Fejzullahu mungon 2 deri në 4 javë për shkak të lëndimit
Sulmuesi kosovar, Erton Fejzullahu, do t’i mungojë skuadrës suedeze Djurgarden, dy deri në katër javë.
Ai në ndeshjen e Kupës së Suedisë, që Djurgardeni e fitoi ndaj Assyriskas me rezultatin 2:0, u detyrua ta lëshojë më herët fushën për shkak të lëndimit.
Fejzullahut i është bërë një kontroll mjekësor ku është konstatuar se lëndimi që ka marrë në gju do ta lërë atë jashtë fushës nga 2 deri në 4 javë.
“Ata menduan se kam pasur gjakrrjedhje të brendshme dhe këputje të jashtme muskulore të gjurit. Dhe, prandaj kanë thënë se ky lëndim do të jetë dy deri në katër javë. Por, të mërkurën do t’i nënshtrohem edhe një kontrollimi, pasi është ende një situatë e paqartë”, ka thënë Fejzullahu të martën për “aftonbladet.se”.
Fejzullahu 25-vjeçar me Djurgardenin ka kontratë deri në vitin 2016.
© KOHA.net


