Mobi Casa

Poezia si këngë e dashurisë për vendin dhe të ardhmen e Kosovës

/ 29 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Faik Shkodra – Sabit Rrustemi, “Murale shpirti”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2013. Vëllim me nëntekst të mendimeve filozofike e shtresa fjalësh stilistikore.

Hyrje

Kur lexon vëllimin “Murale shpirti” të Sabit Rrustemit menjëherë të vijnë përpara vlerësimet, mendimet e gjykimet e studiuesve të mëdhenj të artit të fjalës – pikërisht të poezisë, të cilët pas sa e sa vjetësh studimesh në esetë e veprat kritike e estetike kanë zbuluar idetë, frymëzimet, nxitjet dhe individualitetet e krijuesve.

Natyrisht, në mendimet e tyre për artin letrar e për veprat artistike lexuesi do të ndeshë edhe vlerësime që janë në shpërputhje me atë që poetët kanë dëshiruar, të themi kushtimisht, të paraqesin, pra, do të hasë në pasaktësi të shpërfaqjes së mendimeve e shpalosjes së botës shpirtërore të poetëve e shkrimtarëve mbi atë që paraqesin dhe mënyrën si i paraqesin.

Mirëpo, duhet të themi të vërtetën se studiuesit që kanë përgatitje, dije dhe kulturë akademike në vlerësimet e gjykimet e dhëna për veprat e krijuesve gjithmonë nisen nga pozitat e sinqerta për të kapur e për të zbuluar anët e reja të mendimit, të shprehjes dhe të pikëpamjeve të krijuesit për të vërtetat artistike, për vlimet mbi ngjarjet brenda tyre.

Konstatimet e tilla na i kujtojnë mendimet e shumicës së studiuesve se “poetët janë të ndryshëm në prirjet letrare, në formimin kulturor e filozofik, janë të ndjeshëm ndaj mjedisit dhe ngjarjeve që zhvillohen brenda shoqërisë dhe janë të ndryshëm në psikologjinë kombëtare dhe në përvojën e krijuar për ta transponuar jetën dhe fatin e kombit në artin e universit artistik”.

Vargje me tipologji të vizionit poetik refleksiv

Sabit Rrustemi, nëpërmjet njëqind poezive, të shënuara nga numri një deri në njëqind, pa tituj e pa cikle – ka trajtuar dukuri dhe aspekte që lidhen me ngjarjet që i lind jeta dhe realiteti historiko–shoqëror. Nga përjetimet e këtyre manifestimeve të ngjarjeve janë shkruar vargjet e vëllimit të sipërthënë.

Brenda vargjeve poeti ka prekur dhe ka rrokur në analizë motive interesante, përmbajtja e të cilave të shkakton mbresa e përjetime të thella. Këto motive në mënyrën e trajtimit të ngacmojnë për shkak se në brendinë e tyre frymon, jo vetëm frymëzimi spontan, por ato përshkohen me thellësi mendimesh që sjellin drithërim brenda shpirtit e zemrës. Themi kështu për faktin se poeti, çështjet që i përshkruan i përjeton shpirtërisht dhe emocionalisht. Rolin e poezisë e kundron në afirmimin e vlerave më të çmueshme, që lidhen me qëndresën e lashtësinë atdhetare të popullit shqiptar. Përfytyrimet e kohëve të moçme frymojnë me lashtësinë atdhetare të dardanëve dhe ilirëve dhe tërë këtë histori e përvijon me metafora, simbole e aluzione.

Me trajtat bisedore e kuvenduese, të realizuara përmes shfrytëzimit të filozofisë së pasur të popullit, të ruajtura e të endëzuara nëpër llojet e krijimtarisë gojore – Sabiti krijon vargje të bukura dhe përmes një ligjërimi të natyrshëm sajon komunikim të qartë, duke krijuar përmes imagjinatës e të menduarit krijues poezi që karakterizohen me shprehje lakonike e trajta të shkurtra të mendimit popullor, siç janë fjalët e urta, frazeologjitë, shprehjet e rralla dhe mendimet e moçme të kultivuara nëpër shekuj tek populli shqiptar, e të cilat në përgjithësi vargjeve u japin kolorit emocional e refleksiv.

