Mobi Casa

Thanks and stay here as friends

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Xhemal Ahmeti – Shqiptarët i duan shumë amerikanët, europerëndimorët sepse i shpëtuan. Edhe më shumë se veten. Meritueshëm. Tash ndoshta është koha që të fillojnë nga pak ta duan edhe veten.

Pa çoroditjen e Millosheviqit, pa këmbëngulësinë e amerikanëve dhe vendeve tjera perëndimore për t’i shpëtuar civilët nga gjenocidi, Kosova nuk do të ishte në këtë formë që është. Maksimalisht ajo do të ishte njësi me autonomi të brishtë brenda një shteti që i ka urryer gjithmonë banorët e saj.

Natyrisht se ka grupime, lëvizje, parti që zhvillimet historike duan t’i përvetësojnë si merita ekskluzive të tyre. Pa të drejtë. Jo se nuk kanë luftuar e punuar, por se angazhimi i tyre nuk ka mjaftuar asnjëherë. Ose ka ndikuar (UÇK) që tjerët të kuptojnë se ishte fundi i bashkëjetesës serbo-shqiptare. Kështu thonë faktet. Asnjëherë në histori kontributi i shqiptarëve nuk ka mjaftuar që ata ta imponojnë lirinë, formën e jetës së tyre politike apo kombëtare ashtu siç donin e ëndërronin.

Gjithçka çka kanë sot është rezultat i lëmoshës, tolerancës, mëshirës së të tjerëve. Kjo dëshmon paralelisht jo vetëm se ata se nuk kanë ditur të bëhen ekspansionistë, por se nuk kanë pasur madje as zotësinë e sigurimit të lirisë së tyre. Ky është realiteti historik. Realiteti sot mos është më optimist?

II.
Sot dy shtetet shqiptare nuk janë më të këqija se tjerat përreth. Madje në segmente të ndryshme që janë në dorë të civilitetit shoqëria kosovare ka ecur shumë më para se disa fqinjë. Qeveria e Kosovës dhe shumica e qytetarëve u besojnë më shumë miqve të stacionuar aty se sa vetes. Nganjëherë kjo sjellje rezulton jo aq e mençme, mirëpo shqiptarët për nga natyra – pavarësisht vetëmallkimit në modë – nuk mund të jenë bukëpërmbysës. Më hiç ndaj amerikanëve dhe vendeve të tjera që aq me ngulm u angazhuan për t’i shpëtuar nga deplacimi kolektiv dhe vrasjet edhe më masive.

Debati rreth “Tribunalit” mirëpo shkaktoi një tërmet të këtij relacioni miqësie. Edhe ithtarët më të flaktë të gjykimit të të korruptuarve janë ambivalent. Ata duan t’u hiqen nga politika të korruptuarit, mirëpo krijimin e gjykatës – edhe atëherë kur nuk e pranojnë – e përjetojnë si padrejtësi të rëndë. Si shuplakë fytyrës. Rreshtimi i amerikanëve, britanikëve, gjermanëve në taborin e atyre që me çdo kusht e qëmoti sajojnë tribunalizimin e luftës së kosovarëve zhgënjeu në masë.

ARKATANA

Prapëseprapë ky çrregullim relacional duket të jetë i mbijetueshëm. Pikërisht sepse premton të ndikojë në ngufatjen e deridikushme të korrupsionit dhe anomalive tjera. Për këtë arsye shumica e kosovarëve në heshtje e me zë u luten zotërave të tyre që mos ikë EULEX e sidomos më i lënë në baltë amerikanët, sepse duket të jenë të bindur se vetë ende nuk kanë mbledhur veten sa duhet për ta bërë shtetin ashtu siç e dëshirojnë.

III.
Gjersa “Afera” rreth Tribunalit nuk arriti t’i armiqësojë shqiptarët me amerikanët – disa ende shohin ëndrra në atë drejtim – dhe miqtë tjerë zgjedhjet parlamentare që pasojnë duket sikur të jenë më të përshtatshme për thyerjen. Jo nga frika se do të përsëritet delegimi i nominimeve nëpërmjet sms-ave, por për shkak të një sjelljeje antagonike të instancave ndërkombëtare në “asistim” të demokracisë kosovare. Burgosen primatë politikë disa herë për t’u liruar të pafajshëm, por të defaktorizuar politikisht. Jo se kjo nuk duhet të ndodhë, por kur kjo praktikë bëhet serike është enigmatike.

Nuk janë të paktë ata që këtë formë “asistimi” e marrin si favor të klasës në pushtet. Përjashtimi i njërës nga partitë më të mëdha të vendit nga konsultimet ndërmjet ndërkombëtarëve dhe partive të vendit nuk perceptohet si aversion apo konflikt ndërpersonal por më shumë si mohim i së drejtës në pjesëmarrje demokratike të elektoratit të saj. Vetëm arsyetimi korridoreve diplomatike se vetëm parti të caktuara janë garancë që mos dështojnë marrëveshjet e shumta serbo-shqiptare e Kosovë-botë janë të pamjaftueshme. Nuk e justifikojnë përjashtimin e fragmenteve të faktorshme të shoqërisë arsyetimet në kurriz të demokracisë. Demokraci nuk mund të bazohet vetëm në personel të (pa)përshtatshëm për interesa eksterne, por para së gjithash ajo duhet ta dëshmojë veten brenda.

Kosova asnjëherë nuk do ta mësojë demokracinë dhe shtetin juridik me një asistencë që vetë bëhet shembull i përjashtimit dhe eliminimit pa dëshmuar asnjëherë atë që pretendon.

Shqiptarët i duan shumë amerikanët, europerëndimorët sepse i shpëtuan. Edhe më shumë se veten. Meritueshëm. Tash ndoshta është koha që të fillojnë nga pak ta duan edhe veten. Të bëhen më dinjitozë në rrugën e tyre dhe mos të lejojnë eksperimentime që nuk kanë më të bëjnë me miqësinë e me demokracinë dhe lirinë edhe më pak, por me eksperimente për të cilat ata më së paku kanë njohuri.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)