Dyvëshi synon urën e Ibrit
Nga Xhemal Ahmeti – Vetëvendosja ra në kurth: Prishtina rrezikon të bëhet gropa e saj përfundimtare. Ajo premton tokë e qiell, mirëpo pa matematikë racionale. Akuzon tjerët se pronësojnë arkat e shtetit e vetë premton po në emër të atij buxheti. Paradoks i qëllimshëm apo huti në mungesë të opsioneve.
U kthye lideri më në fund për të demonstruar se jo Shpend Ahmeti, por ai ende është zot shtëpie? Zgjedhjet e fundit ishin deprimuese. VV humbi edhe më keq se ç’dëshironin gjithë „armiqtë“ e saj bashkë. Fitorja e Prishtinës del të jetë gropë edhe më e keqe se sa zgjedhjet e fundit. Kurth që defaktorizon lëvizjen edhe më shumë: Shpend Ahmeti vazhdon ta kërkojë ujin, çerdhet, autobusët e tramvajët arkivave të lëna nga Isa Mustafa, në mos aty do ta gjej jo buxhetin por arsyetimin se pse asnjë premtim nuk e plotëson dot. Si asnjëra parti tjetër dyvëshi rrezikon të mebetet vetëm me fjalën e parë të logos.
PREMTIMET PARADOKSALE
Tirana nuk është më toposi centripetal i unitetit kombëtar. Dyvëshi ndërroi drejtim: jo teposhtë, djathtas hartës shqiptare, por përpjetë Prishtinës donë të ngjitet ajo për ta bashkuar kombin – atje, në Mitrovicë. Në këto zgjedhje është ura e Ibrit tempulli sakral që duhet pushtuar e lidhja me shtetin amë u reduktua në relacion reciprok material: VV siguroi se do të kujdeset që Shqipëria dhe Kosova të këmbejnë kastraveca dhe patate me valutë të njëjtë. Kështu tha Albin Kurti, shefi i «Vetëvendosjes» në mbledhjen e IV-të Këshillit të përgjithshëm të organizatës parti.
Aty ai premtoi edhe sende tjera të rëndësishme si arsim pa pagesë, ushqim falas nëpër shkolla, industri prodhuese, reformë agrare për të zëvendësuar importin, shëndetësi publike të garantuar, pensione trefisht më të larta. Po aty lideri i V-ve të kuqe akuzoi kryeministrin aktual të japë premtime sikur buxheti i shtetit të jetë pronë e tij (KD, online, 13.04).
Vetëvendosja premton se të bëj ndryshe nga ato se ç’premton kryeministri, i cili po ashtu premton atë çka premton Albin Kurti, mirëpo ky bën sikur buxheti i shtetit të ishte e tij, ndërsa VV nuk thotë se buxheti i shtetit është i saj por i mendon të njëjtat arka.
Paradoksi vërdallet sikur të kishte konsumuar dozë të dyfyshtë kokaine!
ANALIZA E PROGRAMIT
EKONOMIA – Sa vite, kohë dhe investime duhen për ta ngjallur bujqësinë deri në atë nivel sa për zëvendësuar importin me prodhimet e vendit qoftë edhe për ato; si vaji, kripa, bananet, pijet (jo)alkoolike, e të ngjashme? Sa miliardë i duhen ekonomisë dhe bizneseve kosovare vetëm për infrastrukturën dhe makinerinë që të nis prodhimin konform kërkesave të vendit? Kush janë investorët dhe cila është arsyeja e ardhjes së tyre në Kosovë? A mjafton buxheti shtetëror aktual për të modernizuar të gjitha spitalet e vendit? Ku do të marrë VV kapitalin për të ushqyer shkollarët, studentë? Nga cili buxhet do të sigurojë rritjen e pagave, pensioneve, përkujdesjes sociale më mirë se tani?
POLITIKA – Si mendon VV të krijojë një treg dhe një monedhë me Shqipërinë? Ka sinjale nga Shqipëria dhe Banka Botërore për të implementuar lekun si valutë në Kosovë? Për Euron – nuk pyet (ose pro forma) kush Tiranën e Prishtinën. Pse është e sigurt VV që kosovarët do të pranojnë të tregtojnë me lekun? Çka nënkupton organizata me treg të përbashkët? Plan 5 – vjeçar dhe vënie nën kontroll të lëvizjes së mallrave vetëm brenda hartës shqiptare? Apo ndërmarrjet e Tiranës nuk duhet të shesin vaj ulliri në Norvegji pa u marr vesh me Prishtinën? Si duket kjo punë konkretisht?
Garanton VV që po hyri në pushtet do të sabotonte çdo bashkëpunim me ndërkombëtarët rreth gjykatës speciale? Nëse po atëherë ka mundësi të izolohet vendi? Cilat janë alternativat aleancore të VV-së nëse përdhoset perëndimi dhe tërhiqet? Kina, Turqia, Rusia sigurisht jo, apo? Nëse perëndimi tërhiqet si do ta marrë urën e Ibrit? Me luftë, me ndërmjetësimin e kujt?
Këtyre pyetjeve duhet t’iu përgjigjet konkretisht Vetëvendosja gjatë fazës elektorale që vjen: Me shifra, strategji, projekte konkrete, investitorë konkretë, përndryshe do ta humbë edhe atë pikë besimi që ngarend nga lagja në lagje për ta zënë ujin që ta bëjë më në fund një dush!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


