Mbi dy qëndrime jonjerëzore
Nga Arben Idrizi – Në përgjithësi, kam frikë, këto dy qëndrime jonjerëzore zëvendësojnë njëra-tjetrën, në një alternim të përjetshëm. Nuk ndihmon asnjëra, në radhën e vet, që të çojë kah tejkalimi i tyre.
Duke qenë i vonuar me mendje, natyrisht, gjithmonë më ka bërë vaki t’i marr gjërat vesh më vonë se të tjerët, edhe kur ato shfaqeshin me tërë lakuriqësinë e tyre kuptimore. Ndonjëherë kur veç ishte bërë vonë, e ndonjëherë tjetër, fatbardhësisht, në kohë aq sa për të mos bërë ndonjë të pabërë.
E një prej gjërave që kam arritur ta kuptoj me vonesë, por, prapë para se të bëhej tepër vonë, është se mbi këtë faqe të dheut, jo gjithmonë, e vërteta jote është edhe e vërteta e tjetrit. Për më tepër, edhe një fakt i pamohueshëm, si ta zëmë një fatkeqësi e shkaktuar nga vetë njeriu, një masakër apo një gjenocid, për të cilat ti mendon se është në dijeni e mbarë bota dhe as që mund të diskutohet vërtetësia e tyre, nga persona, grupe e shoqëri të tëra (do të) konsiderohet si e pavërtetë, e falsifikuar. Ose, nga ana tjetër, nëse nuk mohohet vërtetësia, konsiderohet si gjëja e duhur që është dashur të ndodhte. Atyre iu ka ndodhur fatkeqësia, pretendohet, ngase ashtu e kanë lypur. Kanë bërë kaq e kaq gjëra, thuhet, andaj duhej të paguanin. Ose, edhe në mos paçin bërë gjë të tillë, mendohet, nuk kanë bërë ngase s’kanë pasur mundësi deri tani, nesër mund të kenë mundësi dhe do ta bëjnë, andaj e meritojnë atë gjë.
Nuk mund të them se njëri qëndrim është më i keq se tjetri. Mund të them se të dy qëndrimet janë të përbindshme. Me të dy qëndrimet përballemi për çdo ditë të lume. Më e habitshmja, për mua, është se qëndrime të tilla kanë sidomos ata që e pësojnë nga qëndrimet e tilla.
***
Shoqëri të tëra, sidomos arabe, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të pretendojnë se holokausti është një sajesë e vetë hebrenjve. Ose, se fatkeqësisht nuk janë shfarosur të gjithë. E ndër ne, ka sa të duash kafshë të tilla që Hilterin e quajnë dajë dhe mendojnë se shqiptarët ishin të përkëdhelurit e tij.
Për shumicën e serbëve, nuk kanë ndodhur asnjë nga keqtrajtimet, përndjekjet, përdhunimet dhe vrasjet që i kanë kryer forcat serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë. Për shumicën e shqiptarëve, nuk kanë ndodhur asnjë nga përndjekjet, vrasjet e civilëve serbë, përndjekjet dhe uzurpimet e pronave të tyre.
Ose, në rastin tjetër, kur e pranojnë vërtetësinë, e arsyetojnë me pretendimin se vetëm kështu duhej reaguar për të parandaluar diçka më të keqe, kështu e kishin lypur, nuk meritonin më mirë, etj.
Në të njëjtën mënyrë, këto ditë, një grup njerëzish, shqiptarë të Maqedonisë, kanë dalë të protestojnë, siç thonë ata, “kundër shpifjes se Turqia ka bërë gjenocid ndaj armenëve”.
***
Në përgjithësi, kam frikë, këto dy qëndrime jonjerëzore zëvendësojnë njëra-tjetrën, në një alternim të përjetshëm. Nuk ndihmon asnjëra, në radhën e vet, që të çojë kah tejkalimi i tyre.


