Eko Higjiena

Maloku: AAK-ja po bën veprime joserioze, Blerim Shala po mendon vetëm për mëditje

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

AAK po bën veprime joserioze kur po tenton ta rrëzoj Qeverinë përmes metodave jokushtetuese. Në këtë proces nuk po vërehen këshillat e Blerim Shalës. Por, Nënkryetari i Parë i Partisë së Ramush Haradinajt nuk mërzitet për AAK’në sa për mëditjet që i merr si pjesë e delegacionit të Kosovës. Ish-Nënkryetari i AAK’së, Naim Maloku flet për Express.

Ish-Nënkryetari i AAK’së, Naim Maloku konsideron se veprimet e fundit të AAK’së për të rrëzuar Qeverinë janë jo-kushtetuese, joserioze dhe të pakuptimta.

Sipas tij, sjelljet e AAK’së janë joserioze duke pasur parasysh se kjo parti ka dërguar Blerim Shalën në Ekipin e Hashim Thaçit, derisa ka mbështetur edhe nismat e Qeverisë sa herë i është duhur ndihma e Aleancës në Kuvend.

“Mendoj se me veprime të tilla AAK nuk po tregon seriozitet që duhet ta ketë një parti politike që ka synim me qeverisë vendin”, ka thënë Maloku, për Express, të mërkurën.

“Mocioni i AAK’së ishte i pakuptimtë për faktin se tri vite praktikisht me pjesëmarrjen e njeriut të dytë në ekipin e Kryeministrit me Serbinë, AAK, praktikisht ka qenë më shumë pozitë se sa opozitë. Shumë ligje në Kuvend, kur Qeverisë iu ka dashur shumica votat i ka pasur në AAK”, ka shtuar ai.

Maloku, i cili thotë se ende është anëtar i AAK’së, thekson se është e pakuptueshme heshtja e Blerim Shalës në gjithë këto sjellje joserioze të Partisë së Ramush Haradinajt.

Ai pohon se Nënkryetari i Parë i AAK’së e di se nisma e dytë e AAK’së për rrëzimin e Qeverisë përmes një peticioni është jokushtetues.

“Është e pamundur që Blerim Shala mos me dit që mocioni është i pakuptimtë. Ose që peticioni nuk ka bazë Kushtetuese”, ka thënë ai.

FIDANISHTJA

Sipas Malokut, Blerim Shala nuk është duke u interesuar për AAK’në sa është përkujdesur për mëditjet që i ka marrë gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Mendoj se më tepër, më vjen keq me thënë këtë, por mendoj se më tepër i kanë interesuar Nënkryetarit të Parë të AAK’së përfitimet materiale të tij se sa pozita e AAK’së ose keqkuptimi i AAK’së. Sa e di unë, Blerim Shala ka shkuar atje për mëditje. Nuk është hetuar ndonjë veprim ose risi e Blerim Shalës në ekipin e Thaçit”.

Maloku thotë se është e pakuptueshme pse Blerim Shala po heshtë në gjithë këtë situatë.

“Kjo nisma me mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë tregon se AAK nuk ka as këshilltarë juridikë dhe as juristë të cilët e interpretojnë Kushtetutën se nuk ka bazë kushtetuese rrëzimi i Qeverisë përmes një mocioni. Fakti që edhe mocioni ka ndodhur në Aleancë par një muaji, edhe tani peticioni, shihet dhe nuk vërehet këshillimi i Nënkryetarit të Parë”, ka shtuar ai.

Mungesën e Blerim Shalës, Naim Maloku e ka parë edhe në fushatën e fundit të AAK’së për zgjedhjet lokale.

“Në fushatën e fundit për zgjedhje lokale shumë pak është parë Blerim Shala. Po duket se atij nuk i ka interesuar fare se çfarë përqindje do të marrë AAK’ja dhe ai nuk është parë në krejt dy tri tubime. Qe tri vite nuk është parë që dikund është ndikimi i Blerim Shalës në AAK përveç se këqyr kur e ka udhën për në Bruksel dhe sa mjete i qiten në konto”, ka shtuar ai.

Sipas tij, AAK, hapa të tillë të gabueshëm ka bërë edhe në vitin 2010, kur i pati dhënë përkrahje nismës për të dërguar Fatmir Sejdiun në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstatoi se kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur pozitën e Kryetarit të LDK’së dhe të Presidentit.

“Dëm të tillë AAK i ka bërë edhe para katër vitesh Kosovës. Ju kujtohet kur ishte vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, AAK pastaj e dërgoi Presidentin Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese dhe Kosova hyra në krizë institucionale nga e cila nuk po mund të dalë ende. E kemi Presidenten që ende po kontestohet nga një pjesë e madhe e skenës politike”, ka shtuar ai.