Për të mbijetuarat e dhunës
Nga Atifete Jahjaga – Para ca kohë, në një cep të Kosovës, isha në mesin e disa grave, të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Të mbledhura në një dhomë, këto gra i ndanë me mua një pjesë të përjetimeve të tyre, të tragjedive që i kishin përjetuar pa faj, të krimeve më mizore që kanë ndodhur në këtë luftë.
Ndonëse isha plotësisht e vetëdijshme se plaga e tyre, fizike dhe shpirtërore, ishte shumë e thellë, nga afër ndjeva vuajtjen që kjo traumë vazhdon t’ua shkaktojë. E pashë se si ua ka zbehur të ardhmen, si ua ka ndalur jetën viktimave dhe familjeve të tyre. Për to, lufta ende nuk ka përfunduar.
Sot, pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, askush nuk ka mëdyshje se krimet ndaj popullatës civile, e në veçanti ndaj gruas në kuadër të së cilave hyjnë dhunimet, kanë lënë plagë të thella në Kosovë. Ne e dimë se gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së rezistencës paqësore dhe kryengritjes së armatosur, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë. Si e tillë ajo ka qenë edhe viktima më e madhe e gjithë luftës – në rrethana aq të vështira sa janë të papërshkrueshme, ajo shumë shpesh ka bartur barrën e familjes dhe ka siguruar ekzistencën e saj. Por, si institucione dhe shoqëri, a kemi bërë mjaft për të adresuar nevojat e saj, sidomos ato që lidhen me këtë episod të tmerrshëm të luftës? E bindur se asnjëherë nuk do të gjejmë përgjigje të lehta në pyetje të vështira, jam e prerë në insistimin tim se kjo nuk është arsye që t’i shmangemi obligimit tonë si shoqëri dhe përkujdesjes tonë për këtë kategori të viktimave. Si presidente e Republikës së Kosovës, me dhjetëra herë u kam bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisioneve parlamentare, mekanizmave qeveritarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit të përqendrohemi bashkërisht në gjetjen dhe përcaktimin e formës më të përshtatshme për ta ofruar ndihmën tonë si institucione dhe si shoqëri viktimave të dhunës seksuale të luftës.
Në Kosovën të cilën po e ndërtojmë bashkërisht, nuk ka vend për debat të shëmtuar rreth të mbijetuarve të këtij lloji të dhunës, nuk duhet të ketë viktimizim të serishëm e stigmatizim të mëtutjeshëm nga pakujdesitë tona, nga bindjet personale, nga mospajtimet politike apo hezitimi për të rehabilituar këtë kategori viktimash.
Në këtë diskutim, numrat dhe ndasitë janë të parëndësishme. Ne të gjithë duhet të bashkëndjejmë me to, por edhe të punojmë bashkërisht për ta riintegruar këtë kategori brenda shoqërisë tonë gjithëpërfshirëse, sepse vetëm atëherë kjo shoqëri dhe ky shtet do të gjejë qetësi. Andaj këtë 8 Mars, kur reflektojmë mbi arritjet tona të përbashkëta për ta mbyllur hendekun gjinor në Kosovë, dua t’ua dedikoj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke themeluar me një dekret të veçantë Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Ky këshill ngërthen përkushtimin dhe vullnetin ndërinstitucional dhe shoqëror për të rehabilituar viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.
Me këtë nismë Kosova i është bashkuar nismës ndërkombëtare për të parandaluar dhunës seksuale gjatë konfliktit, të iniciuar nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar z.William Hague. Njëherësh, përmes saj, ne shprehim përkushtimin për të dhënë kontributin tonë në hartimin e një Protokolli Ndërkombëtar, i cili do të ndihmojë Kosovën dhe të gjithë vendet e botës të prekura nga ky mjet i luftës, në dokumentimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre krimeve mizore.
Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e këtyre viktimave, por mund të sigurohemi që e ardhmja e tyre të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, që e ardhmja e familjeve të tyre, e fëmijëve të tyre të mos përcaktohet nga një krim i kryer padrejtësisht mbi to.
Është ky përkushtim i yni që gjen mbështetje dhe në planin e veprimit të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mori miratimin e Qeverisë dhe të cilin e inauguruam po në nder të kësaj dite, si reflektim të përkushtimit dhe përgjegjësisë që kemi të gjithë – përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit.
Prandaj, progresi i shoqërisë sonë është i lidhur ngushtë me progresin e çdo qytetari. Nuk mund të ketë progres, nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë kur nuk përballemi me të kaluarën tonë të hidhur dhe pasojat të cilat kjo e kaluar i ka lënë pas e që janë të pranishme edhe sot, e që mbase do të na ndjekin edhe në të ardhmen nëse nuk ndërmarrim masa për t’u përballur me to.
Padyshim që përballja me të kaluarën nuk është e lehtë, sepse nuk është e lehtë të flasësh për plagët. Por, vetëm duke adresuar pasojat e të kaluarës, vetëm duke ndërmarrë hapa konkretë, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Siç e ka thënë dhe Nënë Tereza: “Nëse ne nuk gjejmë paqe, arsyeja është se kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrin”. Në Kosovë ne jemi të vendosur të ndërtojmë paqen. Çdo ditë e më shumë po bëhemi dëshmitarë të një ndërgjegjësimi botëror, ndërgjegjësimi të shoqërive demokratike, të shoqërive që synojnë progresin e qëndrueshëm, për rolin që gruaja ka në to dhe për rëndësinë e ofrimit të mundësive të barabarta.
Ky ndërgjegjësim po flet qartë dhe më hapur se kurrë, se ka ardhur koha të përballemi me padrejtësinë e shekullit tonë, me padrejtësinë e gjeneratës sonë për t’ju ofruar grave të njëjtat të drejta dhe liri.
Prandaj dhe na mbetet neve, është përgjegjësi e jona, ta ndryshojmë kahun e historisë dhe së bashku të ndërtojmë një shoqëri, një botë më gjithëpërfshirëse, një botë ku barazia gjinore nuk do të jetë më temë diskutimi.
Shoqëria jonë në shumë aspekte ka qenë prijëse e proceseve pozitive, të cilat kanë vendosur standarde të larta dhe për të gjithë rajonin, por nuk mund të vetëkënaqemi me atë çfarë kemi arritur. Duhet të ndërtojmë mbi progresin e shënuar duke e shtrirë atë në çdo nivel dhe në fushë. Nuk duhet të presim që progresi të vijë, duhet të punojmë në vazhdimësi që ndryshimi të ndodhë.
(Autorja është Presidente e Republikës së Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


