Haradinaj: Nuk do të ndalemi
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, falënderon pjesëmarrësit e protestës së sotme, të cilët thotë se “masovikisht iu përgjigjen thirrjes për të protestuar dhe ngritur zërin qytetar kundër kapjes se shtetit nga pushteti”.
“Adresimi i kërkesave dhe simbolika e sotme përmes marshit protestues ishte demokratike, paqësore dhe civilizuese duke dëshmuar dhe fuqizuar edhe njëherë përcaktimin dhe përkushtimin tonë qe shtetin ta shkapim nga pushteti përmes mjeteve legjitime dhe demokratike.
Falënderoj mediat e huaja dhe vendore të cilat e përcollën marshin protestues dhe transmetuan zërin e qytetarëve kundër kapjes së shtetit. Po ashtu, falënderoj edhe organet e rendit të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e qetë të kësaj proteste gjithëpopullore.
Qeveria i ka dy javë kohë që të reflektojë mbi kërkesat tona!
Ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave gjithëqytetare për dinjitet dhe shkapje të shtetit”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/


