UBT

Koha për llogari

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – Këtë javë pagat e buxhetorëve do të paguhen me rritje. Por, a do t’i marrin paratë e premtuara edhe punëtorët e Fabrikës së Tubave të Ferizajt?

Kryeministri Hashim Thaçi do ta mbajë premtimin: Pagat e muajit prill të gjithë përfituesit nga buxheti do t’i marrin 25 për qind më të larta. Se kështu do të ndodhë, do të vërehet gjatë kësaj jave kur bëhen edhe pagesat. Kjo rrjedhë do të vazhdojë deri në momentin kur buxheti nuk hasë në vështirësi, qoftë për pagesa, apo edhe ligjore. Kjo nuk do të thotë se do të anulohet vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, por mund të ketë vonesa, shkurtime, heqje beneficionesh… Sado që duket se shpenzimet qeveritare po bëhen pa kontroll, përkatësisht se premtimet nuk bazohen në mundësitë reale për pagesë, megjithatë, sivjet nuk mund të paraqitet mungesa e parasë në buxhet. Në muajt e parë të këtij viti agjencionet për vjeljen e tatimeve dhe të taksave sollën mjaft para. Kështu ka gjasë të vazhdojë edhe tutje.

Mbetet e kontestueshme ana ligjore. Ligji për buxhetin i vitit 2014 nuk parasheh ndarje që mundësojnë rritjen e pagave 25 për qind, apo shprehur në shumë absolute për rreth 130 milionë euro më shumë. Që pagesat të kenë mbulesë ligjore, atëherë, kjo ndarje duhet të korrigjohet përmes rishikimit të buxhetit. Kjo nuk dihet se kur mund të ndodhë, sado që ligji thotë se kjo punë kryhet në fillim të gjysmës së dytë të vitit. Çështja do të komplikohet për shkak se Kuvendi i Kosovës po numëron ditët e fundit, prandaj ai nuk do të ketë kohë që edhe njëherë të merret me buxhetin e sivjetmë. I mbetet një kuvendi tjetër, i dalë nga zgjedhjet që pritet të mbahen. Edhe deputetët e ardhshëm, pa asnjë dyshim se do të pranojnë të përligjin vendimet që ka marrë qeveria e mëparshme, meqenëse ata do të fitojnë votat duke u premtuar votuesve paga e pensione më të larta, si edhe beneficione të tjera. Pra, në këtë pikë nuk do të dallojnë shumë partitë politike,dhe, cilado prej tyre që formon qeverinë e ardhshme trashëgon një grumbull vendimesh, të cilat do t’i pranojë, me mundësi që ndonjërin ta korrigjojë, varësisht nga rrethanat dhe fuqia për pagesë e buxhetit.

Java e ardhshme shënon edhe një moment që mund të jetë sfidues për këtë qeveri, si edhe të vërehet se sa i mban premtimet kryeministri Hashim Thaçi. Grevistëve, ish-punëtorë të Fabrikës së Tubave të Ferizajt u ishte premtuar se një pjesë e parave do t’iu paguhet një muaj pasi që këtë çështje ta ketë miratuar Kuvendi i Kosovës. Një muaj po bëhet, kurse 912 punëtorët përfitues nga ky vendim ende mbajnë shpresën se gjërat do të rrjedhin sipas marrëveshjes. E kuptueshme, ata as që duan të besojnë në diçka tjetër, meqenëse kanë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, pastaj premtimin dhe propozimin e kryeministrit dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës. Do të thotë, sa i përket letrave gjithçka është në rregull, madje kanë edhe më shumë se që iu duhen. Ta zëmë, nëse ekziston një vendim i Qeverisë së Kosovës, me këtë nuk ka pasur ose të merren deputetët, meqenëse ai nuk bën pagesa.

UBT

Por, këta punëtorë janë të shqetësuar për disa arsye. Ata u tërhoqën nga greva që kishin filluar afër ndërtesës së ekzekutivit të vendit, të bindur se shpagesa tashmë është vetëm çështje teknike. Por, deri më tani nuk ka asnjë lëvizje, madje as që përmendet borxhi prej afër 30 milionë eurosh, sa është kompensimi për pagat që kanë humbur këta punëtorë që nga vitit 1990. Agjencia Kosovare e Privatizimit, ndonëse jofunksionale për shkak të bordit gjysmak dhe mungesës së menaxhmentit, është deklaruar se nuk ka mundësi ligjore të merret me këtë punë. Sipas saj, punëtorët do të marrin vetëm 20 për qind të parasë nga shitja e fabrikës, kurse për problemet e tjera duhet t’i drejtohen Odës së Veçantë, e cila në procesin e likuidimit punëtorët do t’i trajtojë si kreditues. Përgjigje e përsëritur me vite. Pra, ajo as që merret me shkresat e qeverisë, e as me vendimet e rezolutat e Kuvendit të Kosovës.

Ka rrezik që problemi i ish- punëtorëve që shpresojnë se secili prej tyre do të marrë 30-40 mijë euro, sërish të kthehet në pikën zero. Jo në aspektin juridik, por në atë praktit. Buxheti i shtetit, por as AKP-ja nuk kanë mbulesë ligjore për të shlyer këtë faturë. Kërkohen ndërhyrje të thella në ligje, që problemi të jetë më i qartë. Ta zëmë, që kjo shumë të kthehet në borxh publik dhe punëtorët të marrin bono thesari me afat të caktuar të maturimit.

Për rrethanat e tashme krejt këto duken zgjidhej utopike. Ndërkaq, e mundshme është që ditëve në vijim punëtorëve t’iu “lagen buzët” me 20 përqindëshin, ndërsa për paratë e tjera duhet të presin ditë më të mira dhe një qeveri tjetër.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)