UBT

Për udhëheqje (re)publike, pa menaxher privat(izues)

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Albin Kurti – Kosova nuk është shtet i dobët pse është shtet i ri, por për shkak të modelit të mbrapshtë ekonomik e social, politik e qeverisës.

Demokracia duhet të jetë nga poshtë-lart, ndërkaq rishpërndarja nga lart-poshtë. Me qeverinë që e ka kapur shtetin dhe me tatimin maksimal në Kosovë prej 10%, në Kosovë e kemi saktësisht të kundërtën e kësaj.

Pra, demokracia është prej lart-poshtë që do të thotë se nuk është demokraci por diktaturë, ndërsa shpërndarja e të ardhurave është nga poshtë-lart që do të thotë se nuk është rishpërndarje por koncentrim që i bën të pasurit më të pasur kurse të varfrit edhe më të varfër.

Kryetarët e partive politike kryesore në Kosovë, vazhdojnë ta shohin shtetin e Kosovës si një kompani publike ku duan të bëhen kryemenaxherë për t’i punësuar aty familjarët e militantët e tyre drejt privatizimit të kompanisë, mundësisht nëpërmjet management buyout, pra përmes shitjes së aseteve ku vetë (krye)menaxheri është blerësi.

Ndërkohë, partitë e tyre kryesore në të cilat kryetarët janë pronarët, në këto vitet e pasluftës, kanë qenë e vijojnë të jenë si kompani private që aplikojnë për tender me ç’rast zgjedhjet konsiderohen porsi oferta për buxhetin e Kosovës.

Pas disa keqpërdorimeve këta (krye)partiakë fitojnë karakterin e keqpërdoruesve. Nga akte shpërdoruese e përvetësuese kalojnë te sjelljet dhe natyra shpërdoruese e uzurpuese. Mandej, nuk munden të mos shpërdorojnë edhe më tej sepse nëse nuk shpërdorojnë iu duket që pësuan humbje, ngjashëm sikurse në biznes kur përfundon duke vajtuar shanset e humbura.

E provuam privatizimin në Kosovë. Nuk funksionoi. Psh. tash së fundmi, për shkak të mospërmbushjes së zotimeve, me mbi 38 milionë euro janë ndëshkuar ndërmarrjet e privatizuara me spin off special.

Orientimi te privatizimi kishte edhe tendencën për ta shfajësuar qeverinë qoftë për dashakeqësinë apo paaftësinë e saj. Thua se karakteri i ndërmarrjeve si i tillë i kishte fajet e jo qeveria dhe bëmat e saj me menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes.

Një qeveri e cila nuk arrin të menaxhojë një ndërmarrje publike pa korrupsion aq më pak do ta bëjë këtë duke e privatizuar atë ndërmarrje. Privatizimi i publikes vetëm sa e shumëfishon korrupsionin qeveritar.

KKVITI

Pasojat janë gjithsesi edhe socio-kulturore. Kur shkon qytetari i Kosovës në universitet a spital publik, e bën këtë privatisht, duke shkuar atje te profesori apo mjeku i caktuar më parë sesa tek institucioni. Shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, duhet të vendosin: a duan t’iu lënë fëmijëve para apo shtet?

Nga dhjetë kompanitë më të mëdha në botë, katër janë nën kontrollin direkt të shtetit: Sinopec, China National Petroleum Corporation, State Grid dhe Japan Post Holdings; pesë kompani janë lidere kombëtare të cilave shteti i tyre u jep përparësi: Royal Dutch Shell, Exxon Mobil, BP, Toyota dhe Chevron. Vetëm njëra kompani nga dhjetë kryesoret në botë është kompani e pastër private dhe e pavarur nga shteti: Wall Mart. Në ShBA, sektori publik në vitin 2012 përbënte 39% të Bruto Produktit Vendor ndërkaq, po atë vit, sektori publik në Zvicër u rrit për 10%.

Neoliberalizmi e përjashton shtetin nga ekonomia në emër të moskontrollimit të ekonomisë nga shteti. Në emër të parandalimit të kontrollit shtetëror në ekonomi, shteti nxirret jashtë prej ekonomisë.

Një ekstermizëm përdor ekstremin tjetër si justifikim për vete. Natyrisht, synimi është që të bëhet e padukshme mundësia tjetër: shteti pjesëmarrës në ekonomi, që nuk sodit si spektator dhe nuk dirigjon si centralizues, por bëhet faktor e akter.

Kosova duhet të dalë nga kriza me një aso dalje që asaj ia mundëson të mos bie shpejt e sërish në krizë. Prandaj, Kosova ka nevojë për udhëheqës, jo për (edhe më shumë) menaxherë.

Edhe menaxheri më i mirë s’është mjaftueshëm mirë për Kosovën në gjendjen në të cilën ndodhet ajo. Ndryshimi i vërtetë në Kosovë nuk e ka formën e menaxhimit më të mirë sepse ai do të ishte veçse minimizim i humbjeve në drejtimin e gabuar.

Drejtësia nga shteti dhe për qytetarët, zhvillimi ekonomik i bazuar në prodhimtari dhe politikat sociale për barazi shoqërore përbëjnë shtegun e duhur të republikës për qeverisje të mirë, përkatësisht udhën për udhëheqje.

Washington D.C
Albin Kurti