja”, përveç marketingut medial, nuk do të çojnë peshë në përcaktimin e trungut elektoral.
Të paktën, kështu ka qenë nga viti 2001 e duket se do të vazhdojë edhe më tej.

Hata e Fata mund ta bëjnë më interesant garën zgjedhore, por jo të ndryshojnë diçka. Ndryshimet në qeverisjen e ardhshme mund të ndodhin vetëm për shkak të dështimit të partisë në pushtet dhe, natyrisht, përçarjes së brendshme, ndryshe “prurjet e reja” janë “shpresa të vjetra”.