Brenda syzheve të poezive është bërë gërshetimi i motiveve, që të shumtën e herës vijnë nga përjetimet e poetit, që në përgjithësi përkojnë me botën shpirtërore të njerëzve dhe ngjarjet që i sheh dhe i ndien brenda ndjenjës shpirtërore. Kjo gjendje e lidhur ngushtë me poezinë e poetit e forcon edhe më shumë vlerësimin se “të përjetosh me emocion situatat e të tjerëve, ku ma gjen! Por edhe të japim me art dhe emocion ato që kemi ndier vetë, por që nuk janë të veçanta vetëm për njërin apo tjetrin njeri, nuk është pak” (Nëntori, Tiranë, 1987, nr. 1, f. 55).

Në punën krijuese artistike poetët, sipas teorive letrare e librave estetikë bashkëkohorë, dallojnë: i tillë është Sabiti, i cili në këtë vëllim vjen me një përvojë e kulturë dijeje më të madhe në kapjen e problemeve më të mprehta, të cilat manifestohen në realitetin jetësor e shoqëror.

Këto probleme i nyjëton përmes tipit të poezisë refleksive. Në strukturën e vargut inkuadron sistemin figurativ shumë të pasur, i cili poezitë i shndërron në një vizion poetik që “rrjedh nga zhvillimi i botës së poetit të pasuruar me përshtypje të gjalla dhe larmi gjendjesh emocionale, qëndrimesh e vlerësimesh ideore. Këto forma dalin të gërshetuara dhe atëherë kemi të bëjmë me një poezi meditative – përshkruese, ku ngjarja hyn në një strukturë konceptesh poetike, me episode, fakte e detaje që ndihmojnë për të zhvilluar mendimin dhe nuk qëndrojnë doemos në themel të kompozicionit“ (Dalan Shapllo, Poezia nëpër kohë, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f. 87).

Nga poezia e parë e deri tek ajo e fundit, poeti rrok në pasqyrim ngjarje aktuale, duke filluar nga raportet jo të dëshirueshme dhe të nevojshme midis njerëzve – që Sabiti i cilëson si të dëmshme, dhe si të tilla shprehin mosmirënjohje, që, mjerisht, në shekullin e kaluar dhe në këtë që kemi hyrë janë shndërruar në piramidë.

Duke lexuar “Murale shpirti” kuptojmë se poeti bën fjalë për dashurinë – jo atë dashurinë midis dy të rinjve, siç mund të kuptohet në zhargonin popullor, por dashurinë midis njerëzve e brezave. Kjo dashuri duhet të jetë para së gjithash e dëshmuar me humanizmin, me njerëzoren, me të bukurën, me të sinqertën, me ndërgjegjen, me sakrificën, me ndjenjën e filantropisë, të bamirësisë, me dashurinë më të nxehtë për atdhetarët e mendjes, të penës dhe të pushkës, për një dashuri që rrënjos fuqishëm ndjesinë e unitetit kombëtar, për një dashuri që sjell dritë për vendin e popullin, për një dashuri çfarë e këndoi Naimi në “Bagëti e bujqësia” dhe në vargjet “Fjalët e qiririt”. Pra, të ushqehemi – siç thotë një poet – prej dashurisë e jo prej mërisë, konservatorizmit, primitivizmit dhe fanatizmit të trashëguar.

Mbi këto postulate e dëshira duhen parë poezitë e vëllimit “Murale shpirti”, ashtu siç e kishte menduar Hegeli poezinë, se “Poezia duhet ta mishërojë qenien konkrete që ka karakter kombëtar”. Përdorimi i figurave poetike – sidomos i simboleve, metaforave dhe aluzioneve – krijon unin e simbolit, që në kuptimin figurativ mban vulën e poetit.
Një vlerësim i tillë na e kujton konstatimin e thënë për Vinçenc Prenushin: “Poeti i përket kësaj kategorie (fjala është për poetët që i kënduan ndjeshëm e me pasion temës patriotike), ku në mbretërinë e atdhedashurisë përputhen ata njerëz patriotë, që kanë sakrifikuar gjithçka për lirinë, për simbolin e shenjtë që kanë pasur luftëtarët e lirisë. Gjithashtu, ideatorët e Rilindjes Kombëtare, që mendjen e penën e tyre i vunë në shërbim të njohjes së identitetit të shqiptarëve, si kombi më i lashtë i Ballkanit” (Fatime Kulli, Retinë, Medaur, Tiranë, 2006, f. 72 – 73).

