PDK, përgjegjëse për dështimin e Speciales
Partia e Hashim Thaçit bart përgjegjësinë kryesore për dështimin e aprovimit të amendamenteve kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, për shkak se deputetë të kësaj partie nuk i janë bindur “urdhrave” të liderit të partisë për të aprovuar Specialen.
Ndonëse herën e parë Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë Specialen, megjithatë Qeveria nuk do të heqë dorë nga synimi për t’i aprovuar Dhomat e Specializuara.
Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, u shfaq optimist se deputetët e partisë së tij do të “korrigjojnë gabimin” dhe do të mundësojnë krijimin e Speciales. “Në votimin e radhës, besoj se Kuvendi do të miratojë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë ai, derisa ka përmendur se vendi gjendet para dy mundësive, ose të votojë herën tjetër vetë Gjykatën ose kjo mund të imponohet dhe KS i OKB-së.
Nga 88 deputetët të Kuvendit të Kosovës sa kanë qëndruar në sallë, 75 prej tyre kanë votuar në favor të krijimit të Gjykatës Speciale, derisa 7 deputetë nga PDK-ja, subjekt ky që është partner i koalicionit me LDK-në, kanë votuar kundër, 2 të tjerë kanë abstenuar dhe 4 të tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në votim.
Votat e deputetëve të PDK-së kanë bërë që të dështojë aprovimi i Gjykatës Speciale. Por, vetëm pak ditë pasi Kuvendi nuk arriti t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, deputetët “rebelues” nga PDK-ja që me votën e tyre i kanë thonë “Jo” Speciales hezitojnë të flasin nëse edhe herën e dytë do të mbajnë të njëjtin pozicion kundërshtues./zeri/


