Shqetësimet e bizneseve do të kenë një adresë
Prishtinë – Sot u mbajt takimi i parë konstituiv i Grupit këshillëdhënës për tatime dhe dogana Ministri i Financave Avdullah Hoti. Në këtë takim ministri Hoti bëri të ditur se ky Grup këshillëdhënës është themeluar për shkak se ligji i Administratës Tatimore të Kosovës nga 1 janari e ka shpërbërë Bordin e Pavarur për Shqyrtime.
Ky grup ka për qëllim që të pranojë në formë të shkruar të gjitha shqetësimet e bizneseve dhe t’i shqyrtojë ato me kujdes të veçantë në baza ditore dhe do të më këshillojë drejtpërdrejt mua për veprimin që duhet të ndërmarr lidhur me këto shqetësime.
Grupi këshillëdhënës përbëhet nga Departamenti Ligjor i Ministrisë së Financave, Departamenti Ligjor i ATK-së, Departamenti Ligjor i Doganave, një ekspert i pavarur dhe një përfaqësues nga komuniteti i biznesit. Ndërsa udhëheqës i këtij grupi është Florin Peci – këshilltar i ministrit Avdullah Hoti.
Në mbështetje teknike të këtij grupi, për të pranuar fillimisht shqetësimet e bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës për tatime dhe dogana do të jetë Divizioni Administrativ i Bordit të Pavarur për Rishqyrtime./koha/


