Komiteti për Komunitete në Viti diskuton sigurinë në komunikacion dhe çështjen e mëditjeve
Viti – Komiteti për Komunitete në Komunën e Vitisë ka mbajtur mbledhjen e nëntë të rregullt, gjatë së cilës janë diskutuar çështje që lidhen me sigurinë në komunikacion, veçanërisht në hapësirat pranë shkollave, si dhe funksionimin e këtij organi komunal.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët shqyrtuan dhe miratuan procesverbalin nga mbledhja e tetë e rregullt e Komitetit për Komunitete.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte sinjalistika rrugore në territorin e Komunës së Vitisë, me theks të veçantë në zonat përreth institucioneve shkollore. Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje u diskutua rëndësia e sinjalizimit të duhur rrugor dhe e masave që kontribuojnë në rritjen e sigurisë së nxënësve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Në këtë mbledhje u trajtua edhe çështja e mospagesës së mëditjeve për anëtarët e Komitetit për Komunitete, të cilët nuk janë anëtarë të Kuvendit Komunal. Diskutimi u përqendrua në këtë çështje në kuadër të funksionimit të komitetit dhe pjesëmarrjes së anëtarëve në punën e tij.
Në fund të mbledhjes, nën pikën, të ndryshme, u trajtuan edhe çështje të tjera që ndërlidhen me veprimtarinë dhe përgjegjësitë e Komitetit për Komunitete në Komunën e Vitisë.
Komiteti për Komunitete është një nga mekanizmat komunalë për trajtimin e çështjeve që lidhen me komunitetet dhe përfaqësimin e interesave të tyre në nivel lokal./rajonipress/