Gjatë leximit të poezive lexuesi i vëmendshëm, lexuesi që leximin e vargut nuk e bën akt fizik por meditativ, e kupton fuqinë e ndjenjës dhe burimin prej nga vjen, e kupton artin që shpalos ndjeshëm grimcat e shpirtit të një artisti i cili përmes çdo vargu që morfologjinë e ka në përsiatjet e ngjarjeve, që për analogji dhe paralelizma i ngjan poezisë së poetëve të talentuar, poetëve që me vargjet e veta arrijnë që lexuesit t’i shëtisin në sferën e reales dhe imagjinares, shpreh preokupimet për kombin dhe atdheun!

“Poezia, kjo muzë mosmirënjohëse” (Xhon Milton), Sabitin nuk e lëshon lehtë

Dhe, në mënyrë asociative, m’u kujtuan vlerësimet e një studiuesi bërë për një vëllim të një poeteje, për të cilën thotë: “Tek libri befasues i Elona Dushaj të lë mbresë fakti se ajo përpiqet t’u shmanget rrugëve të rrahura, të shkëputet nga kori dhe të këndojë me zërin e saj. Ajo lufton që të dalë ”prej unit” dhe të arrijë tek ne, që i themi: “Mirë se vjen”!

Vëllimi “Murale shpirti” është i lidhur ngushtë me idealet që mbrujnë pikëpamjet e poetit për zhvillim më dinamik shoqëror, që shoqëria me pjekurinë e vet di ta çmojë lirinë dhe drejtësinë.

Sabiti kultivon një poezi që mbi të gjitha në përmbajtjen e vet ruan artin e së vërtetës jetësore, artin e realitetit objektiv dhe si e tillë ushqen e ngjall ideale e shpresa të realizueshme drejt qëllimeve e synimeve të larta për jetë, zhvillim më të shpejtë të popullit në të gjitha drejtimet. Në poezi vërejmë prirjen dhe qëllimin ideoestetik të poetit në afirmimin e vlerave që lidhen me ndërgjegjen, me edukatën dhe me formimin e drejtë e të shëndoshë të njeriut.

Figuracioni i dhënë përmes figurave të mendimit në poezi shkon drejt kapjes sa më të gjerë të problemeve e dukurive të kohës të shoqërisë shqiptare, sidomos aktualizimin e rrënjëve të atdhedashurisë – pra të identitetit kombëtar.

Në vargje objekt trajtimi bëhen njerëzit, ngjarjet, problemet dhe dukuritë e shumta, me të cilat ballafaqohemi çdo ditë. Poeti mban qëndrim aktiv gjatë shfaqjes së gjykimit për ngjarjet e tilla. Ai pohon se të thënat nga pakujdesia e njeriut i mbulon pluhuri, ndërsa të pathënat na trazojnë. Duke e kuptuar në thellësi mendësinë e artit – poeti në mënyrë të çiltër, në letrën që i shkruan mikut, pohon se veprat mbeten si vlera, që flasin mbi jetëshkrimin e secilit. Për të mbetur pjesë e ndritur në historinë kombëtare, secili njeri duhet ta dijë se rrënja kryesore e tij mbetet identiteti. Këto pikëpamje që mbron poezia e Sabitit ta kujtojnë thënien e poetit të madh gjerman Gëte: “Poeti duhet ta dojë atdheun edhe si njeri, edhe si qytetar”.

Pra, nga subjektet e poezive shohim seriozitetin e poetit për të krijuar marrëdhënie intime në relacionin poet–lexues dhe me këto marrëdhënie krijon vlera të njëmendta ideoestetike. Poezia e tillë shpalos zërin e vetëdijes duke e bërë atë poet të përmasave të mëdha, që vërtet mund të matet me poetët më të mirë të poezisë shqipe. Këto tipare e vlera të poezisë së Sabitit e bëjnë aktuale thënien e Leopardit, i cili thotë: “Poema lirike mund të konsiderohet si maja e poezisë dhe poezia vetë maja e ligjërimit njerëzor”.

Në vëllimin “Murale shpirti” vëmë re kërkime të reja të riprodhimit të realitetit të kohës dhe poetit i shkojnë për shtat temat që vijnë jo vetëm nga një zhvillim dhe evolucion shpirtëror në shkallë kombëtare, por njëkohësisht përmes dhënies së shpirtit të popullit, siç do të thoshte Tomas Mani, “ai bëhet misionar i vërtetë në luftimin e dobësive dhe të këqijave që pengojnë zhvillimin shoqëror e kulturor të kombit”.

