Haliti: Të metat e Nexhmedin Arifit ende po i kushtojnë buxhetit komunal të Vitisë
Viti – Reagim lidhur me deklarimet e ish-kryetarit Nexhmedin Arifi se po vazhdon të keq menaxhohet paraja publike në komunën e Vitisë. Një deklarim të pabazë, të pa argumentuar mirë, të pa vend dhe të pa menduar, e konsiderojmë atë që e ka thënë ish-kryetari i komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi në një prononcim tek rajonipress të enjten, lidhur me menaxhimin e parasë publike nga kryetari aktual Sokol Haliti. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se pozicioni i tanishëm i zotit Arifi, duhet thënë diçka, edhe pse s’ka çfarë të thotë, sikur nuk ka thënë asgjë edhe gjatë mandatit kur ishte në krye të udhëheqjes komunale.
Na duhet që t`i përkujtojmë dhe t`i japim disa argumente që t`i shërbejnë si përgjigje të atyre çështjeve që nuk është në dijeni zoti Arifi, pasi që edhe në deklarimin e tij, vërehet se nuk ka shumë qasje në rrethanat e realitetit të krijuar që nga momenti kur është kthyer në opozitë.
Pikë së pari, sa i përket ligjshmërisë që e thotë se qeveria aktuale po bënë “shkelje të trishta ligjore” sipas tij, i kujtojmë Arifit se të gjitha vendimet e marra nga komuna e Vitisë që kur është në krye të saj Sokol Haliti, janë konfirmuar nga MAPL si vendime konform ligjeve në fuqi. Për këtë, pos vlerësimit nga ana e MAPL-së, kemi edhe vlerësimet nga OSBE, KDI, Ubo- Cosulting etj. Pra, ky është dallimi i zbatueshmërisë së ligjshmërisë në komunë, krahasuar me qeverisjen tuaj për shkelje drastike të shumë vendimeve të marra ad-hok.
Lidhur me qarkoren buxhetore ku flisni se vërteton keq menaxhimin e parasë publike, na befason fakti se ajo ende është në shqyrtim dhe na çudit fakti se nga bazoheni se ajo ju jep këto të dhëna. Megjithatë, e kuptojmë shqetësimin që duhet të shpreheni, ngase më parë derisa ishin në postin e kryetarit, nuk besojmë ta keni lexuar qarkoren dhe tani po ja dini rëndësinë. Gjithashtu edhe për raportin preliminar të auditorit, vlerësoni diçka që ende nuk vërtetuar. Na vjen keq që pikërisht ai që duhet të heshtë për fajin e bërë dhe borxhet e mëdha që i ka shkaktuar institucioneve komunale, merr të drejtën të flas për borxhet. Ju zoti Arifi e dini mirë se sa e keni zhytur në borxhe komunën, andaj duhesh të jesh më i vëmendshëm në deklarimet tuaja.
Të përkujtojmë se janë me dhjetëra konteste gjyqësore e projekte të lëna në gjysmë që kanë mbetur si rezultat i keq menaxhimit tuaj. Disa nga këto projekte janë shkolla fillore në Sllatinë të Epërme, shkolla në Ballancë, kanalizimi në Smirë e Tërpezë, shkolla e mesme teknike në Viti e projekte të tjera të cilat keni marrë guximin t`i filloni, por ju ka munguar gatishmëria t`i përfundoni. Me plot të drejtë e themi se të metat tuaja zoti Arifi, ende po i kushtojnë buxhetit komunal të Vitisë. Sigurisht nuk e keni harruar projektin e sheshit të qytetit që ende është në kontest gjyqësor.
Për hir të korrektësisë dhe informimit të qytetarëve, ju kujtojmë se të gjitha kontestet gjyqësore komuna i ka humbur, për faktin se nuk janë përfillur procedurat ligjore në marrjen e vendimeve. Edhe për këto shkelje, ta kujtojmë urën mbi Lumin Morava afër shkollave të mesme, sikur edhe objektin e drejtorisë së arsimit (ish shoqata e gjuetarëve) e skandale të tjera të cilat do ua përmendim nëse këtë e kërkoni. Nëse nuk dëshironi ta pranoni, atëherë janë qytetarët ata që e vërejnë ndryshimin e ambientit dhe mjedisit, që asnjëherë më parë Vitia nuk ka qenë më pastër se tani. Por as në sferën e arsimit, gjendja nuk ka qenë asnjëherë më në nivel se tani, ngase mbi të gjitha janë ndalur diferencimet ideo-politike dhe kjo është dallimi mes kësaj qeverie dhe asaj të kaluar. Investimet kapitale, janë në rritje dhe ajo që është më produktive e qeverisjes Haliti është kthimi i donatorëve, të cilët ju zoti Arifi nuk patët aftësi që ti mbani apo tërhiqni, por përkundrazi i humbët. Tani kemi donatorë të shumtë që interesohen për investime, madje janë shumëfishuar.
Për hir të korrektësisë, po i përmendim edhe disa krahasime të investimeve kapitale në mënyrë që edhe ju zoti Arifi të njoftoheni, ngase edhe pse sigurisht i dini, nuk dëshironi t`i pranoni sepse kjo është në domenin e opozitës. Gjatë vitit 2014, kemi një rritje të investimeve kapitale për afër 700.000 euro krahasuar me vitin 2013, ndërkohë inkasimi i të hyrave vetanake për vitin 2014 është më i lartë për 210.000 euro se në vitin 2013.
Kurse sa i përket shpenzimeve ato janë dukshëm më të ulëta se sa në qeverisjen tuaj, kur vetëm për telefonin zyrtar tuajin zoti Arifi është paguar 1.208 euro. Nëse të duken zotimet e kryetarit Haliti famoze, atëherë duhet të ta përkujtojmë se ju premtuat pavarësimin e shkollës së mesme të Pozheranit, por nuk e realizuat dhe ne arritëm që ta realizojmë. Ambulanten në Pozheran e premtuat, por ne po e bëjmë realitet. Hapjen e punkteve shëndetësore vazhdimisht e keni premtuar, por ne po e bëjmë realitet. Emergjencën në Viti, ne e bëmë realitet,sepse ju e keni lënë në mënjanë e me kushte shumë të rënda. Parkun në Pozheran është “ndërtuar” disa herë me premtimet tuaja, por ne po e bëjmë realitet. Shkollën e Sllatinës së Epërme e keni lënë të papërfunduar, sikur edhe atë të Ballancës, por ne po e bëjmë realitet. Palestrën sportive vazhdimisht e keni premtuar por ne po e bëjmë realitet. Dhe, shumë e shumë premtime të tjera që keni dhënë të cilat ne me plot të drejtë mund t`i quajmë zotime tuaja famoze që nuk arritët t`i realizoni.
Andaj, na vjen keq kur në deklarimet tuaja shprehni shqetësime për keq menaxhim të komunës për gjërat që nuk jeni në rrjedha, apo i dini por nuk i pranoni. Ju të paktën e dini rëndësinë e menaxhimit të institucionit, pasi që gjatë mandatit tuaj, në të njëjtën kohë shumë herë jeni ballafaquar me procese gjyqësore pikërisht për dyshime për keqpërdorime. Ne do ta pranonim shqetësimin tuaj sikur ju të ishit shembull i menaxhimit të mirë të komunës, por fatkeqësisht e dimë mirëfilli kontributin dhe përkushtimin tuaj për mirëqenien qytetare thuhet në reagimin e zyrës së kabinetit të kryetarit të komunës Sokol Haliti./rajonipress/


