Fundamenti

“Rrjeti…” për një strategji bashkëpunimi me institucionet kosovare

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Përfaqësues biznesesh, njëherësh anëtarë të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, janë takuar të shtunën në Altbüron të Lucernit për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të fuqizimit të lidhjeve ndërmjet diasporës kosovare dhe Kosovës, e në veçanti krijimit të marrëdhënieve më të mira ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe Diasporë – Zvicër.

Kryetar i këtij asociacioni ekonomik në diasporë është biznesmeni i njohur në Zvicër, Femi Fetahu.

Shefi i firmës së njohur “FEAXID” ka përshëndetur të pranishmit, sidomos ambasadorin e Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu dhe kryeshefin ekzekutiv të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxhën, të cilët ishin ftuar në takimin e rregullt me anëtarësinë e gjerë të afaristëve shqiptarë në Zvicër.

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i ardhur enkas në takim, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër është partner i padiskutueshëm ekonomik i Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se tashmë Rrjeti është edhe pjesë e Odës Ekonomike të Kosovës.

“Kosova po kalon nëpër shumë sfida, por tashmë ka ardhur koha që më shumë të punohet se të flitet, është koha që bashkërisht të bartim transferin e teknologjisë, diturisë dhe eksperiencën tuaj në Kosovë”, ka thënë Safet Gerxhaliu.

Edhe ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të qenë të hapur me bizneset shqiptare në diasporë.

“Ne të gjithë bashkë mund ta kthejmë prosperitetin në Shqipëri e në Kosovë, ashtu siç keni krijuar një shtet që ka rregulla dhe disiplinë, por ka dhe konkurrencë të fortë. Fakti që ju keni mbijetuar dhe keni arritur të bëni biznesin është shumë domethënës”, tha diplomati nga Shqipëria.

Sejdi Hoxha, shef i Postës së Kosovës, ka ofruar mbështetjen e institucionit të cilin e udhëheq për të gjitha lehtësitë që kanë nevojë bizneset në diasporë.

Më pas para mysafirëve nga Prishtina dhe anëtarësisë së gjerë të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare ka elaboruar detyrat dhe objektivat e këtij asociacioni ekonomik nënkryetari i parë i “Rrjetit…”, Naser Mustafa.

ARKATANA

Sipas Naser Mustafës, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër mëton të vendosë bazat e bashkëpunimit nëpëmjet bizneseve në Kosovë dhe diasporë, të krijojë mundësi për investime të përbashkëta në Kosovë si dhe të bashkëpunojë me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të sektorit privat në Kosovë.

Mustafa tha se po kërkojnë një strategji të mirëfilltë të bashkëpunimit me Ministrinë e Diasporës, Odën Ekonomike të Kosovës, të përkrahur nga ministritë e tjera, siç janë Ministria e Financave dhe Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë.

“Komunat duhet të ndajnë lokacione pa ndonjë ngarkesë të madhe fiskale. Të marrim si shembull modalitetet e vendeve në rajon e më gjerë për transferimin e njohurive dhe përvojës nga jashtë si dhe shfrytëzimin e diasporës për zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

“500 pronarë të bizneseve në shtatë rajone të Kosovës, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, janë krijuar nga investimet e diasporës”, ka theksuar Mustafa, duke ftuar bizneset e diasporës që të vazhdojnë të investojnë në Kosovë.

Ndërsa nënkryetarja tjetër, Lirije Veselaj dhe sekretari i “Rrjetit…”, Skender Thaqi, janë ndalur në rekapitulimin e punëve të realizuara deri më tash drejt konsolidimit të “Rrjetit…” si në aspektin e strukturimit dhe përgatitjes së portalit të këtij asociacioni ekonomik.

Më pas përfaqësues të firmës “HOXHA” kanë prezentuar projektin e tyre ndërtimor para afaristëve të diasporës që, sipas tyre, ka cilësi me standarde evropiane në Prishtinë. Të pranishmit u kanë shtruar pyetje të shumta mysafirëve nga Prishtina, sidomos për barrierat që po gjejnë në vendin e tyre për të investuar.

Afaristi Nebi Maloku ka folur për një rast konkret të një investitori zviceran që ishte penguar në Zatriq të Rahovecit për të investuar në energji me erë.

Sipas Malokut, institucionet e vendit po zvarrisin procedurat me vite, e që po e bllokojnë këtë kompani, e cila është e interesuar të investojë në Kosovë.

albinfo.ch