ARKATANA

SHBA, sinonim i lirisë së Kosovës

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Pavarësisht se në Kosovë sivjet nuk u organizua koncerti tashmë tradicional për të nderuar 4 Korrikun – ditëlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prapë dashuria për SHBA-të mbetet e njëtrajtshme.

Madje për liderët politikë dhe analistët, Amerika është sinonim i lirisë në Kosovë dhe miq të përhershëm të saj.

Ata mendojnë se mosorganizimi i koncertit ka ardhur më shumë për çështje sigurie, dhe se nuk e zbeh dashurinë e shqiptarëve ndaj popullit amerikan.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës” dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, për gazetën “Zëri” ka thënë se kjo datë është ngjarje e madhe e shek të XVIII.

Ai thotë se pavarësia e SHBA-ve solli shumëçka në jetën e popujve në mbarë botën.

Sipas Krasniqit kjo ditë është shkëputje e madhe nga shteti i mbretërive tradicionale.

Mobi Casa

“Pavarësia e SHBA-së dhe revolucioni frëng, janë dy ngjarje të mëdha të shekullit XVIII, që kanë ndryshuar shumëçka në jetën e popujve në shkallë botërore. Sidomos i kanë dhënë një dimension të ri demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Është shkëputje më e madhe nga shteti i mbretërive tradicionale”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se për Kosovën, SHBA-të janë sinonim i lirisë. Raportet midis Kosovës dhe Amerikës, sipas Muhaxhirit, nuk janë vetëm bilaterale por edhe emocionale.

“Nuk ka ndonjë shtet tjetër që ka raport më të veçantë se Kosova. Për Kosovën, Amerika është sinonim i lirisë. Është një raport emocional që kemi ndaj Amerikës dhe po ashtu racional sepse po të mos ishte përkrahja amerikane ndaj Kosovës, nuk do të gëzonim lirinë. Mosorganizimet e aktiviteteve kanë të bëjnë më shumë me çështje të sigurisë”, ka thënë Muhaxhiri.

Edhe eksperti i çështjeve politike, Albert Krasniqi, është shprehur për gazetën “Zëri” se mosorganizimet e sivjetme kanë të bëjnë më shumë rreth çështjeve të sigurisë në vend.

”Mosorganizimi i ndonjë aktiviteti kulturor apo diçka ngjashëm, në lidhje me shpalljen e pavarësisë së SHBA-ve, mendoj që ka të bëjë më shumë me fazat e sigurisë dhe asgjë me miqësinë që e kemi me këtë shtet”, është shprehur Krasniqi.

Dita e Pavarësisë, 4 Korriku është festë kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 Korrik 1776 u nënshkrua Deklarata për Pavarësinë nga ana e Kongresit Kontinental në Filadelfia të Pensilvanisë./zeri/