Vrasja e paralajmëruar e Milovan Rakiqit si casus belli
Nga Sadri Ramabaja – Serbia është duke aplikuar forma të luftës speciale ndaj Kosovës dhe kombit tonë. Vrasja e paralajmëruar e Milovan Rakiqit dhe një dyzine civilësh serb në veri, duket se do të shërbente si casus belli për Beogradin.
Serbia tashmë është duke aplikuar forma të luftës speciale të njohura ndaj Kosovës dhe në përgjithësi kombit tonë. Ajo po përgatit agresionin e ri. Ushtria serbe po përgatitet për t’ u hedhur në veprime të hapura ushtarake kundër Republikës sonë.
Në përputhje me agjendën ruse, ky plan mund të kufizohet edhe vetëm në veriun e Kosovës. Hë për hë, mjafton kaq.
Pika e dobët e krahut jugor të NATO-s, ku mund të kryej provën e parë Putini për ta çarë e shkërmoçur Aleancën Verioatlantike dhe shtrirë influencën në këtë pjesë të Evropës Juglidore, duket se po shestohet të jetë veriu i Kosovës.
Ky krah i Shqipërisë sonë të shtrenjtë, disi ngjashëm si në epokën e Skenderbeut, duket se po shënon rikthimin e gjeopolitikës në Ballkan dhe me këtë fillimin e rishikimit të hartës politike. Në sprovën e ekzistencës së saj po vihet edhe BE, nëse Brukseli tutje vazhdon të heshtë ose ta trajtojë Serbinë kështu si po e trajton.
Pala serbe po kërkon alibinë për të famshmin casus belli (shkakun e luftës). Vrasja e paralajmëruar e Milovan Rakiqit dhe një dyzine civilësh serb në veri, duket se do të shërbente si casus belli për Beogradin.
Kërcënimi i presidentit palaqo serb Tomislav Nikolić, tek paralajmron Prishtinën se “Serbia do të dërgojë ushtrinë në Kosovë nëse atje vriten serbët” !
“Ne nuk duam luftë, vazhdon ai me retorikën e tij të njohur, por bazuar në kushtetutë jemi të shtrënguar të mbrojmë teritoret tona dhe qytetarët tanë. Çfardo tendence e re, do të përfundoj tepër keq. Për këtë le të mendojnë mirë si shqiptarët, por edhe sponzorët e tyre” – ka përfunduar kërcnimin e tij vojvoda serb.
Në këtë rrethana reagimet kuturu të tipit se “e dimë që Serbia po i armatos serbët në veri” (Thaçi për DW, 25.01.2007), çojnë ujë pikërisht në mullirin serb. Ato sikur bëjnë gati terrenin për një lloj anarkie gjithëpërfshirëse, të ngjashme me ato të vitit 2004.
Në interes të kujt është reprizimi i anarkisë së vitit 2004 në pranverën e 2017-tës?
Kush realisht po e kërcënon Goran Rakiq-in, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë?
A ka Rakiqi dyshime serioze se nda tij dhe ca qytetarëve serb në veri të Mitrovicës, po përgatitet ripërsëritja e skenarit të kafenesë “PANDA”, që kishte ndodhur më 14 dhjetor 1998 në Pejë ?
Nëse janë të vërteta, e duket se po, kërcënimet në adresë të Goran Rakiqit, atëherë, mund të thuhet se, lufta speciale e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës po merr përmasa të reja.
Opinioni tashmë e din se rasti PANDA në Pejën e vitit 1998 ishte vepër e shërbimeve serbe të inteligjencies. Këtë tashmë e kanë pohuar edhe institucionet serbe dhe personalitete të Serbisë.
Infiltrimi i shtetit serb në raste të kësaj natyre, që mund të jetë pjesë e agjendës ruse për Ballkanin si zonë nevralgjike dhe me interes të gjithanshëm, duket se ka filluar ta tmerrojë me arsye Rakiqin dhe një pjesë të popullsisë civile atje. Madje në këtë plan do të duhej të interpretoheshin edhe deklaratat e Beogradit lidhur me alibin që kërkojnë për intervenim ushtarak.
Shih për këtë, Rakiqi dhe sidomos qytetarët serb lojal ndaj Republikës së Kosovës, me të drejtë ndjehen më të sigurtë kur kanë mbrojtjen e Policisë së Kosovës.
Ata do të ndjehen edhe më të sigurtë në të ardhmen e afërt, kur Republika jonë do të udhëhiqet nga një klasë e përgjegjshme politike, që paqen dhe prosperitetin politik, si parakusht për pajtim real, nuk e ka vetëm pjesë të propagandës, por element qenësor të filozofisë politike.


