Punësohen ‘kot’ 25 ekzaminerë
Pa llogaritur konsekuencat e mundshme ligjore, Ministria e Infrastrukturës më 1 prill, kishte marrë një vendim arbitrar, duke larguar nga puna 25 ekzaminerë nga qendrat e patentë-shoferëve, dhe i kishte zëvendësuar ata me ekzaminerë të rinj, ndërsa si punëdhënës u kishte bërë atyre “kontrata mbi vepër”.
Megjithatë, Komisioni për Ankesa e ka rrëzuar këtë vendim duke e urdhëruar sekretarin permanent të MI-së t’i kthejë në punë këta ekzaminerë.
Kështu që ekzaminerët e vjetër janë kthyer në vendet e tyre të punës, por tash e tre muaj po sorollaten korridoreve, pasi që vendet e punës ua kanë zënë ekzaminerët e rinj.
Udhëheqësja e Divizionit për Komunikim Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, Saranda Jusufi, nuk ka dhënë sqarime rreth këtyre punësimeve dhe gjendjes së krijuar.
“Kanë pasur një transfer në bazë të Nenit 28 të Ligjit nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Nenit 5 të Rregullores nr. 06/2010 për Transferimin e Nëpunësve Civilë”, ka thënë shkurt Jusufi, pa treguar se pse janë punësuar ekzaminerët e rinj dhe si do të veprohet me ekzaminerët e vjetër./zeri/


