ARKATANA

Guximtarët e politikës

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Gani Sadiku – Imanuel Kanti e konsideronte mendimin e pavarur kritik si armën më të fuqishme kundër dogmës dhe autoritarizmit. Unë do të shtoja se në këtë ndarje qëndron edhe dallimi kryesor në mes demokracisë liridashëse dhe diktaturës.

Shteti nuk i duhet qeveritarëve , por individit të lirë pasi ai shtet do të shërbej si tempull i shenjtë ku shtetasit e vet mund të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre individuale dhe kolektive.

George Washington nё vitin 1796 nё porosinё e tij lamtumirёse drejtuar popullit amerikan thot: “Qenia e arrogancёs sё pushtetit pretendon pёrmbledhjen e pushtetit tё tё gjitha instancave nё njё instancё tё vetme, pёr ta shkaktuar nё kёtё mёnyrё, pavarёsisht nga forma e qeverisjes, despotizimin.

Njё vlerёsim i drejtё i kёtij epshi pёr pushtet dhe i gatishmёrisё sё natyrёs njerёzore pёr keqpёrdorimin e tij mjafton pёr ta dёshmuar saktёsinё e kёsaj tё vёrtete. Domosdoshmёria e kontrollit tё ndёrsjellё gjatё ushtrimit tё pushtetit politik nё formёn e ndarjes sё tij nё degё tё ndryshme qeveritare, secila prej sё cilёs synon mbrojtjen e tё mirёs sё pёrbashkёt nga ndёrhyrjet e tё tjerёve, ёshtё dёshmuar nga pёrvoja e kohёrave vjetra dhe tё reja.”

Përtej kësaj thënie është e tepërt të komentosh, sikundër është e tepërt të komentosh, kur konstaton se zyrtarë të akuzuar dhe të përcjellë në disa shkallë gjykimi në gjyqësorin e vendit, vërtiten të lirë dhe me sedrën për rikthime sërish në pozicione apo në detyra të institucioneve shtetërore, por edhe të ikjes së tyre në perëndim për të vazhduar të lirë jetën sikur mos të kenë bërë asnjë mëkat ndaj vendit dhe qytetarëve të tij.

Këta janë shkaktarët dhe mëkatarët e formimit të gjykatave ndërkombëtare në Kosovë sepse thot një fjalë e urtë popullorë ”nëse t`i nuk je i zoti t’i edukosh dhe mësosh fëmijët tu, t`i edukojnë dhe mësojnë të tjerët ashtu siç duan ata”

Fundamenti

Këta do ti quaja guximtarët e politikës, të cilët çdo ditë e kanë një betejë me ligjin dhe drejtësinë dhe të cilët ç’do ditë kanë përfitime të kundërligjshme nga ky shtet. Nuk është aspak e vështirë të gjesh vraga dështimesh të mëdha, si rrjedhojë e zbehjes së vlerave dhe këputjes së lidhjeve mes qytetarëve dhe realitetit në mjedisin e tyre ku shpesh e më shpesh harrohet se asnjë mirëqenie e qëndrueshme materiale nuk mund të krijohet në shoqëri, duke i braktisur ato vlera dhe ato lidhje.

Kjo shkëputje nga realiteti politikë-popull nuk besoj se mund të lexohen ndryshe përveçse në turravrapin për përfitime të shpejta, që padyshim shumë shpejt e thellon hendekun përditë e më të madh mes të pasurve dhe të varfërve.

Nuk mund t’i lejoj vetes asnjë komoditet për të thënë gjëra që janë jashtë mundësive të mia, nuk besoj se e teproj po të them se kriza jonë, është sa ekonomike aq edhe morale, sa një krizë financiare aq edhe një krizë vlerash, sa një krizë e institucioneve aq edhe një krizë e shoqërisë. Sepse unë besoj që nuk ka qëndrueshmëri ekonomike, nëse liria nuk e ka si moral të vetin; konkurrencën, meritën dhe solidaritetin; nuk ka financa të forta nëse kush duhet të paguajë për Shtetin nuk paguan dhe nuk ka institucione të dobishme nëse shoqëria nuk i ndëshkon abuzuesit e pushtetit.

Mjerë ky vend për këtë demokraci për këtë zhvillim ekonomik dhe cilësi përfaqësimi! Kjo mendësi hajdute, po e përbaltë jo vetëm të nesërmen, por fatkeqësisht edhe të pasnesërmen e vendit dhe tmerrësisht, këtë mision shpëtues të vendit nuk po dëshmon as opozita. Aktorët dhe udhëheqësit e saj , janë ende në ligësinë e marrëdhënieve me veten ndërsa Qeveria dhe zyrtarët e sajë vazhdojnë Procesin e dearsimimit të shoqëruar me atë të dekulturimit dhe të injorancës administrative, e të gjitha këto në vetvete janë plaga më e rëndë që ka prekur cilësinë e shtetësisë dhe të marrëdhënies që qytetari krijon me institucionalizimin.

Qeveria dhe guximtarët e politikës duhet të punojnë për vlera në shoqëri e jo të krijoj një ambient të zymtë ku qytetari mbushet me energji negative që po deformojnë deri në tjetërsim kulturën mes vete, shkurajohet deri në humbjen e shpresës dhe i adaptohet një kulture cinizmi që hedh poshtë çdo qëllim të mirë, dhe mandej i hap udhë të triumfoj indiferentizmi ndaj gjithçkaje.

“Mos mallko errësirën po ndiz një qiri”, thoshte nënë Tereza. Padyshim një qiri nuk e mundë gjithë errësirën, po na ndihmon të jemi të dobishëm duke mos e shtuar peshën e errësirës me mallkimet tona kundër saj. Dhe jo vetëm kaq, po na ndihmon të kuptojmë se ç’dritë mund të bëhet, nëse secili ndez qiririn e vet të vogël të vlerave e të mundësive./rajonipress/