Si e kujton Nehat Shabani 13 prillin e vitit 1999
Gjilan – Nehat Shabani nga Llashtica e Gjilanit me shumë dhimbje e trishtim e kujton datën 13 prill 1999. Pos që ishte plagosur nga serbët ai humbi edhe djalin tre javësh Lirimin i cili sot realisht do të mbushte 16 vite. Nehati është i zhgënjyer në institucionet komunale që po i harrojnë datat e dhimbshme dhe ato historike.
Ish mësuesi e tani drejtori i shkollës në Llashticë, Nehat Shabani të hënën së bashku me familjarët dhe të tjerët kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe pos që e kanë kujtuar ditën e dëbimit të 13 prillit 1999, ata janë kujdesur që ta kujtojnë edhe nxënësin Lulzim Musliun.
Sipas dëshmitarëve trupi i Lulzim Musliut është gjetur i vrarë në vendin e quajtur “Gropat e Macave” më 18 qershor 1999. Dëshmitari Besim Musliu ka konstatuar se Lulzim Musliu është vrarë me një plumb në kokë nga paramilitarët serb. Ky dëshmitar ka thënë se vrasjen e kanë kryer fshatarët serb të Pasjanit.
Nehati befasohet që ende nuk janë rregulluar varrezat e fshatit ku prehen dëshmorët. “Vërtet kjo është e pafalshme ndërsa institucionet duhet të kenë kujdes ndaj ngjarjeve të rëndësishme historike”.
Nehat Shabani pos që ishte plagosur nga serbët më 13 prill 1999 derisa banorët e strehuar në male po mundoheshin të shpëtonin nga kriminelët serb, ai humbi edhe djalin tre javësh Lirimin. “E kam të vështirë ta përkujtojë këtë ditë sepse Lirimi sot do të mbushte 16 vite. Por masakra që ndodhi më vonë, pastaj djegia e kufomave dhe krimi makabër që bënë serbët më bënë të bëhem më i fortë dhe të jem pranë këtyre familjeve që humbën më të dashurit e tyre” thotë Nehat Shabani.
Shabani tha se dëbimi i popullatës së Llashticës ishte i orkestruar nga serbët lokal dhe ata nga Serbia.”Jam tepër i zhgënjyer tek hetuesit shqiptarë dhe tek ata të huaj të cilët fare nuk u morën me Dosjen e Llashticës”tha Shabani./rajonipress/

