Votimi për Specialen, midis dy presioneve
Midis dy lloj presionesh, deputetët e subjekteve politike në pushtet do të vendosin të premten për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, shkruan sot Koha Ditore.
Liderët e tyre dhe faktori ndërkombëtar ua kanë kërkuar votën për, ndërsa e kundërta u kërkohet nga opozita dhe shoqatat e dala nga lufta.
Të enjten Kuvendi ka pasur seancë të rregullt plenare dhe diplomatë ndërkombëtarë kanë qenë aktivë gjatë zhvillimeve të saj. Më të angazhuarit në lobim kanë qenë përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe ata të Zyrës së Bashkimit Evropian. Kanë takuar deputetë veç e veç, por edhe në grupe, të cilëve u është kërkuar vota pro në seancën e së premtes, kur do të vihen në votim amendamentet. Deputetët kanë folur vetëm në kushte anonimiteti për kërkesat e ndërkombëtarëve.
Votimi pro Speciales është punë e kryer, ka thënë një burim në Kuvend. Sipas tij, janë siguruar votat e së paku 82 deputetëve, të mjaftueshme për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese. Opozita nuk ka numra në Kuvend, sa për të prishur punë në këtë proces votimi, ngaqë pos 31 votave të saj, nuk mund të llogarisë në më shumë se 3-5 vota kundër që do t’i japin deputetët e partisë më të madhe në pushtet, PDK-së.
http://koha.net/?id=27&l=63772


