Isa Mustafa: Kosova s’ka arsye të mos e ketë liberalizimin e vizave
Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, vlerës se nuk ka arsye që Kosova të mos jetë e zhvilluar dhe të mos i hiqet regjimi i vizave.
Gjatë fjalimit të tij në shënimin e 25 vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Podujevë, kryeministri Mustafa ka thënë se kjo parti ka marrë një përgjegjësi të madhe në qeverisjen e vendit, për të bërë ndryshime të mëdha dhe zhvillim ekonomikë.
“Nuk ka asnjë arsye që Kosova të mos jetë e zhvilluar, të mos ketë liberalizim të vizave”
“Ne kemi marrë një përgjegjësi të madhe, kemi marrë qeverisjen e vendit. Kemi përgjegjësi të bëjmë ndryshime të mëdha, ta zhvillojmë ekonomin e këtij vendi, të krijojmë stabilitet, të krijojmë vende të reja pune, ta integrojmë Kosovën në BE”, tha Mustafa.
Ai gjithashtu ka thënë se luftimi i korrupsionit duhet të bëhet nga të gjithë e jo vetëm nga institucionet.
Me rastin e këtij përvjetori, Mustafa ka thënë se LDK ka me çka të mburret dhe se është model për partitë tjera si i nderohet demokracia e brendshme.
“Ne kemi me çka të mburremi, dhe këtë mburrje nuk e tregojmë përmes lëvdatave që ti japim vetvetes, por e tregojmë me një vepër të madhe të ndërtuar me një demokraci të brendshme që po e ndërtojmë brenda LDK-së. LDK-ja ka ndërtua raporte që mund t’ia kenë lakmi partitë e tjera”.
“Sot LDK po tregohet një subjekt tepër i rëndësishëm edhe për komunë e Podujevës sepse për 25 vjet ka qëndruar historike dhe ka mbajtur shumicën këtu në Podujevë dhe shpresojë që do ta mbajë edhe 25 tjera së bashku”, ka thënë Mustafa në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve. /Indeksonline/


