Eko Higjiena

William Walkeri, modeli i diplomatit misionar

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lisen Bashkurti – Prej shumë ditësh populli shqiptar i Kosovës dhe Maqedonisë po respekton një mik të madh. Ky është William Walkeri. Walkeri është ambasadori amerikan i OSBE-së që hyri i pari në Kosovë në vitin 1998 dhe zbuloi gjenocidin serb kundër popullsisë civile shqiptare si dhe ndërkombëtarizoi kauzën e drejt të Kosovës në botë.

1. Admirim për popullin shqiptar

William Walkeri po pritet nga mijëra shqiptarë. Kudo ka takime, manifestime, ceremoni, shtrëngim duarsh, përqafime, lot dhe buzëqeshje, tituj, çmime për këtë diplomat të madh. Edhe në Maqedoni William Walker bëri vizita me rendësi, u prit dhe u çmua si heroi i kauzës së drejtë shqiptare.

Në Kosovë u përurua busti i tij i bronztë. Ne Maqedoni u nderua me gjithë honoret e mundshme. Për së gjalli, rrallë ndonjë diplomat në botë është pritur dhe nderuar kaq lart nga një mirënjohje mbarë popullore.

2. Kritik për liderët shqiptarë

William Walker u tregua mjaft kritik për liderët kryesor shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Ishin vetëm këta liderë të lartë qe u ndjenë keq. Kjo sepse Walkeri këtë here hoqi dorezat diplomatike.

Në Kosovë William Walker u deklarua se kishte pritur një Kosove tjetër, se drejtuesit e Kosovës nuk e kanë arsyetuar sakrificën e popullit. Walkeri tha publikisht se nuk admiron me kryetarin e Kosovës, Thaçi dhe madje i ktheu kurrizin me përbuzje publikisht. Gjuha trupore e tij ndaj presidentit të Kosovës ishte mjaft sinjifikative.

Në Maqedoni William Walker foli akoma me drejtpërdrejtë për liderët kryesor shqiptarë. Ëalker theksoi publikisht se liderët kryesor shqiptarë në Maqedoni janë të paaftë për të realizuar të drejtat e shqiptareve në këtë vend.

3. Misionari i bashkimit shqiptar

Mobi Casa

Ambasadori William Walker, gjatë gjithë vizitave, takimeve, ceremonive dhe komunikimeve publike deklaroi qartë dhe pa asnjë ekuivok domosdoshmërinë e bashkimit të shqiptarëve.

Deklaratat e Walkerit për bashkim mbarë shqiptare bëhen në një situatë kur aksi ruso-serb është bërë qartësisht kërcënim për paqen dhe sigurinë në botë dhe Ballkan. Gjithashtu ky aks i së keqes është bërë kërcënim shumë serioz edhe për demokracinë liberale në gjithë hapësirën Perëndimorë.

William Walker bën mesazhin për bashkim jo për popullin shqiptar që është një dhe i pandarë, por kryesisht për liderët që janë në krye të tij. Ky lidership vuan nga sindromat feudale, nga narcisizmi, padituria, mungesa e integritetit moral dhe e parimeve demokratike. Mbi të gjitha ka liderë që vuajnë nga mungesa të theksuara të patriotizmit.

Kambanat e ambasadorit William Walker bien për t’u dëgjuar. Ato vijnë nga një amerikan i madh, nga një diplomat i shquar dhe nga një mik i jashtëzakonshëm i Kosovës dhe i mbarë popullit shqiptar.

4. Misionar i përjetshëm

William Walker bën pjesë në ata diplomatë botëror që është misionar i përjetshëm. Walkeri dëshmon se diplomacia nuk është biznes sezonal. Diplomacia nuk është një punë kalimtare. Diplomacia nuk është profesion interesash konjukturale. Diplomacia nuk është pjesë e grupeve të motivuara politikisht. Diplomacia nuk është e lidhur me grupet e interesit.

Diplomacia është mision. Është një mision i dedikuar për paqen dhe sigurinë në botë. Është mision i përkushtuar për demokracinë. Është misioni i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Është misioni i përpjekjeve për prosperitetin dhe zhvillimin social-ekonomik të popujve. Është misioni i mirëqeverisjes kundër korrupsionit, krimit dhe terrorizmit.

William Walker është një nga diplomatet me ndikimin më të madh edhe në ShBA. Walkeri është një lobues i pashoq. Ndikimi i tij në Qeverinë e ShBA-ve, në korpusin diplomatik të Departamentit të Shtetit, në Kongres dhe Senat, në qarqe publike, mediatike dhe akademike është shume i fuqishëm.

William Walker bën pjesë në ata që quhen diplomatë universal dhe të përjetshëm. Kosova dhe populli shqiptar dhe liderët e tyre lypet t’i dëgjojnë dhe konsiderojnë shumë seriozisht mesazhet e ambasadorit William Walker.
William Walker është ambasador i përjetshëm. Ai mbetet mik i madh i kombit shqiptar. Ai do ngelet modeli i diplomatit të përkryer. Profesionist, i motivuar, i dedikuar, i vullnetshëm, principal dhe trim deri në sakrificë për arritjen e misionit te tij.
Liderët dhe diplomatët shqiptarë duhet ta kenë ambasadorin Willian Walker model të jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Faleminderit ambasador William Walker!