Uji Dea

Urime, edhe 100!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

​Nga Imer Mushkolaj – Njëqind ditët e para testuese të Qeverisë Mustafa kaluan ashtu siç pritej, me një menaxhim të dobët të kryeministrit dhe me probleme që veç sa vijnë e shtohen. Megjithatë, përgëzimet nuk ka arsye të mungojnë: urime, edhe 100 tjera! Jo vjet, por ditë. Madje edhe kaq janë shumë për një qeveri të tillë.

Po t’i kërkohet Isa Mustafës që t’i numërojë sukseset e arritura në 100 ditëshin e parë të qeverisjes së tij, ai nuk do ta ketë të lehtë ta bëjë këtë. Madje, do ta ketë pothuajse të pamundur. Natyrisht, 100 ditë janë kohë e shkurtër për të realizuar premtime fushate ose pjesë të programit qeverisës, por kjo periudhë testuese shërben për të vlerësuar performancën e kryeministrit dhe të qeverisë të paktën sa i përket vizionit për menaxhimin e sfidave që ka vendi. Në këtë fushë, pavarësisht se e ka edhe angazhim akademik, kryeministri Mustafa nuk është shquar në këta muaj.

Ky 100 ditësh i qeverisjes së tij nuk ka shënuar fillim të zgjidhjes së problemeve të shumta me të cilat përballen qytetarët. Përkundrazi, krijohet përshtypja se me qasjen e tij joaktive dhe shpesh arrogante karshi opinionit publik, ai vetëm sa i ka shtuar probleme vetes.

I gjendur përballë pasojave që ia ka lënë trashëgim paraardhësi i tij, Hashim Thaçi, Mustafa nuk ia ka dalë ta adresojë sa dhe si duhet përgjegjësinë për ato që janë bërë e nuk janë bërë shtatë vitet e fundit. Për më tepër, ai ka pranuar t’i gëlltisë të gjitha ato që ka premtuar se do të jenë ndryshe me qeverisjen e tij. E nuk mund të jenë ndryshe me Thaçin në qeveri, me Thaçin zëvendës. Në këtë mënyrë, Mustafa ia ka lidhur duart vetes, duke mos pasur mundësi që vërtet të realizojë programin qeverisës, pa barrën e përgjegjësisë së të shkuarës.

Ndërkohë, në vend që të arsyetohet për mospërmbushjen e premtimeve të veta që nisin që nga ai për mosqeverisje me PDK’në, Mustafa ka zgjedhur të konfrontohet me të gjithë – jo veç me opozitën, por edhe me organizata të shoqërisë civile, gazetarë e media kritike. Një gjetje aspak inteligjente për një kryeministër, që do të duhej të fokusohej në ato çfarë bën e nuk bën vetë, e jo në ato çfarë thonë e bëjnë të tjerët.

Plot cinizëm e mosdurueshmëri, ai nuk ka hezituar që në fillim të replikojë madje edhe mijëra qytetarë që braktisën vendin për një kohë të shkurtër. Fort pa takt ishin deklaratat e tij për Iphone dhe përgjegjësinë për vdekjen e fëmijës dyvjeçar.

Emigrimi masiv i kosovarëve i la shije të keqe fillimit të qeverisjes së Mustafës dhe ishte mesazh i qartë për vendimin e tij që të bashkëqeveris me PDK’në. Ndërkaq, grevat e protestat e shumta, si asnjëherë më parë, i dërguan atij sinjal se premtimet duhet mbajtur, përndryshe ditë të mira për qeverinë nuk shihen në horizont.

* * *

Teksa më së shumti ka zgjedhur Facebook’un për të komunikuar me publikun, për të kritikuar media, gazetarë e opinionistë “që nuk ia duan të mirën”, Mustafa nuk është ballafaquar asnjëherë drejtpërdrejt me qytetarët, për t’iu shpjeguar e qartësuar se çfarë e ka ndërmend të bëjë me qëllim që t’ua përmirësojë jetesën.

UBT

Programin qeverisës të përgatitur edhe ashtu me vonesë ende nuk e ka dërguar në Kuvend, ndërkohë që nuk e ka kompletuar as kabinetin qeveritar. Zhvillimi ekonomik mbetet një dëshirë në letër, përderisa vendimet populiste si falja e borxheve vetëm sa mund ta kenë mënjanuar përkohësisht rrezikun permanent të shpërthimit social. Të mos përmendim numrin e vogël të ligjeve të proceduara në Kuvend, ndërkohë që bojkotimi i Listës Serbe vetëm sa ia vështirëson edhe më shumë punën ekzekutivit. E si për të treguar forcën dhe kërcënuar ata që e kritikojnë, ekzekutivi ka paralajmëruar kthimin e TVSH’së për media. Thua se nuk kanë me çfarë të merren tjetër dhe veç edhe mediat iu ka mbetur t’i ndëshkojnë.

* * *

Pak para 100 ditëshit, zyra e Isa Mustafës u përpoq që ta shesë si lajm të mirëqenë një takim që kryeministri do ta kishte me kancelaren gjermane. Pak më vonë u tha se takimi ende nuk ishte i konfirmuar. Se cili ishte qëllimi i një gafe të tillë, më së miri e dinë ata që merren me PR’në e tij. Por takime të tilla, qoftë edhe me gruan më të fortë në botë, nuk sigurojnë edhe qeverisje të tij të mirë për qytetarët. Mustafa mund të takohet edhe me presidentin amerikan, ama kjo nuk e amniston dhe nuk e zhvesh nga përgjegjësitë dhe detyrimet që duhet t’i ketë për qytetarët dhe nuk e bën aspak kryeministër të mirë.

Nëse edhe pas 100 ditësh qytetarët nuk i kanë të qarta prioritetet e qeverisë dhe mënyrën e realizimit të tyre, sepse i pari i saj nuk ka dhënë prova se mund ta bëjë një gjë të tillë, atëherë diçka nuk shkon si duhet.

Nëse asgjë tjetër, për këto 100 ditë Mustafa është dashur që t’ua ngjallë shpresën qytetarëve se do të bëhet më mirë.

Nëse asgjë tjetër, për këto 100 ditë Mustafa dhe qeveria e tij është dashur të tregohen më dinamikë.

Nëse asgjë tjetër, për këto 100 ditë Mustafa dhe qeveria e tij është dashur të paktën të dinë se cilat janë dhe si do të veprojnë për përmbushjen e prioriteteve emergjente.

Por, nuk ka ndodhur asnjëra nga këto. Qeveria e as qeverisja e Mustafës, tash për tash, nuk dallojnë nga ato të Thaçit. Vetëm se kabineti qeveritar numerikisht është më i madh. Një qeveri e ndërtuar mbi premisa absolutisht joparimorë, nuk ka si të jetë ndryshe.

Njëqind ditët e para testuese të Qeverisë Mustafa kaluan ashtu siç pritej, me një menaxhim të dobët të kryeministrit dhe me probleme që veç sa vijnë e shtohen. Megjithatë, përgëzimet nuk ka arsye të mungojnë: urime, edhe 100 tjera! Jo vjet, por ditë. Madje edhe kaq janë shumë për një qeveri të tillë.