Tema të vështira nesër në Bruksel
Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel më 23 qershor (nesër), është paralajmëruar se do të jetë vendimmarrës për disa çështje që kanë mbetur pa u zgjidhur mes palëve.
Themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, që Beogradi e quan “Zajednica” (Bashkësi), është tema që Serbia po insiston ta paraqesë në tavolinë. Këtë e deklaron edhe ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, i cili thotë se më 23 qershor në Bruksel tema e Asociacionit pritet të jetë kryesore dhe mbase do të arrihet një marrëveshje, që çon te themelimi i saj.
“Mendoj se ky takim do të jetë shumë domethënës, do të jetë i ngjeshur me shumë tema që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, ku kryesore është themelimi i Asociacionit”, tha Mariq për “Zërin”.


