Qendra e Kujdesit Ditor “PEMA” shënon dy vjetorin e punës
Gjilan – Qendra e Kujdesit Ditor “PEMA” e cila ofron shërbime psikosociale dhe rehabilituese për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kategoritë tjera të cenuara të fëmijëve në komunën e Gjilanit, të enjten ka festuar dy vjetorin e hapjes së saj. Të pranishmit, janë shprehur mjaftë të kënaqur më cilësinë e shërbimeve dhe kanë përgëzuar stafin punonjës në kuadër të QKD – PEMA.
“PEMA”, është themeluar me mbështetjen e zyrës së BE-së në Kosovë, MPMS, Fondacionit Medicor dhe Komuna e Gjilanit.
Për të shënuar këtë dy vjetor dhe për të diskutuar për sukseset dhe sfidat gjatë ofrimit të shërbimeve për fëmijët në nevojë QKD-PEMA ka mirëpritur në objektin e saj prindërit, zyrtarët komunal dhe profesionistët e bashkëpunëtorët tjerë.
Të pranishmit, janë shprehur mjaftë të kënaqur më cilësinë e shërbimeve dhe kanë përgëzuar stafin punonjës në kuadër të QKD – PEMA.
Qendra e Kujdesit Ditor përbëhet nga një staf profesionistësh të cilët kanë përgatitjen e duhur akademike si dhe përvojë të konsiderueshme në punën me fëmijë; Koordinatorja e qendrës, 4 këshillues psikosocial që punojnë drejtpërdrejtë me fëmijët në kryerjen e këtyre aktiviteteve, recepcionistja dhe shoferi i cili ofron transportin e fëmijëve për ardhjen dhe largimin nga qendra.
Në mënyrë të vazhdueshme, stafi i qendrës merr edhe trajnime adekuate nga eksperte vendor dhe ndërkombëtar, me qëllim të rritjes së vazhdueshme të kapaciteteve për të siguruar ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe të qëndrueshme për këta fëmijë.
Qendra e Kujdesit Ditor – Gjilan bashkëpunon ngushtë edhe me partnerët lokal siç janë Komuna e Gjilanit, Qendra për Punë Sociale, shkollat, Qendra e Aftësimit Profesional dhe Spitali Rajonal i Gjilanit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe kontakteve me profesionistët e tjerë që punojnë në ofrimin e shërbimeve për fëmijë, qendra siguron një qasje multidisiplinare ndaj secilit rast dhe garanton shërbime të dizajnuara për nevojat specifike të secilit fëmijë. Qendra e Kujdesit Ditor – Gjilan, u ofron shërbime rreth 141 fëmijë në nevojë./rajonipress/


