Diaspora po bëhet faktor vetëm para zgjedhjeve
Intervistë me kandidatin e RDK-së për deputet të diasporës në njësinë zgjedhore 7 për Evropë, Enver Osmani. Enver Osmani, emër i njohur në diasporë, por jo në politikë. Osmani është rritur dhe shkolluar në Zvicër. Nga fusha sociale, ku është fokusuar kohët e fundit, ka menduar edhe për politikë. Këtë herë në vendin e origjinës nga kishte migruar. Osmani që vjen nga Debreshi i Gostivarit ka kandiduar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni në njësinë zgjedhore 7 për Evropë.
Enver Osmani njihet edhe si kontribuues i madh në sportin shqiptar në diasporë, sidomos si menaxher në klubin e mirënjohur të diasporës FC Kosova. Ai në një intervistë për albinfo.ch thotë se ka ardhur koha që të sjellim ndryshime që lidhen me interesat e shqiptarëve jashtë vendit. Ai zotohet se do të jetë urë lidhëse e komunitetit shqiptar në diasporë me institucionet e vendit, por njëkohësisht edhe me institucionet e vendit pritës.
“Pozita ime si deputet do t‘u kishte ndihmuar jo vetëm qytetarëve jashtë vendit, po edhe sistemit të atjeshëm në thjeshtimin e procedurave burokratike, duke sjellë përvoja nga vendi ku jetojmë”, thotë në këtë intervistë Osmani. Ai thotë se më shumë flitet sesa është bërë për diasporën.
Albinfo.ch:Nuk jeni ndoshta krejt rastësisht i përfshirë në politikë. Pse vendosët të kandidoheni për deputet të diasporës?
Enver Osmani: Pos profesionit dhe nga ajo që kam studiuar e bërë deri tani këtu në Zvicër, gjithmonë kam qenë i konfrontuar me politikën lokale dhe kam ndjekur nga afër zhvillimet politike në vend dhe çdo herë kam menduar për angazhimin tim në politikë, si kontribut personal dhe përgjegjësi dhe obligim ndaj atdhetarëve të komunitetit shqiptar të Maqedonisë jashtë vendit.
Albinfo.ch: Pse pikërisht ju, çfarë oferte do të ofroni për mërgimtarët në Evropë?
Enver Osmani: Një prej argumenteve plus të kandidaturës sime është edhe angazhimi im jo vetëm për nevojat dhe kërkesat e mërgimtarëve karshi vendit të origjinës, në këtë rast Maqedonisë, por unë e shoh pozicionin tim si urë lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptar këtu me institucionet e vendit dhe anasjelltas. Mund të themi se është një prej përparësive që nuk e kanë rivalët e mi që garojnë në këto zgjedhje.
Albinfo.ch: Institucioni i deputetit të diasporës është përvojë e re në politikën e Maqedonisë. Në mandatin e kaluar a është bërë diçka në favor të mërgimtarëve të Maqedonisë?
Enver Osmani: Mund të them se jam i befasuar me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, ku 3 deputetë maqedonas sigurojnë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë në emër të diasporës që është shumica shqiptare. Në hulumtimin tim që kam bërë për punën e tyre nuk kam hasur ndonjë veprim konkret të tyre karshi diasporës shqiptare të Maqedonisë. Kur është pyetur në një intervistë deputeti maqedonas nga diaspora se a ka kontaktuar ndonjëherë mërgimtarët shqiptarë, përgjigjet kanë qenë të mjegulluara. Është shumë e qartë se çka është bërë deri më tani për mërgimtarët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë.
Albinfo.ch: Me fuqinë politike që keni në Maqedoni, si subjekt i vogël politik, si e keni menduar fitoren në diasporë ndërmjet dy partive të mëdha, BDI dhe VMRO?
Enver Osmani: Për mua është me rëndësi se ne gjithmonë në diasporë themi se jemi më ndryshe se ata në vendlindje. Pas integrimit në jetën e këtushme kemi marrë dhe vlerat e Evropës perëndimore. Ne duhet të dëshmojmë se jemi ndryshe. Edhe pse jam kandiduar nga RDK, unë e shoh vetën si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve në diasporë. Në këtë kuptim kisha lutur komunitetin të cilit i takoj që të mos fokusohet në kufijtë partiakë, por të analizojnë profilin e kandidatëve dhe të votojnë për atë për të cilin mendojnë se do t’i përfaqësojë më së miri interesat e tyre në institucionet e vendit. Lidhja e Diasporës Shqiptare në Maqedoni është distancuar nga kandidatët shqiptarë, ngase sipas tyre, vijnë nga partitë politike dhe nuk janë të legjitimuar për të përfaqësuar diasporën shqiptare të Maqedonisë.
Albinfo.ch: Në fakt, a keni legjitimitetin për të përfaqësuar diasporën shqiptare? Po shihet se megjithatë do të shkapërderdhet vota e shqiptarëve, ngase kemi dy kandidatë shqiptarë nga Evropa që luftojnë për një ulëse në Parlamentin e Maqedonisë. A nuk do të ishte mirë të unifikohet votat e shqiptarëve në diasporë?
