UBT

Flet shqiptari: Pagat skandaloze të një fabrike prestigjioze

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Një punëtor shqiptar ka pranuar të intervistohet nga televizioni dhe të flasë për pagat që shpesh janë vetëm 3000 e madje edhe 2900 ose 2600 franga bruto!

Të jetosh dhe të mbash familje në Zvicër me 3000 franga (bruto) në muaj duke punuar e orar të plotë? E pamundur! Por paga edhe më të vogla se kaq, 2900 ose madje edhe 2600 franga bruto, u paguan punëtorëve të saj një kompani e madhe e zvicerane, për punën mujore me orar 100%.

Fjala është për fabrikën që prodhon pjesë të makinave për kafe “Eugster/Frismag” me selinë në Amriswil të kantonit Thurgau dhe me disa filiale tjera në regjion.

Magazina e televizionit publik zviceran “Kassensturz”, një emision javor që merret me të drejtat e konsumatorit, javën që shkoi e ka vendosur në fokus pikërisht këtë fabrikë. Realizuesit e këtij emisioni kanë alarmuar opinionin lidhur me pagat jashtëzakonisht të ulëta që paguan “Eugsree/Frismag, një fabrikë që gëzon një prestigj pasi që është jo vetëm njëri ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Zvicrën lindore por bën pjesë ndër prijëset në lëmin e vet, në gjithë botën.

Në këtë fabrikë që punëson rreth 2000 punëtorë, siç tregon “Kassensturz” të punësuarit pranojnë në heshtje kushtet që u ofrohen, ngase nuk kanë nga t`ia mbajnë…

Ndërkohë që ankesat dhe për paga të ulëta janë temë e përditshme në kuluare dhe në bisedat e përditshme, vetëm një shqiptar ka pranuar të intervistohet nga televizioni dhe të thotë të vërtetën për veten dhe kolegët e tij. As ai, natyrisht, nuk është paraqitur me emër por me fotografi dhe zë të ndryshuar. Ky kryefamiljar i ri thotë se ka ardhur për të punuar në Zvicër, si punëtor i pakualifikuar. Nga puna e tij mujore fiton 3100 franga bruto. Ai mban familje, por një jetë normale familjare me këtë pagë është e pamundur.

Mobi Casa

“Mungon gjithçka. Unë do të kisha dëshiruar që ndonjëherë me familjen të shkoj në Kopshtin Zoologjik ose thjesht në ndonjë restorant. Por, ne detyrohemi të rrimë në shtëpi pasi që na mungojnë paratë”, thotë ai.

Firma Eugster/Frismag prodhon makinat e kafesë sipas porosive të prodhuesve të mëdhenj e me emër si Jura, Miele, Nespresso, König etj. Qarkullimi vjetor i saj vlerësohet rreth 500 milionë franga. Themeluesi dhe pronari i firmës, Arthur Eugster konsiderohet si njëri ndër njerëzit më të pasur në Zvicër, me pasuri të vlerësuar në mes 200 dhe 300 milionë franga.

Por kjo nuk e pengon fabrikën që punëtorëve të saj, sidomos atyre të huaj dhe pa kualifikime, t`u paguajë rroga qesharake prej 2600 ose 2900 frangash, siç argumentohet me dëshmi pagash në emisionin “Kassensturz”. Konstatimin e emisionit e konfirmon edhe sindikata Unia e këtij regjioni. Drejtuesi i kësaj sindikate thotë se kjo firmë në të gjitha filialet e saj ofron paga që janë më të ulëtat në gjithë regjionin.

Në këtë fabrikë punojnë aq shumë shqiptarë sa që pothuaj secili nga komuniteti shqiptar i regjionit ka dikë të njohur të punësuar aty. Duke qenë shumica të huaj, shumë prej tyre shqiptarë, pa njohje të mjaftueshme të gjuhës dhe të të drejtave të tyre, ata detyrohen të kënaqen se megjithatë kanë një vend pune. Kështu u thotë gazetarëve të emisionit një aktivist në klubin kulturor shqiptar (Ekrem Coti), në Amriswil.

Të gjithë, edhe institucionet në këtë regjion e dinë se fabrika e përmendur paguan të ardhura minimale, por askush nuk ndërmerr asgjë. Komisioni tripartit (TPK) ku përfaqësohet edhe sindikata, ka për detyrë të merret me këtë problematikë. Por në kantonin Thurgau dhe St. Gallen nuk kanë reaguar deri më tash. Përgjegjësit nga Kantoni Thurgau duke iu referuar detyrimit të sekretit zyrtar, nuk pranojnë të thonë asgjë lidhur me këtë shkelje.

Ndërsa në kantonin St. Gallen thonë se tash po i kërkojnë dëshmitë e pagave nga Eugster/Frismag për të hetuar atë që po flitet për të ardhurat e ulëta. Për faktin se deri më tash nuk kanë ndërmarrë asgjë, në kanton mbulohen po ashtu me detyrimin për sekretin zyrtar. /albinfo.ch/