Lenjani: Kur politikanët tanë të zgjohen nga gjumi, do të bëhet tepër vonë
Gjilan – Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, Selver Lenjani, ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, Ombudspersonin, kreun e Kuvendit dhe anëtarët e Kuvendit të Kamenicës, duke i quajtur profiterë dhe të padijshëm.
Lenjani thotë se nuk e kanë ndërmend të dorëzohen dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për të mbrojtur kufirin dhe tokën e Kosovës. “Çdo ditë hynë vetura civile me serb të cilët vëzhgojnë çdo pëllëmbë të Kosovës. Kjo vërtet nuk donë koment. Kadri Veseli shkon e viziton skajet e botës, e nuk gjen kohë për ta vizituar Karaqevën. Ata deputet që paguhen nga taksat tona kurrë nuk dolën në Karaqevë. Edhe Ombudspersoni i Kosovës nuk doli për të takuar popullin e tij” shprehet Lenjani, raporton rajonipress.
Lenjani ka kritikuar edhe këshilltarët komunal në Kamenicë. “Asnjëherë gjatë këtij mandati, anëtarët e Kuvendit të Kamenicës, të cilët kanë marrë besimin e qytetarëve për t’i mbrojtur dhe përfaqësuar në Asamble, nuk e kanë ngritur problemin e brezit kufitar. Ky është një Kuvend i interesave personale dhe asgjë më shumë. Ngjashëm po ndodhë edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës, qeveritarët, parlamentarët dhe kryetari i Kuvendit”.
Lenjani tha se jo vetëm asambleistët e Kamenicës, por askush deri sot nuk është përkujdesur për vijën kufitare. “Edhe përkundër shumë kërkesave të mia, asnjëherë ky Kuvend nuk e ka pasur kurajon ta ngritë problemin e cenimit të territorit të Kosovës, së paku të diskutojë. As unë i vetëm nuk mund ta mbrojë kufirin, por të paktën e kam sensibilizuar problemin dhe kemi qenë në vazhdimësi koherent me ngjarjet e zhvilluara” shprehet Lenjani.
Lenjani tha se banorët janë të vendosur dhe nuk do e lëshojnë asnjë pjesë të territorit. “Kur politikanët tanë të zgjohen nga gjumi, kam përshtypjen se do të bëhet tepër vonë” tha Lenjnai. /rajonipress/