Në ndriçimin e proceseve të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe pas dëbimit të pushtuesit serb nga kjo tokë e shenjtë – Sabit Rrustemi me metafora, krahasime, simbole, me përsëritje fjalësh, me përdorim të toponimeve (Gomurja për Preshevë, Guri i Nezajve, Ostrovica, Qarri i Moçëm), shpreh një mllef për të nesërmen, sepse “nuk po shohim më as origjinën”. Këtë fatkeqësi, ashtu siç e vlerëson poeti, po e shkakton “ngulfatja me llafe e llafe e llafe”, pa lëvizur nga demagogjia që na është bërë filozofi e praktikë e jetës, filozofi që dëmton ecjen e kombit drejt sukseseve e rezultateve të shënuara në zhvillimin e përparimin e kësaj Kosove, aq shumë të sunduar nga pushtues të të birit e dreqit të mallkuar!

Në disa poezi të vëllimit autori na vë në dijeni se e keqja e kësaj kohe lidhet me faktin se tek individi papërsosmëria morale, profesionale, intelektuale ka arritur kulmin. Pikërisht kjo papërsosmëri dhe ky nivel i mjerueshëm i papjekurisë së njerëzve, që sot gjenden në institucionet tona udhëheqëse, prej nivelit lokal e deri të ato qendrore, na i bën edhe më të fuqishme fjalët e Nolit, thënë për anarkinë e tretë: “Anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma e ngjyra, dita me ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha” (Fan Noli, Të pesë anarkitë në plagët tona, Dija, Prishtinë, 2000, f. 134). Gati si Noli për njerëzit që i zënë pozitat pa merita e pa farë cilësish shprehej edhe Volteri, kur thoshte se “Bota është plot me njerëz, për të cilët nuk ia vlen të thuash asnjë fjalë”.

Me vargje të goditura, vargje që janë të liruara nga rekuizitat e panevojshme, autori sjell mesazhe me kuptime filozofike dhe me popullin e për popullin dhe me të sotmen e të ardhmen. Kur kihen parasysh këto ideale të poetit dhe problemet që i trajton në poezi – lexuesi kupton vlerat shumëdimensionale të vëllimit në shqyrtim.

Trajtimi filozofik (në vargje) i problemeve të kohës

Pasqyrimi i jetës në vëllim sjell sa kënaqësi estetike aq dije të gjera mbi rrjedhat e ngjarjeve, të cilat poeti dëshiron t’i përudhë në rrugë të cilët në mënyrën më të drejtë do të përfaqësonin një kohë të përparuar. Ky përparim është i mundshëm vetëm atëherë kur edhe poetët depërtojnë thellë e më thellë në hallet e problemet e popullit dhe bëjnë përpjekje që me fuqinë e fjalës poetike ta ndihmojnë të ardhmen e tij.

Natyrisht, Sabit Rrustemi, me vëllimin poetik dhe me tërë krijimtarinë e pasur artistike të botuar deri tani, është dëshmuar si poet lirik, me prirje e zotësi për t’i kapur në trajtim problemet e kohës, të cilat i trajton në mënyrë filozofike.

Uji Dea

Duke i marrë parasysh këto të dhëna, Dalan Shapllo me të drejtë konstaton se: Poezia në Kosovë nga pikëpamja e brendisë ideo-emocionale dhe e mënyrave të të shkruarit, është më shpesh një poezi e mendimit, e përjetimeve të ngjeshura dhe të mprehura përmes figurave të pasura dhe të befasishme. Ajo është poezi e forcës së brendshme, e dhimbjes, e meditimit; poezi e dinjitetit njerëzor dhe e krenarisë kombëtare; shkruhet në mënyra të larmishme, po më shumë prirjet drejt sintezës, drejt ngjeshjes së faktit me mendimin. Jeta, detaji dhe fakti kanë frymëzuar mendimin dhe në krijim ato i nënshtrohen këtij mendimi”.

