Komuna dhe HELVETAS mbështesin bizneset lokale
Kamenicë – Komuna e Kamenicës dhe Organizata zvicerane HELVETAS, Projekti Aftësi për Punësim Rural kanë mbështetur hapjen dhe zhvillimin e biznesit lokal “Medina” i cili veprimtari kryesore e ka rrobaqepësinë. Hapja e këtij biznesi ka ndikuar edhe në fitimin e aftësive të femrave të reja që do të trajnohen për rrobaqepësi me mbështetjen e HELVETAS.
Këtë trajnim sot e filluan tetë gra dhe vajza të Kamenicës. Udhëheqësja e kësaj ndërmarrje Mirvete Sermaxhaj theksoi se një numër i këtyre grave dhe vajzave do të gjejnë punë këtu pas mbarimit të trajnimit. Fasilitatorja e HELVETAS Lirije Hajrizi – Dërmaku tha se është kënaqësi që HELVETAS ka mundësinë të ndihmojë në zhvillimin e këtij biznesi dhe trajnimin e grave dhe vajzave të Kamenicës, të cilat pas këtij trajnimi do të jenë gjendje të sigurojnë të ardhura materiale.
Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi tha se rruga e vetme për daljen nga situata e rëndë e papunësisë është mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme të cilat janë garancion për krijimin e vendeve të reja të punës.” Kjo është një storie e suksesit të cilën angazhohemi dhe duam ta shohim sa më shpesh në komunën tonë, shpresojmë që kjo ndërmarrje të prosperojë dhe të ketë suksese në tregun e prodhimit dhe biznesit të tekstilit. Komuna është në mbështetje të ideve dhe iniciativave të këtilla me të gjitha mundësitë që ka” tha Matoshi
Hapja dhe ngritja e këtij biznesi u përkrah nga Komuna dhe HELVETAS, Projekti Aftësi për Punësim Rural i cili mbështeti aftësimin e grave në këtë ndërmarrje./rajonipress/

