Tahiri: Mashtrues janë ata që nuk dinë për çka flasin
Mashtrim i qytetarëve është kur dikush flet për këtë çështje dhe nuk i njeh praktikat ndërkombëtare, të cilat parashohin që qytetarët të cilët posedojnë dyshtetësi të votojnë pa problem në shtetet respektive, ka thënë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, duke reaguar ndaj deklaratës së kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili kishte thënë se “është mashtrim tentimi i Qeverisë që mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës ta cilësojë si grumbullim i votave”.
Tahiri është shprehur e befasuar se si një pjesë e klasës politike nuk është në gjendje ta dallojë grumbullimin e votave me mbajtjen e procesit zgjedhor, duke shtuar se “pikërisht kjo ngjarje – grumbullimi i votave – ka dëshmuar se Kosova po e mbron sovranitetin e saj”.
“Grumbullimi i votave është praktikë, e cila zhvillohet edhe nëpër vendet e Bashkimit Evropian, siç është: Franca, Zvicra dhe shumë shtete tjera nëpër botë. Procesi i grumbullimi të votave për zgjedhjet nacionale në Serbi, është bërë me ndihmën teknike të OSBE-së. Në këtë rast, Qeveria duke respektuar dyshtetësinë e qytetarëve, iu ka mundësuar atyre të drejtën e tyre legjitime për të votuar”, ka thënë Tahiri për Telegrafin.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë, në territorin e Kosovës, është shkelje e sovranitetit të vendit dhe Qeveria e Kosovës është cilësuar si e pa përgjegjshme pasi nuk ka vepruar siç duhet. Këto komente janë bërë të hënën gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/