Kur lexojmë vargjet “Hiqe veten nga puthadorët në ia do të mirën vetes dhe mikut” – lë të kuptosh se poeti në qendër të vëmendjes ka njeriun, i cili nuk duhet të jetë servil, nuk duhet të jetë vegël, nuk duhet të bëhet pjesë e lojës së pushtetarëve, të cilët më shumë e duan kolltukun se interesin e popullit, të mikut, të vërtetën dhe njerëzoren. Këto të dhëna, të hidhura, por të vërteta, na e sjellin Konicën përpara me thëniet që edhe sot e gjithë ditën nuk i luan topi: “Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, atëherë mund pa shpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:

U ngjall nga idealistët
U ruajt nga rastet
U vra nga politikanët
(Faik Konica ( 6. 12. 1924)

Edhe Kosova është në hall me politikanë që këtë popull e mbajnë me fjalime retorike dhe me përralla të një patriotizmi të qullët. Vargjet e Sabitit sjellin të vërteta. Këto të vërteta autori i nyjëton me qëllim të forcimit të karakterit e të ndërgjegjes edhe të njeriut të thjeshtë, të cilin jemi mësuar të mos e çmojmë dhe të mos e përkrahim me asnjë veprim tonin. Këto objektiva poeti i jetëson brenda vargjeve përmes meditimit të drejtpërdrejtë, mendimit të thënë me nerv dhe me ngjyrë emocionale. Si mund ta themi më mirë e më shtruar për njerëzit e tëhuajsuar, snobistët, dinakët, mendjemëdhenjtë, keqpërdoruesit, gënjeshtarët, mosmirënjohësit, servilët dhe shumëftyryët sesa që këto i thotë Sabiti në vargun: “Ta ruajmë njeriun që po zhduket brenda nesh”.

Gati është bërë si praktikë dhe si rregull që më shumë t’i duam, t’i vlerësojmë, t’i çmojmë dhe t’i respektojmë njerëzit më larg nesh, më larg harkut familjar, njerëzit përtej fshatit, qytetit dhe ambientit tonë, sesa njerëzit me të cilët kemi ndarë dhe ndajmë të mirën e të keqën. Kjo është një e vërtetë që po na përsëritet në praktikën tonë jetësore e shoqërore. Prandaj, me të drejtë tërheq vërejtjen poeti kur shkruan:

Sa afër e kemi veten e nuk e shohim
larg shumë larg e kërkojmë tjetrin
që as e njohim
dhe kryet e vendit ia lëshojmë
e as derën e shtëpisë nuk ia dimë kah e ka!

Në këto vargje ndërlidhen fijet e mendimeve të qëlluara, që vijnë nga të vërtetat e pamohuara jetësore, që për t’i trajtuar kërkojnë zotësi e talent për të hyrë në kodin poetik të Sabiti. Në këtë kontekst, me të drejtë është thënë se të ruash autoritetin që gëzon s’është punë e lehtë. Po autoriteti mund të lidhet edhe me punën krijuese të një poeti, i cili vazhdimisht hulumton motive e tema të kohës duke u shndërruar kështu në gjahtar të kërkimeve të vlerave sa më të larta ideoestetike me të cilat objektivisht arrin t’i shtojë lexuesit e poezisë së tij.

Sabiti në vargje bën grishje që ta duam atë që e kemi afër dhe këtë dashuri e vë në themel të së vërtetës, të jetës dhe të së ardhmes. Mbi këto aspekte e vlera poeti si të thuash e sheh realizmin e ideve, ëndrrave, shestimeve dhe këto pohime, si disa lirikë të tjerë, i lidh me fatin e popullit, me vendlindjen, me Kosovën dhe me gjeografinë e plotë të Shqipërisë etnike. Në saje të këtyre aspiratave shkruan vargjet:

Majë malit janë frone të vetmisë
Kot i lakmoni
edhe perënditë i braktisën!

Këto vargje sugjerojnë se duhet të mësohemi e të formohemi si qytetarë me kulturë e edukatë që gjithmonë ta duam e ta përkrahim atë që e kemi afër dhe jo të largëtin, sepse e largëta jo rrallë bëhet e paprekshme – mbetet një fron i vetmisë!

Poezitë e vëllimit “Murale shpirti” para së gjithash janë në të njëjtën kohë mishërim e shembull se si duhet të këndohet për motive të kohës. Duke i pasur parasysh këto tipare, edhe lexuesi me kënaqësi do t’i lexojë, meqë poezitë i përshkon fryma e një cilësie të re të artit të fjalës dhe falë vlerave ideore ato tingëllojnë bukur dhe shprushin çështje e problem të kohës. Sabiti në këto vargje merr rolin e mësuesit, sepse lexuesit i këshillon që t’i ndjekin pararendësit për t’u çelur rrugë të reja pasardhësve.

