Dënimet për terrorizëm, ‘të arsyeshme’
“Gjaku i qafirëve është pija më e mirë për ne”, ishte thënia që e kishte përdorur para besimtarëve të xhamisë “El-Kuddus”, në Gjilan, imami Zekria Qazimi. Për këtë fjalë në muajin maj të vitit të kaluar ai është dënuar nga drejtësia kosovare me dhjetë vjet heqje lirie. “Nxitja e urrejtjes fetare”, “Rekrutimi”, “Pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe thirrja për rezistencë” kanë qenë disa nga veprat penale, të cilat kanë ulur para bankës së të akuzuarve klerikë fetarë dhe qytetarë të ndryshëm të Kosovës.
Nën këto akuza pjesa më e madhe e atyre, të cilët kanë qenë subjekt i ndjekjes penale, janë shpallur fajtorë. Ndërkaq, duke i vlerësuar dënimet e shqiptuara për “Terrorizëm” si vendime adekuate, njohës të çështjeve penale në vend bëjnë me dije se dënimet për këtë kategori të personave janë në harmoni më veprat për të cilat këta të pandehur janë akuzuar.
Përdorimi i gjuhës radikale gjatë predikimeve fetare ka bërë që Prokuroria Speciale të fillojë ndjekjen penale edhe ndaj disa imamëve në disa nga xhamitë më kryesore të vendit. Organi i akuzës, në qershor të vitit të kaluar, ka ngritur aktakuzë edhe ndaj disa imamëve të tjerë. Organi i akuzës ka filluar ndjekjen penale edhe ndaj kryeimamit të Pjesës, Enes Gogës, imamëve nga Prizreni, Idriz Bilibanit dhe Mallzom Mazllomit, imamit nga Prishtina, Bedri Robajt, dhe kryetarit të LISBA-s, Fuad Ramiqit. Ndërkaq, për këtë vepër penale një muaj më herët Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte dënuar me dhjetë vjet heqje lirie ish-imamin i xhamisë “El-Kuddus”, në Gjilan, Zekria Qazimin së bashku me gjashtë persona të tjerë./zeri/