Enver Osmani:Do të kishte qenë mirë që të ishte vetëm një kandidat i përbashkët shqiptar, por shtrohet pyetja, kush është i legjitimuar ta caktojë një të tillë. Kjo tregon se liderët tanë në Maqedoni nuk janë në gjendje për të gjetur një konsensus të përbashkët, në këtë mënyrë parashtrohet pyetja cili do të ishte institucioni që do të merrte një rol të këtillë. Këtë, për shembull, mund ta bënte Lidhja Shqiptare e Diasporës së Maqedonisë. Do të kisha propozuar ndoshta një debat mes kandidatëve, pse jo edhe me ata maqedonas, për të parë se kush është adekuat për të përfaqësuar interesat e diasporës në institucionet e vendit. Por, legjitimitetin do ta fitojmë pas zgjedhjeve nga votat e popullit. Mua këtë herë më ka nominuar subjekti politik nga Maqedonia, RDK.
Albinfo.ch: Çfarë ju lidh me zonën në diasporë ku garoni dhe a jeni në dijeni të problemeve të mërgimtarëve?
Enver Osmani:Nuk harrohen fotografitë nga pritjet nëpër kufij të mërgimtarëve që mezi presin të kthehen në shtëpitë e tyre nga kanë migruar. Pastaj, shumica e kurbetçarëve nuk kalojnë mirë gjatë rregullimit të dokumenteve të udhëtimit në Maqedoni. Presin nëpër sportele të stacioneve të policisë, ngase këtu nuk e kanë atë mundësi. Konsullatat e vendit nuk i kryejnë këto shërbime, duke filluar nga ato elementare të regjistrimit të fëmijëve. Ne do të angazhohemi t’i thjeshtojmë procedurat për mërgimtarët. Pozita ime si deputet do t‘u kishte ndihmuar jo vetëm qytetarëve, po edhe sistemit për thjeshtimin e procedurave burokratike, duke sjellë përvoja në vendin ku jetojmë.
Albinfo.ch: Por nuk janë ndoshta problem vetëm rregullimi i dokumenteve?
Enver Osmani: Saktë, është edhe çështja tjetër, edhe më e rëndësishme, ajo e edukimit të fëmijëve në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës. Fëmijët tanë që rriten këtu duhet të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, por kjo krejt bie në supet e familjarëve të tyre. Pse nuk e rregullon këtë çështje Qeveria e Maqedonisë që të merret edhe me mësimin e gjuhës amtare në diasporë. Deri tani nuk kam dëgjuar të kenë dërguar mësues në diasporë. Në aspektin kombëtar është një përparësi e madhe kur flasim për mësimin e shqipes në diasporë, sidomos në Zvicër. Këtu mësojnë bashkë fëmijët nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës etj. Por, nëse në klasat e mësimit plotësues janë vetëm 30 për qind nxënës shqiptarë nga Maqedonia, atëherë barra bie mbi vendin nga kanë migruar. Në atë drejtim duhet të zgjidhim çështjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Albinfo.ch: Nëse zgjidheni deputet, por nëse nuk e keni mbështetjen e partive të mëdha, si do të dëgjohet zëri juaj në Parlament?
Enver Osmani: Unë mendoj ndryshe. Ju e dini se unë merrem edhe me futboll. E në futboll thuhet nëse dëshironi të luani, atëherë hyni në fushë, e jo prej tribunave. Kështu që mendoj se kontributi im sado i vogël që të jetë, do të jetë për diasporën. Por, të qenit indiferent nuk është opsion demokratik për zgjidhjen e problemeve. Ne e kemi edhe liderin e RDK-së, Rufi Osmani, të cilin e njohin me shumë vlera për shqiptarët.
Albinfo.ch: A mendoni se politikanët interesohen për diasporën vetëm kur afrohen zgjedhjet ?
Enver Osmani: Po, është krijuar kjo përshtypje. Fatkeqësisht diaspora po bëhet faktor vetëm para zgjedhjeve. Është folur më shumë sesa është bërë për diasporën, por në realitet nuk shihen rezultate konkrete. Pikërisht ne duhet ta ndryshojmë këtë kurs të politikës së deritanishme me praninë tonë në institucionet e vendit.
Albinfo.ch: Remitencat e mërgimtarëve të Maqedonisë shkojnë më shumë për konsum, a keni menduar në këtë drejtim se si do të ishte më së miri të konvertohen në investime nga diaspora?
Enver Osmani: Një pjesë shumë e madhe e BPB-së të Maqedonisë sigurohet nga diaspora. Edhe unë si qytetar i rëndomtë nuk e kam idenë se ku kanalizohet i gjithë ky potencial i diasporës. Keni të drejtë kur thoni se shumë pak investitorë vijnë nga diaspora, sepse atje mungon besimi për investime. Ne do të punojmë që të krijohet një klimë më e favorshme dhe më e sigurt për investitorët shqiptarë nga diaspora. Po, me siguri se ne do ta kemi në fokus çështjen e investimeve.
Albinfo.ch: A i njihni kundërkandidatët tuaj ?
Enver Osmani: Zakonisht kur dua të bëj diçka, fillimisht merrem me strategjinë time politike dhe mendoj se jam kandidati adekuat me shkallë të duhur të integrimit në vendin pritës, por edhe zëri i nevojshëm i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Unë i kisha ftuar në debat kundërkandidatët për t‘i bindur votuesit se kush është më i miri. Elektorati shqiptar jashtë Maqedonisë e di se ne nuk kemi asnjë interes material karshi vendit të origjinës që do të na kishte nxitur të kandidohemi për deputet të diasporës. Në krahasim me rivalët e mi, ne si RDK nuk kemi ndonjë varësi biznesi ndaj politikës së atjeshme, po nuk kanë as votuesit potencial në diasporë.