Mendime refleksive, zbulimi i anëve poetike të jetës

Duke lexuar vëllimin “Murale shpirti” kuptojmë se poeti, për t’i përmbushur objektivat e planifikuara e të organizuara ashtu siç bën një metodist i mirë në mbajtjen e orës mësimore, harton poezi që trajtojnë fakte, të cilat lidhen me mendime refleksive. Në këtë mënyrë bëhet lidhja e kohëve: E djeshmja me të sotmen dhe e sotmja me të nesërmen.

Për te djeshmen Sabiti thekson se ishte e vërshuar me rrena. Të sotmen e bëjnë të mërzitshme analistët, të cilët, siç thotë poeti, e kanë humbur edhe fjalën “fund” dhe e kanë harruar pikën që duhet të vihet në fund të fjalisë. Për të nesërmen poeti me sens i ka gjetur vargjet: “Për nesër, gjithnjë për nesër i lëmë detyrat dhe mbi fatin tonë horrat lozin”. Çfarë ironie dhe fatkeqësie është kjo dhe pas sa e sa tragjedive që përjetoi ky popull gjatë historisë!
Çështja kryesore që meriton të vlerësohet me notë të lartë është se poeti gjithandej vëllimit ka bërë zbulimin e anëve poetike të jetës, të cilat janë të lidhura si kocka me mishin me vetë botën e poetit. Në disa vargje poeti shpreh njëfarë mllefi dhe dëshpërimi dhe këtë ia shkaktojnë “puthadorët e deridjeshëm/ që heshtazi u konvertuan në demokratë”. Për të qenë ironia me e hidhur po këta puthadorë kanë marrë rolin e këshilltarëve në vende që nuk i meritojnë. Poeti, i prekur nga këta “demokratë”, që i njohim dhe i dimë, këtyre pa farë hezitimi duhet t’ua çjerrim maskat dhe t’u tregojmë biografinë kush ishin, çka kanë bërë dhe kush janë sot, me qëllim që së paku brezat që po vijnë të mos na i helmojnë!” .

Këto dhe të tjera probleme janë ngritur në përmbajtjen e vëllimit “Murale shpirti”, probleme që flasin për kulturën dhe përvojën e autorit, i cili edhe me këto poezi ka treguar arritje në fushën e poezisë, ku meditimi zë vend kryesor dhe falë të menduarit meditativ janë dhënë disa analiza mbi botën e njeriut dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët.

Në këto poezi është bërë fjalë për virtytet e veset e njeriut, për vlerat morale e njerëzore, vlerat profesionale e atdhetare, për dashurinë midis njerëzve për të cilën Balazku do të shprehej se “dashuria nuk është vetëm ndjenjë, ajo është po ashtu edhe art”. Bëhet fjalë për vetëdijen dhe pavetëdijen e njeriut në dhënien apo mosdhënien e ndihmës në çështjet e rëndësishme për atdheun, lirinë e popullit, flitet mbi dashurinë e pastër që njeriu duhet ta dëshmojë për vendin, lirinë kombëtare, për të ardhmen e ndritur të popullit etj.

Ndoshta është vendi të shtojmë se Sabiti me shumë kujdes ka bërë përpjekje që përmes vargut poetik ta fshikullojë, ta dënojë dhe ta vrasë të keqën te njeriu, të cilën, u mor vesh, pa u hamendur duhet ta luftojmë dhe të jemi kundërshtarë të ashpër të saj. Lesingu thoshte se poezia “përmes së vërtetës dhe ekspresivitetit, duhet të hyjë në të gjitha skajet e jetës dhe të zbulojë dhembjen, padrejtësitë shoqërore, aq të thella dhe të përhapura në Gjermaninë e shtypur dhe të copëtuar të kohës së tij”. Mirëpo, duhet thënë se poezia e Sabit Rrustemit në mënyrë tërheqëse, të kapshme e të natyrshme bën pasqyrimin e njeriut bashkëkohor, njeriut të këtij nënqielli, veprës e jetës së tij. Herë-herë lirizmi i theksuar hyn brenda ngjarjes, motivit a temës të dhënë me njerëzoren, me fisniken, më intimen dhe më të madhërishmen.

Me këtë rast do të mbështesnim konstatimin e Dalan Shapllos, kur bën fjalë për poezinë e Xh. Spahiut, kur, ndër të tjera, thekson: “mënyra e të shkruarit e këtij poeti (kjo vlen edhe për Sabitin – F. Sh.) lidhet shpesh me zbulimin e një fakti, materiali jetësor, i cili në mjaft raste jep shkas për të kaluar në një simbol, në një figurë të hedhur me guxim”.

