Për çka u arrestua “doktori” gjilanas Shaqir Hajdari
Gjilan – Shaqir Hajdari është arrestuar nga policia e Kosovës pasiqë në një shtëpi private në një dhomë të improvizuar në lagjen “Arbëria” në rrugën ‘Mustafë Koka’ është hasur duke ushtruar veprimtari mjekësore pa licencë të doktorit dhe pa licencë të ordinancës.
Jetish Maloku kryeprokuror në Gjilan ka konfirmuar për rajonipress se Shaqir Hajdari është arrestuar pasiqë është paraqitur si mjek pa pasur licencë.
Ndërkaq sipas policisë Shaaqir Hajdari gjatë dhe pas kontrollës nuk ka mundur të dëshmojë se posedon kualifikim për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore.
Nga i njëjti janë konfiskuar disa fletore me shënime të pacientëve, si dëshmi materiale për gjyq.
I dyshuari është shoqëruar në zyrat e Policisë së Kosovës në Gjilan dhe është intervistuar nga hetuesit e kësaj njësie ku ka prezantuar edhe prokurori i rastit dhe avokati mbrojtës.
Me vendim të prokurorit të shtetit ndaj tij është lëshuar vendim mbi ndalimin për 48 orë thuhet në njoftimin e policisë në Gjilan./rajonipress/


