KKVITI

Mohimi i së vërtetës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Shumë të vërteta u mbajtën fshehtë për vite me radhë për t’i lënë hapësirë fabrikimit të një pjese të historisë dhe për të ngritur në piedestal shumë njerëz që sot janë të përfshirë në politikë dhe një ditë flasin për luftën e tyre e të nesërmen mohojnë pjesëmarrin në të. Mirëpo të gjithë e dinin, pavarësisht deklaratave, se organizimi institucional i luftës çlirimtare në vitet e 90-ta nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës është një e vërtetë e pamohueshme për të cilën do të flitet e shkruhet.

Shkrimin e kësaj të vërtete në ligj, megjithatë, e parandaluan deputetë të PDK-së, AAK-së, e VV-së, të cilët votuan kundër amendamentit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që kishte paraparë njohjen e këtij organizimi institucional edhe nëpërmjet ligjit. Me këtë veprim të turpshëm, këto parti treguan se për interesa partiake janë në gjendje të mohojnë edhe sakrificën për liri të shumë luftëtarëve të cilët e kishin komandant suprem liderin historik të shqiptarëve të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova.

Dokumente që u publikuan pas një kohe e dëshmuan sërish ekzistimin e FARK-ut dhe marrëveshjen në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së që, si kompromis, lufta të zhvillohej nën një ombrellë dhe një emblemë. Intervista në emisionin Rubikon të KTV-së me z. Bicaj vetëm sa e konfirmoi këtë, i cili zbardhi detajet e këtij organizimi duke përsëritur që komandant suprem i forcave të armatosura ishte Presidenti Rugova. Nëpërmjet votimit kundër të amendamentit të LDK-së, këto tri parti (PDK, AAK dhe VV) mohuan ekzistimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që ishin themeluar me Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut dhe me Kushtetutën e Kaçanikut. Ata, me këtë veprim, mohuan edhe organizimin e paprecedent që kishin bërë institucionet e Republikës së Kosovës për të refuzuar një regjim gjenocidal si dhe sakrificën e popullit të Kosovës të cilët përkrahën masovikisht krijimin e këtyre institucioneve.

FIDANISHTJA

Shumë luftëtarë që luftuan për lirinë e Kosovës dhanë jetën në beteja të rëndësishme, sic ishte ajo e Koshares dhe e Loxhës, të organizuara nga FARK. Këto beteja, dhe thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, janë ndër momentet më të ndritshme të historisë moderne shqiptare. Mohimi i sakrificës së këtyre luftëtarëve të lirisë është akoma më i turpshëm kur ai bëhet nga disa që vetë kishin qenë pjesëmarrës në luftë. Por përkundër këtyre veprimeve, sakrifica e këtyre luftëtarëve kurrë nuk do të mohohet as injorohet nga qytetarët e Kosovës. Ata e dinë të vërtetën dhe kjo e vërtetë tashmë është pjesë e historisë, edhe pse, për momentin, jo pjesë e ligjit. Me ardhjen në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndryshojë këtë ligj në mënyrë që të njihet sakrifica e të gjithëve dhe të eliminohet diskriminimi që ka instaluar kjo qeveri dhe falsifikimi i historisë që ajo po tenton ta bëjë.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)