Sidoqoftë, Sabiti e ka të qartë se gjendja shpirtërore, morale, shqetësimet, neurozat tek njerëzit që jetën e bëjnë brenda shoqërisë nuk mund të zgjidhen me farë shkopi magjik. Ajo që e bën poezinë e autorit sublime e të fuqishme në aspektin ideor, estetik dhe emocional është përmbajtja e realizuar me mjete të pasura shprehëse, duke rrokur pikërisht problemet aktuale që janë bërë pengesë në zhvillimin e demokracisë dhe popullit përpara. Këtij konstatimi i jep shtytje përdorimi i një simboli, një metafore a personifikimi, i një aluzioni a krahasimi, me të cilat përçon te lexuesi ndjenja e dëshira të fuqishme njerëzore me të cilat në mënyrën më të mirë e lidhin me jetën. Me rëndësi janë mesazhet filozofike për jetën, shoqërinë dhe brezat e ardhshëm. Këtë ide më së miri e përligjin poezitë e vëllimit “Murale shpirti”, që në fakt e bëjnë më të fuqishëm mendimin e një personazhi të Jashar Qemalit, kur thotë: ”i kam bërë shpeshherë pyetje vetes, thotë Naxhelopulosi – se çfarë do t’u them fëmijëve të mi, e ja tani do të mund të pohoj: ‘Ju mund ta rindërtoni botën, e ardhmja është me ju. Rëndësi ka që të dëshironi’”.

Po këto qëllime i ngërthen poezia e Sabitit, i cili e ka të qartë se e ardhmja do të jetë më e mirë, sepse brezi i ri do të jetë ajo forca që do ta ndryshojë gjendjen ekzistuese. Këto pikëpamje dhe ideale të poetit përputhen plotësisht me thënien se “Ardhmëria është ideali i të gjithë atyre që aspirojnë për jetën, për më të bukurën, më të lartën, më njerëzoren. Të lidhura me këto aspirate, letërsia dhe arti synojnë gjithnjë rritjen, për të sjellë vlera të reja, arritje të reja, të cilat sintetizojnë afirmimin e të gjitha përpjekjeve njerëzore krijuese të mëparshme dhe perspektivën e zhvillimit real jetësor“ (Briseida Mema, Kritika dhe letërsia bashkëkohore, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1991, f. 101).

Përkimet e llojeve të folklorit në poezitë e vëllimit

Në vëllimin “Murale shpirti” poeti ka ditur të bëjë shfrytëzimin e vlerave shpirtërore të letërsisë gojore, të cilat me një mjeshtëri të rrallë ka arritur t’i asimilojë brenda subjekteve të poezive. Mbështetjen në krijimtarinë gojore poeti e ka bërë me njohje e aftësi të veçanta. Dihet se edhe poetët më të shquar të të gjitha drejtimeve dhe brezave të letërsisë – edhe të poezisë shqipe, kanë bërë prurje ndër më të ndryshmet nga trajtat e folklorit në poezinë shqipe, të cilën e kanë pasuruar me vlera të shumta poetike, estetike, njohëse dhe gjuhësore. Poetët, si të traditës ashtu edhe ata të letërsisë së sotme, kanë ditur të përfitojnë nga gurra e folklorit tonë shumë të pasur.

Në vëllimin e Sabit Rrustemit lidhja e poezive me folklorin duhet shikuar në shfrytëzimin e trajtave të mendimeve të dendura, siç janë fjalët e urta, frazeologjizmat, fjalët e rralla, e sidomos lidhja më e suksesshme midis dy formacioneve – letërsisë së shkruar dhe asaj popullore – që poeti e ka realizuar përmes përdorimit të mjeteve shprehëse, si: epitetet, krahasimet, antitezat, lutjet, urimet, mallkimet, përsëritjet etj. Për t’i konkretizuar mendimet e shprehura rreth këtyre lidhjeve po sjellim disa shembuj konkretë me fjalë të urta, me frazeologji, me shprehje e leksik të rrallë, të cilat poeti i ka bërë pjesë përbërëse të strukturës artistike të poezisë, si: Njeriu preket lehtë prej fjalëve, Ruaju mos prek ku s’duhet; Si duart; Krejt mirë jemi qysh jemi; Na iku treni duke i ngulur thumba njëri – tjetrit; Ninullë e kësaj bote u bë rrena; Oh sytë lëri të shohin përtej hundës; Se dera ua ka zënë bishtin: fjalë të rralla dhe kompozita: çaraveshtjet, vargesh, ndërzgojë, fjalëqershizat, puthadorët, bjerrakohës, flokëprerë, i deridjeshëm, xhepzbrazur, zemërhapur etj.

