ARKATANA

Dalldisjet e të vonuarve

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Të kërkosh rrëzimin e qeverisë në fundin e mandatit të saj dhe të provosh të marrësh bajrakun e opozitarizmit, ndërkohë që me vite ke koketuar me të apo ke qenë pjesë e saj, duke ia zgjatur jetën, është papjekuri politike, hipokrite dhe hiç e ndershme. Është vonë, shumë vonë.

1.

Janë çuar në këmbë për shkarkimin e qeverisë tash kur edhe ashtu ka ardhur fundi i saj.

Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë me ngulm që qeveria e Hashim Thaçit të rrëzohet. Atyre iu ka dalë gjumi tash dhe duan ta marrin bajrakun e opozitarizmit, ndërkohë që për vite të tëra janë strukur e nuk kanë bërë zë, duke injoruar nisma të ngjashme të subjekteve të tjera politike, duke ia zgjatur jetën kësaj qeverie dhe duke ia mundësuar pikërisht kësaj qeverie të keqqeveris.

Pasi nuk gjeti mbështetjen për mocionin në Kuvend, AAK ka vendosur të organizojë peticion për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët, me synim rrëzimin e qeverisë. Me siguri i ka bërë hesapet mirë që pushtetin ta rrëzojë me peticione, ndonëse kjo formë e reagimit nuk ka bazë kushtetuese.

Të kërkosh rrëzimin e qeverisë dhe të punosh për rrëzimin e saj është gjëja më legjitime e mundshme që bën opozita në vendet demokratike. Por, të koketosh me qeverinë gjatë gjithë kohës dhe pastaj dy-tre muaj para zgjedhjeve të pretendosh të vihesh në ballë të aksionit opozitar është fort hipokrite. Hipokrite dhe e pandershme.

Në të vërtetë, kush e merr seriozisht AAK’në me nismat e saj?

Është legjitime që të kërkosh rrëzimin e qeverisë, por problematike dhe hiç e ndershme kur ke parasysh se po kjo parti opozitare ia dha kryeministrit nënkryetarin e saj për t’u bërë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi. E pjesë e qeverisjes së Hashim Thaçit është edhe dialogu me Beogradin.

Kishin mbyllur gojën e nuk bëzanin zyrtarët e AAK’së atëherë kur Thaçi ia shtronte tepihun e kuq liderit të tyre, kur ai po kthehej nga Haga. Besonin fort se ia kishte rezervuar postin e kryeministrit njeriut që “donte të punonte”. Besonin se një ditë të bukur Thaçi do të largohej qetë-qetë nga zyra dhe do ta ftonte Haradinajn për t’ia dhuruar postin aq fort të dëshiruar. Por, natyrisht, nuk doli ashtu.

E tash kur zgjedhjet janë në prag, AAK ka nisur dalldinë për të marrë bajrakun në kërkesën për rrëzimin e qeverisë. Tash kur liderët e PDK’së e LDK’së janë marrë vesh kur e si të mbahen zgjedhjet. Zyrtarët e AAK’së sikur kërkojnë që të gjithë t’iu besojnë dhe mos t’ua kujtojnë të kaluarën koketuese me PDK’në. E dinë që është vonë, shumë vonë, por shpresojnë që qytetarët t’i ketë tradhtuar kujtesa.

UBT

2.

Vonë, shumë vonë është edhe për Jakup Krasniqin. Njeriu i dytë i PDK’së priti gjatë, shumë gjatë, madje deri sa i konsumoi të gjitha privilegjet që ia ofroi pushteti i partisë së tij, për të nisur më në fund marshin kundër PDK’së dhe qeverisë, me krijimin e një nisme të re politike.

Sa e sa skandali qeveritar, e Krasniqit nuk iu dëgjua zëri për vite të tëra. Ishte rehatuar në karrigen e të parit të Kuvendit dhe luante rolin e burrit të urtë e të mençur, pavarësisht se qeveria e udhëhequr nga partia e tij po vlonte nga korrupsioni. Kishte zgjedhur me dëshirë që për gjithë këto vite të jetë pjesë e partisë që ishte bërë simbol i keqqeverisjes. Ashtu siç edhe bashkëpartiaku i tij, Fatmir Limaj, i cili kishte mbajtur edhe post të rëndësishëm në qeveri.

Si u bë që papritur këta njerëz të provojnë ta lajnë veten nga të bëmat e partisë e të qeverisë? A mund të harrohet gjithçka si me një të rënë lapsi e me krijimin e një subjekti të ri politik?

Ata duhet ta mbajnë veten përgjegjës për gjithë çfarë ka ndodhur në partinë e tyre dhe në qeverisjen e udhëhequr nga partia e tyre. Sepse, ata ishin aty, pjesë e strukturave partiake e qeveritare. Dhe, edhe nëse nuk e kanë çua zërin, prapë janë përgjegjës. Sepse në heshtje kanë miratuar gjithçka.

Pse Jakup Krasniqi nuk e themeloi subjektin politik para një, dy, tre a pesë vjetësh? A ishin punët më mirë në parti atëherë? A ishin punët më mirë në qeveri atëherë? A po qeveriste PDK më mirë atëherë apo, thjeshtë, Krasniqi dhe të tjerët nuk donin t’i humbnin postet dhe privilegjet? Pyetje që vërtet nuk duan shumë mund t’iu jepet përgjigje.

3.

Kujdestarët propagandues partiakë mund të ngarendin dhe të thonë se, duke kritikuar qasjen e politikanëve të përmendur në këtë shkrim karshi PDK’së, Hashim Thaçit e qeverisë së udhëhequr nga ai, unë dhe të tjerë që mendojnë si unë po dëshiruakam që Thaçi të vazhdojë qeverisjen dhe se jemi kundër rrëzimit të qeverisë. Por, ata sigurisht e mbajnë mend se një pjesë e opozitës, shoqërisë civile dhe gazetarëve e opinionistëve nuk kanë reshtur së kërkuari dhe kontribuuari që qeverisja e keqe e PDK’së të ndërpritet – madje edhe atëherë kur të dalldisur nga dëshira për pushtet e përfitime, parti të caktuara politike e zyrtarë të tyre ishin në delir nga premtimet boshe të Thaçit.

Veprimet e ditëve e javëve, sado qëllimmira të jenë, nuk mund t’i mbulojnë ato të muajve e viteve. Po, kanë të drejtë të flasin e bërtasin se sa e duan këtë vend dhe se sa i keq është Hashim Thaçi. Por, po ashtu, secili ka të drejtë t’u kujtojë se dikur nuk mendonin kështu për të dhe me vetëdije e vullnet të plotë, e përkrahët që ai të jetë ende në pushtet. Kujtesa ende nuk na ka tradhtuar.