Hetimet në EULEX nuk kanë përfunduar!
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka thënë se raporti i publikuar i Jean-Paul Jacquet mbi korrupsionin në EULEX është vetëm hapi i parë i ndërmarrë në këtë drejtim.
Ajo ka bërë thirrje për një hetim të plotë rreth misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX-it.
“Raporti është një hap i parë i rëndësishëm, por ka disa pyetje që kanë mbetur pa përgjigje”, shkroi Lunacek në ueb-faqen e saj në Internet, transmeton Telegrafi.
Në raportin e publikuar të Jacquet, ekspertit të pavarur të emëruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në pjesën më të madhe hidhen poshtë akuzat se EULEX-i është përpjekur që të mbulojë korrupsionin në radhët e veta.
“Unë pres, ashtu sikur se edhe deputetët e tjerë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, që të sqarohen çështjet e hapura dhe kërkojmë transparencë të plotë”, ka shkruar ndër të tjerash Lunacek.
Përfaqësuesja austriake ka thënë se edhe vetë ka propozuar disa herë që të reformohet misioni i EULEX-it, ashtu siç ka kërkuar dje, Jacquet, ndërsa u ankua se Austria nuk ka dërguar personel të mjaftueshëm të kualifikuar në EULEX.