Në përgjithësi, në përdorimin e figuracionit të mjeteve stilistike me burim nga folklori poeti është treguar i kujdesshëm, i kursyer dhe do të thoshim i matur. Në syzhetë e poezive dhe përdorimin e epiteteve, krahasimeve, personifikimeve, hiperbolave, aluzioneve, metaforave dhe fjalëve të rralla vërejmë një gërshetim të natyrshëm e të vëmendshëm të poetit. Këto mjete stilistike në poezinë e Sabitit vijnë natyrshëm dhe si të tilla vargjeve u japin përmbajtje dhe vlera tërheqëse.

Duke i pasur parasysh këto të dhëna me arsye është thënë se bota figurative në llojet e krijimtarisë popullore është e gjerë dhe e shumëllojshme. Këtë pasuri vlerash poeti me afinitet e gjeturi ka arritur ta bëjë pjesë konstitutive të vargjeve duke u siguruar atyre vlera ideore dhe estetike në përgjithësi. Në vargjet e poezive gjejmë ngjarje që nga ana e poetit janë trajtuar rrjedhshëm e me origjinalitet poetik. Me fjalë të tjera, në poezi është bërë shkrirja e mbresave, vrojtimeve, fakteve, vizioneve, zhgënjimeve, urrejtjeve, gjykimeve dhe pikëpamjeve mbi realitetin jetësor, historik dhe të ardhmen e vendit.

Duke lexuar këtë vëllim lexuesit do t’i kujtohen mendimet e Shopenhauerit, filozofit të famshëm të të gjitha kohëve, mbi temën Çka jemi, për çka nxjerr këto përfundime: “Duhet pasur gjithnjë parasysh veprimi i kohës dhe ndryshueshmëria e gjerave, duke imagjinuar të kundërtën e asaj që ndodh, duke pasur parasysh në fat – fatkeqësinë, në miqësi – zënkën, në kohën e bukur – uraganin, në dashuri – urrejtjen, në besnikëri dhe në mirëbesim – tradhtinë dhe brejtjen e ndërgjegjes ose anasjelltas. Të ky veprim do të gjejmë një burim të përjetshëm mençurie dhe duke qenë të detyruar të sillemi me kujdes, vështirë se të ankohemi nga ndonjë zhgënjim. Në çdo çast, do t’i kemi paraprirë rrjedhës së kohës”.

S’ka dyshim se Sabit Rrustemi në thellësi e ka kuptuar misionin e krijuesit – poetit, i cili poezinë s’e konsideron vargëzim vargjesh, por transmetim idesh, aktualizim problemesh që lidhen me historinë, traditën, kombin, identitetin dhe vlerat e tjera të rëndësishme të njeriut, i cili duhet të jetë ndërtues vetëmohues i së ardhmes përherë e më të mirë.

Në fund e shohim të arsyeshme që, siç thotë Lorka, “në duart e mia unë kam zjarrin”, të theksojmë se edhe Sabiti me vargjet zjarr, me substancën poetike është bërë një zë origjinal në poezinë e sotme moderne shqipe, i cili vlerat e njeriut i ka lartësuar me fjalën flakë të poezisë.

Kur kihen parasysh këto vlera që bart vëllimi, atëherë theksojmë se dikush para meje ka konstatuar se “Letërsia e vërtetë fillon aty ku nis jeta e popullit tënd”! Këto të vërteta lexuesi i vëmendshëm do t’i gjejë në vëllimin “Murale shpirti” dhe tërë preokupimet mbi këto të vërteta paraqesin sintezën e ndjenjës dhe të imagjinatës së autorit.

Për këto arritje, nga zemra e përgëzojmë autorin duke i uruar suksese edhe më të mëdha në procesin e krijimtarisë artistike dhe me veprat e reja të shtrojë e të kapë problem që ndrydhin për perspektivën e popullit dhe në kapërcimin e tyre të nxisë ide e mendime që janë në shërbim të fatit të atdheut e të identitetit tonë kombëtar!./rajonipress/